Prej 30 vitesh, shqptarët kanë halle të shumta. Halle që nuk i’u ndanë si “ai” pas këpucës që kur Zoti i përplasi mbi këtë tokë. Sepse ndryshe nga popujt e tjerë, ne duket se na ka përplasur dhe jo ulur. E për të “mat” kufijtë e vendit tonë, i’u mbarua filli si për gjithë kombet e tjera e u detyruan të marrin një nga lëkura e…dreqit.
E në mes këtyre halleve pa fund, të këtyre që vazhdojmë të qëndrojmë “të paepur” këtej por edhe të atyre në “botën e lirë” që jo rradhë “hallohen” më shumë se ne, prej disa vitesh na ka kapur ky halli i “çeljes së negociatave”. Statistikat na thonë se vazhdojmë të jemi populli më europëdashës i kontinentit e për këtë, nuk kemi bërë asnjë ndryshim nga parimi “hamë parimet e nuk e shkelim barin” apo ishte ndryshe…
Një pjesë dërrmuese e këtyre europëdashësve shqiptarë, po flas për ata “të botës së lirë”, se ne këtej kur nxjerrim kohën mbi ujin e halleve nuk na del koha as të ngopemi me oksigjen, nuk ia kanë idenë se çfarë është “çelja e negociatave”. E si me ironi, por më shumë seriozisht, u thonë këtyre në mëhallën tonë se “po shpëtoni tash që po ju hapen negociatat, po bëheni më mirë se ne këtej…”. E kur e marrin vesh, ata më shpejt se ne këtu, se të bekuarat negociata nuk do të hapen as këtë tetor, edhe pse data është afër një dite “të shënuar” për ne shqiptarët, kanë gati përgjigjen “hajt mos u mërzisni, do të hapen…” dhe natyrisht nuk e kanë një përgjigje.
Mund t’ju duket e pabesueshme, por me një mik që nga koha e shkollës (pra të saktë e pa hile në shoqëri), shpesh në këto linja rrëshqet biseda. Natyrisht ato pak minuta pasi kemi mbytur reciprokisht njeri- tjetrin me halle. Po aq shume halle sa unë i them “hajde këtej nëse të duket mirë” e ai miku ma pret “po më garantove pjatën e makaronave, një shtëpi dhe një punë që e kam këtej…”.
E morali? Shpesh përpiqem ta gjej. E nuk ka të bëjë thjesht me hallet e shqiptarëve, këtej e andej kufirit. Nuk ka të bëjë thjeshtë me me përjetimin e dy personave që shumicën e “politikës së lartë” e bëjnë përmes celularit nga dy anët e Adriatikut. Gjithmonë, duke u kujdesur që të komunikohet me internet se është më lirë…
Pak a shumë, kështu është edhe Shqipëria përballë Bashkimit Europian (BE) ose anasjelltas. Shqipëria ka shumë halle, nga më elementarët, edhe në kufijtë e mbijetesës. Por edhe BE-ja ka jo më pak halle, edhe ajo në limitet e mbijetesës si shtet i përbërë nga 28 shtete, të gjithë të pavarur dhe po të gjithë, zotër për të vendosur edhe për fatet e shteteve të tjera që duan të bëhen pjesë e “familjes”. E si ndodh me shqiptarët, në marrëdhënie me njeri- tjetrin, me miqtë e të njohurit edhe jo shqipfolës, në të njëjtat pozita është edhe BE-ja me SHBA- në, Kanadanë, Britaninë e Madhe tani por edhe të tjerë. Madje, Shqipëria dhe BE-ja “unifikohen” më shumë në “fatin” e tyre edhe nga diçka tjetër, që të gjithë e dimë e pakkush e thotë: Ankthi për të ardhmen! Ndërsa ne shqiptarët endërrojmë vendin tonë në BE, vetë BE është në dilemë për ekzistencën e saj në vitet që do të vijnë e kur fryma anti-europiane edhe në parlamentet e shteteve por edhe në atë të Europës po rritet jo pak. Europa asnjëherë nuk arriti të kthehej në qendër të Botës dhe as Shqipëria në qendër të Europës.
Deri në takimin e rradhës për “fatin” e çeljes së negociatave, me këtë mikun tim mund të vazhdojmë të flasim për shumë çeshtje. Si në Shqipëri, ashtu edhe në BE, nuk do të mungojnë. /Nga Blerti DELIJA/