Parlamenti i Malit të Zi seancë të jashtëzakonshme për qeverinë e re, a do të bëhet kryeministër Abazoviç?!

Parlamenti i Malit të Zi është mbledhur sot në seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë së re të kryeministrit të mandatuar, Dritan Abazoviç. Nëse siguron votat e duhura, qeveria e re do të jetë qeveri e pakicës.

Ajo pritet të përbëhet nga Lëviza Qytetare URA, e zotit Abazoviç, Partia Popullore Socialiste, një parti pro-serbe, Partia Social-Demokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Për të siguruar votat e duhura, ajo ka nevojë edhe për mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve, të presidentit Millo Gjukanoviç. Kjo parti ka thënë se di t’i japë votëbesimin qeverisë së pakicës, por vetë nuk do të jetë e përfshirë në qeveri.


Duke paraqitur programin e punës të qeverisë së 43-të, zoti Abazoviç vuri në dukje, se qeveria e re do të bazohet në dy shtylla kryesore – shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik.

“Sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik do të jenë dy shtyllat kryesore të qeverisë së re. Ato kanë pesë fusha prioritare të veprimit dhe ato janë: lufta kundër korrupsionit, investime më të qëndrueshme, integrimi në Bashkimin Evropian, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit”, tha zoti Abazoviç.

Zoti Abazoviç, i cili nëse votohet, pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Malit të Zi, tha se vetëm me mirëkuptim të ndërsjellët, respekt dhe gatishmëri për të vënë interesin shtetëror para interesave personale dhe partiake, vendi mund të ecë përpara.

Ndër prioritetet normative të qeverisë ai theksoi “Marrëveshjen për zgjedhjen e bartësve të pozitave më të larta gjyqësore, marrëveshjen për krijimin e organeve dhe institucioneve shtetërore përgjegjëse dhe funksionale në të cilat do të nënkuptohet sjelljet e ligjshme; harmonizimin e legjislacionit në fushën e drejtësisë me standardet e Komisionit Evropian dhe opinionet e Komisionit të Venecias; Ligji për ekzaminimin e origjinës së pasurisë “etj.

Qeveria e re pritet të ketë 18 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Ndërkohë sot, në seancën e paradites, parlamenti zgjodhi Danijela Gjuroviç, nga radhët e Partisë Popullore Socialiste, si kryetare të parlamentit.

Qeveria e re pason atë të ish kryeministrit Zdravko Krivokapiç, i cili humbi votëbesimin në dhjetor të vitit 2020. Rrëzimi i qeverisë pasoi krizën disamuajshe në marrëdhëniet mes parlamentit dhe qeverisë, si dhe brenda vetë qeverisë.