Një kërkesë e palës mbrojtëse ka sjellë shtyrjen e gjyqit për Fadil Kasemin. Avokati ka kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar dosjen në ngarkim të klientit të tij. Nga ana e saj, në seancën e kaluar të gjyqit, prokuroria kishte kërkuar masën më të rëndë për burrin.
Në një kohë kur sot ishte caktuar gjyqi për Fadil Kasemin, i cili akuzohet për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij gjyqtare, ai është shtyrë për një tjetër ditë. Mësohet se pala mbrojtëse ka kërkuar më shumë kohë për të kqyrur dosjen.
Më 27 dhjetor Prokuroria e Krimeve të Rënda dha pretencën për Kasemin i cili vrau gjyqtaren Fildez Hafizi. Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për Kasemin, dënim që duhet ta vuaj në një burg të sigurisë së lartë.
Kujtojmë se gjyqtarja Fildez Hafizi u vra më 31 gusht 2017 nga ish-bashkëshorti i saj. 39-vjeçarja u qëllua me 2 plumba pistolete brenda makinës së saj nga Fadil Kasemi.
Ky duket se ishte fundi i një kronike të paralajmëruar, pasi kërcënimet ndaj saj kishin qenë të vazhduara. Shkak për këtë situatë ishte divorci mes Hafizit dhe Kasemit. Edhe pse kishte marrë një urdhër mbrojtje, gjyqtarja merrte kërcënime të vazhdueshme nga ish-bashkëshorti.