ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

“Opozita e re” për t’u qarë me facoletë ose…e blerë…

Ilir Meta mbase duhej të ishte sot pas hekurave. “Blloku i zi 700 ijë” do të ishte i mjaftueshëm si motiv, pa folur për pasojat fatale që sollën 21 janarin. Ilir Meta mbase nuk duhej të ishte as president, për shumë nga “mëkatet” që i  numëroi gati me “oi” Kujtim Gjuzi i Konservatorëve. Ilir Meta mbase duhet të japë dorëheqje për ti kursyer vetes një shkarkim historik (sepse do të ishte i pari) në 30 vite post diktaturë. Ndoshta janë përceptime individuale apo edhe të shumë njerëzve që mendojnë si ne por ajo që nuk mund të vihet në dyshim është se “opozita e re” është për tu qarë me facoletë.

Loading...

Të gjitha fjalimet e kësaj ane të parlamentit, ishin hartime. Pjesa dërrmuese të konceptuara e të shkruara keq, e ajo që mbetej, të dobëta në artikulim dhe në nivelin e klasës së 8-të. Sigurisht, askush nuk e parashikonte se ata do të ishin në Kuvend sepse askush nuk mendonte në 2017-ën se opozita do të hiqte dorë në bllok nga mandatet duke e bërë “detin kos”. Një pjesë e tyre, janë dukshëm të vonuar mendërisht, të papjekur ose thjeshtë lexues të këqinj tekstesh të shkruara nga dikush. Sigurisht, Lulzim Basha nuk mund ti shpëtojë përgjegjësisë për rreshtimin e tyre në lista për “një grush vota më shumë”. Gjynahe ka edhe LSI, por ndryshe nga PD, faji nuk mund ti faturohet Kryemadhit, Vasilit apo Metës. Urimi i vetëm është të kenë zënë mend, nëse do tu jepet mundësia të plotësojnë lista kandidatësh për deputetë.

Deri këtu, jemi tek “forma”, pamja, paraqitja e gjësë. Të flasim për thelbin. Të vetëquhesh apo vetëshpallesh “opozitë e re” është luks. “Zëvendëson” me apo pa të drejtë, një “opozitë të vjetër” jashtë parlamentit duke u distancuar disi edhe nga “mëkatet” e saj. Mund të bëhesh opopencë e opozitës por kurrsesi zgjatim apo bisht i mazhorancës, e cila nuk është se ka nevojë shumë për të. Nuk ka asnjë motiv të vlefshëm moral, përveç…ngrohjes së xhepit. Sepse të gjithë e dinë se asnjëherë, nuk do të mund të jenë më pjesë e parlamentit. Deri sa të bjerë shi i kuq! Sepse “opozita e re” moraliste, nuk ka kuptuar thelbin e politikës se “qëllimi justifikon mjetin” apo “armiku i armikut tim, është miku im”. Në vend që ta përdorin ata, e përdor mazhoranca me deputetë- qesharakë që i zbehin peshën edhe këtij pozicioni shumë të rëndësishëm kushtetues.

Në rastin konkret të Komisionit Hetimor për Ilir Metën, duhej të kishte një qëndrim të plotë e të pastër politik kundër mazhorancës. Shumica e “opozitarëve të rinj” e akuzonin Ramën e mazhorancën për bashkëpunim me krimin, uzurpim të pushtetit, korrupsion etj. Por në fund, bashkojnë votat me ta për të rrëzuar një institucion, i cili mund të konsiderohet “opozitar i pashpallur”, por i është vënë përballë Ramës e mazhorancës. E më shumë, bëhen pjesë e komisionit që do të hetojë presidentin me 4 deputetë.

Facoletën mund ta përdorni për të fshirë lotët nga të qeshurat ose nga dëshpërimi për ata që janë të dënuar të përfaqësojnë një pjesë të shqiptarëve, edhe pse për një kohë jo të gjatë… Më mirë “djepi” bosh se një budallë apo sherr- budallë në të!/ShkodraWeb/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.