
Një situatë e paprecedent po ndodh në Shkodër këto ditë me Orkestrën Simfonike nga Benet Beci dhe shpura e tij e transportuar nga Tirana për të drejtuar kulturën.
Para disa ditësh kemi bërë prezent heqjen e shumë muzikantëve të kësaj orkestre, në mënyrë të fshehtë dhe të pabarabartë, përmes një konkursi aspak transparent nga ana e Bashkisë, ku sot e gjithë ditën nuk janë shpallë fituesit dhe nuk dihet fati i tyre!
Ditën e djeshme në një prononcim të gjatë në media dhe në rrjetin e tij social, drejtori artistik dhe dirigjenti i Orkestrës Simfonike Jetmir Barbullushi, lëshoj akuza të rënda ndaj bashkisë Shkodër dhe Benet Becit, duke deklaruar se e kishin shkarkuar pa e vënë në dijeni! Ai vetë dhe kolegët e tij muzikantë ishin shokuar kur në një video të hedhur nga Benet Beci në rrjetin social facebook njoftonte që kishte emëruar drejtor dhe dirigjent të ri!
Jetmir Barbullushi është emblemë e artit dhe kulturës mbarëshqiptare si dirigjent dhe kompozitor! Të hedhësh baltë mbi figura të tilla, me kontribute të jashtëzakonshme në skena kombëtare e ndërkombëtare, është jo vetëm e turpshme por dhe e pafalshme!
Për 51 instrumentistë u bë audicion (ose gjoja audicion), por ama dirigjenti shkarkohet me Facebook! Në intervistën e tij, z.Barbullushi ka vendosur të flasë gjatë për të treguar të vërtetat e tij që flasin për presione nga administrata e bashkisë mbi artistët dhe vetë atë!
Partia Demokratike i bën thirrje Bashkisë Shkodër dhe Benet Becit të ndalë menjëherë këto stile të vjetra të luftës së klasave mbi artistët shkodran dhe të kthejë në normalitet funksionimin e Orkestrës Simfonike, si aseti më i çmuar që kemi! Ne do të jemi me artistët dhe në mbrojtje të tyre deri në fund. /Deklaratë për mediat e këshilltares bashkiake të PD Shkodër, Gloria SHLLAKU/