ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

OPNION NGA EDMOND TUPJA/ Zeusi mes nesh…

Shpresoj, së pari, që zoti Kryeministër do ta gjejë kohën për ta lexuar me nge Vathin tim të sotëm; së dyti, uroj që jo aq egoizmi sesa egocentrizmi i tij i harlisur do ta vlerësojë faktin që unë po e krahasoj me Zeusin e mitologjisë greke!

Po, po, mos u çudisni fare, o lexuese e lexues me kulturë të kësaj rubrike të përjavshme: Ashtu si Zeusi ishte dikur kryeperëndia e grekëve të lashtë, ashtu edhe Edi Rama është aktualisht Kryeministri i shqiptarëve modernë, ashtu si Zeusi që rrethohej nga një numër jo i paktë perëndish, të cilët dridheshin, përdridheshin e spërdridheshin para e prapa atij, ashtu edhe Edi Rama rrethohet nga një numër jo i paktë ministresh e ministrash që dridhen, përdridhen e spërdridhen para e prapa atij; së treti, në një kohë që kundërshtarët e tij – jo vetëm politikanë, por edhe analistë, opinionistë, publicistë e gazetarë – e kanë cilësuar, ndër të tjera, si monark, autokrat, despot, satrap, sulltan, perandor apo faraon, Edi Rama, thellë në vetvete, ndihet i lumtur e krenar që e krahasojnë me të tilla figura, qoftë edhe të urryera, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë mijëravjeçare të qytetërimit tokësor dhe, jam i sigurt, do të dijë ta vlerësojë bujarisht krahasimin që po guxoj t’i bëj sot me Zeusin e grekëve të lashtë!

Po, Edi Rama, duam ose nuk duam, është Zeusi që ka ardhur midis nesh dhe, ashtu si Zeusi grek banonte në majë të Olimpit (nga lëshonte rrufetë e tij rrënimtare), ashtu edhe i yni banon në Surrel, thuajse majë Dajtit, nga lëshon edhe ai rrufetë e tij të rrufosura; ashtu si Zeusi grek që i shpërblente vartësit e tij të pavdekshëm duke i mbajtur rreth vetes ose i ndëshkonte duke i kthyer në vdekatarë, ashtu edhe Edi Rama sillet sipas qejfit me ministrat e zëvendësministrat, pra, me vartësit e tij, duke i ngritur me pompozitet në pozitë ose duke i ulur po me pompozitet nga pozita, siç ndodhi këto kohët e fundit me disa syresh, nga të cilët njëri, ish-ministër i Brendshëm dhe kanakar i Zeusit tonë, është tashmë në duart e drejtësisë shqiptare.

Gjithsesi, midis Zeusit grek dhe Zeusit shqiptar ka një ndryshim themelor: Kurrë, me sa dihet, i pari nuk i ka cilësuar vartësit e vet si buburrecë, kurse i dyti, duke i konsideruar si të tillë gjithë kundërshtarët e tij pa dallim krahine, feje e ideje, ka lënë të nënkuptojë se asgjë nuk do ta pengonte që t’i cilësonte e t’i shtypte si buburrecë edhe renegatët që mund të dilnin nga gjiri kutërbues i partisë-shtet.

Nga ana tjetër, midis këtyre dy Zeusëve ka gjithashtu një ngjashmëri mbresëlënëse: Zeusi grek, një qejfli femrash i paparë, e tradhtoi të shoqen, Herën, me bukuroshen epshndjellëse Europë, të bijën e mbretit Aginor (sipas zotit Internet, të paktën), ndërkohë që Zeusi ynë mendjen dhe zemrën e ka pikërisht tek Europa, në shtratin e në gjirin e së cilës kërkon të futet me çdo kusht duke i çuar si pajë Shqipërinë tonë të shkalafendur!

Mirëpo, Evropa nazelie i ka vënë Zeusit tonë disa kushte, sepse nuk pranon asnjë lloj paje sa për sy e faqe, kështu që Zeusit shqiptar i ka hasur sharra në gozhdë dhe kjo gozhdë nuk shkulet lehtë, sepse, të paktën sipas opozitës, ajo është gozhda e stërmadhe e korrupsionit, e narkotrafikut, e kriminalizimit të shtetit dhe e plagëve të tjera të shoqërisë shqiptare!

Megjithatë, për ta mikluar Europën, unë do t’i sugjeroja Kryeperëndisë sonë të ndiqte shembullin e grekëve të lashtë: Ashtu si këta, për ta marrë me të mirë Zeusin e tyre të plotfuqishëm, organizuan Lojërat Olimpike për nder të atij, po ashtu gjithë strukturat e Partisë Socialiste, në udhëheqjen sportive të Zeusit të tyre ish-basketbollist, duhet urgjentisht të organizojnë Lojërat Surrelike të tipit surrealist për nder të së lakmueshmes Evropë, së cilës, kushedi, mund t’i prishet mendja e t’i përgjigjet pozitivisht dashurisë së Zeusit tonë duke i hapur rrugën që do ta shpjerë këtë drejtpërdrejt në shtratin apo në qiellin e saj të shtatë, ku ai me siguri do të lumturohet aq sa të harrojë të kthehet në Shqipërinë e tejngopur me praninë e tij fatalisht të padurueshme! /Nga Edmond TUPJA/

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.