Ekonomia shqiptare ka humbur rreth 50 mijë vende punë gjatë vitit 2020 në krahasim me vitin 2019, situatë e ndikuar më së shumti nga pandemia e Covid-19. Deklarata është bërë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ndërsa foli në Workshop-in XIV të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore.
“Të dhënat e fundit sugjerojnë se pandemia ka goditur fort ekonominë shqiptare, e cila, si pasojë, përjetoi ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto, në dy dekadat e fundit, në -10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020.
Të dhënat makro nga tregjet e punës tregojnë se, krahasuar me fundin e vitit 2019, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, e barasvlershme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%. Si rrjedhim, norma e papunësisë u rrit në 11.9%”, shprehet ai.
Guvernatori vijon se inflacioni në tremujorin e tretë, ra në 1.4%, nga 1.9% në tremujorin e kaluar. “Lajmet për zbulimet e suksesshme të vaksinave kandidate kundër COVID-19, duke shpresuar që dhe të tjera do të jenë të suksesshme në të ardhmen e afërt, sjellin lehtësimin e shumëpritur.
Megjithatë, siç e përmenda më lart, pasiguria mbetet, jo vetëm për sa i përket prodhimit, shpërndarjes dhe suksesit të fushatës së vaksinimit në botën reale, por gjithashtu, për sa i përket formës dhe shpejtësisë së rimëkëmbjes ekonomike dhe financiare, pasi të jetë mposhtur COVID-19”, thekson ai.