Paloka “korrigjon” Bashen: Marreveshja me Ramen s’ka vdekur, te henen nis zbatimi

Kur dukej se marrëveshja Rama-Basha kishte vdekur, demokratët japin shenja jete kur fjala është për reformën zgjedhore. Të hënën aksioni do vihet ne jetë me depozitimin në Kuvend të kërkesës për ngritjen e komisionit ad hock. Marrëveshja parazgjedhore mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ishte përdorimi i teknologjisë në zgjedhjet pasuese pas 2017. Edi Paloka nënkryetar i Partisë Demokratike bën me dije se elektronika është një pikë e panegociueshme. “Reforma zgjedhore do të jetë fokusi kryesor i PD dhe grupit parlamentar. Menjëherë do bëjmë kërkesën për ngritjen e një komisoni ad hock për reformën zgjedhore, një komision i cili ndër të tjera do të ketë si pikë kryesore apo të rëndësishme votimin dhe numërimin elektronik”,- tha ai. Demokratët kanë rënë dakord që llogaridhënia për ministrat e kabinetit të bëhet edhe përmes Kuvendit. Mesohet se Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri janë ministrat e parë që do thirren të raportojnë në komisone parlamentare.
“Përveç kësaj ramë dakord që të thirren disa prej ministrave dhe të kërkohet informacion lidhur me strukturën e re të qeverisë, e cila duket qartazi që nuk është një strukturë që është ngritur për të funksionuar mirë qeveria, por një strukturë që siç e kemi thënë dhe në seancën e parë është ngritur vetëm me dy qëllime: Së pari tu gjejë punë ish-bllokmenëve dhe pinjollëve të bllokut, dhe së dyti të ketë një strukturë sa më të përshtatshme që paratë e shqiptarëve të kalojnë pa shumë problem nga ato të dy ministrave kryesor që do të kontrollojnë paratë e gjithë shqiptarëve, nga xhepat e tyre në xhepin e Edi Ramës”,- shtoi Paloka.
Diskutimi në mbledhje e kryesisë së grupit nuk u ndal vetëm tek kundërshtari politik, Lulëzim Basha kërkoi disiplinë nga deputetët e tij. Kryetari demokrat kërkoi angazhim me kohë të plotë dhe jo të pjesshme. Sipas një kalendari do të përcaktohen ditët për përgatitjen e deputeteve për oponencën në Parlament si dhe ditët e takimit me qytetarët. /balkanweb/