PAKETA ANTISHPIFJE/ Zbulohen draftligjet e qeverisë, gjoba deri në 10 milion por edhe bllokim…

Zbardhen dy projektligjet e qeverisë për paketën antishpifje. Draftet janë hartuar nga qeveria dhe janë në fazën e konsultimit dhe pritet që shumë shpejt të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave.

Nismat në fjalë konsistojnë në ndryshimin e dy ligjeve, atë për mediat audiovizive ku do të futet koncepti i mediave online, si edhe ligji për komunikimet elektronike dhe postare. Në ligjin e parë, atë për ndryshimin e ligjit për mediat audiovizive, janë futur edhe sanksionet që do të bëhen për mediat online që do të publikojnë informacion të pavërtetë. Masat e qeverisë duket të jenë tejet të rrepta.

Ato fillojnë nga gjoba deri në 1 milion lekë, si edhe në mbylljen e aktivitetit të medias online. Konkretisht, ligji parashikon që personat mund të ankohen për lajmin e publikuar në median online. Kjo ankesë e tij shqyrtohet nga Këshilli i Ankesave pranë AMA-s dhe nëse nuk bëhet sqarimi i informacionit të publikuar në bazë kërkesës së ankuesit, merren masat administrative. Këto masa shkojnë nga 100 mijë lekë deri në 1 milion lekë.

Krahas kësaj, gjoba fikse prej 800 mijë lekësh parashikohet kur ankesa e qytetarit nuk merret në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik (OPSHE). Masa tjetër që parashikohet në këtë ligj është edhe pezullimi i aktivitetit të medias online. Nëse një media publikon informacion të pavërtetë deri në tri herë brenda vitit kalendarik, i pezullohet aktiviteti për 24 orë.

Nëse një media publikon më shumë se katër herë informacion të rremë për 1 vit kalendarik, ai pezullohet për 1 javë. Nëse këto shkelje përsëriten më shumë se 5 herë, atëherë aktiviteti i medias online pezullohet për 1 vit.

Ndërsa ndryshimi në ligjin tjetër, atë për AKEP, parashikohet se ky institucion do të bëjë regjistrimin e të gjitha mediave online në mënyrë që të ky treg mediatik të jetë i kontrolluar.

NENET E LIGJIT

Në nenin 132 bëhen këto ndryshime:

1. Në fjalinë e parë të pikës 1, pas fjalëve “… të këtij ligji..”, shtohen fjalët “… me përjashtim të neneve 33/1, 51/1 dhe 53/1 …”.

2. Në pikën 3 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: Kur AMA vëren shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat me ligj vendosin sanksione organet e tjera shtetërore, atëherë ajo njofton këto të fundit. Për shkelje të kryera nga ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike, AMA kërkon nga Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar (AKEP) marrjen e këtyre masave plotësuese:

1. Për OSHPE–të e regjistruara në AKEP:

a) Pezullim/bllokim të aksesit në internet, për një afat 24 orë, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer 3 (tre) kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj;

b) Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat 7 (shtatë) ditor, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative;

c) Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se 5 (pesë) kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.

2. Për ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike që nuk janë të regjistruara në AKEP:

a- Bllokimin e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat 24 orësh, nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej
Këshillit të Ankesave, më shumë se tri herë gjatë një viti kalendarik;

b- Bllokimin përfundimtar/mbylljen e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se katër herë gjatë një viti kalendarik”.

NENI 13

Në nenin 133 bëhen këto ndryshime:

1. Pas pikës 8 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: “Shkeljet e mëposhtme, të kryera nga OSHPE-të, kur nuk përbëjnë vepër penale janë kundërvajtje administrative dhe dënohen:

a) Me gjobë nga 100 000 (njëqindmijë) lekë deri në 1,000,000 (një milion) lekë kur nuk respekton detyrimet e nenit 33/1 të këtij ligji;

b) Me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) lekë kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave apo të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1 të këtij ligji”. /Nga Ervin KOÇI, PanoramA/