
Edhe ditën e sotme, kryeministri Edi Rama aludoi për ndërhyrje të individëve/grupimeve të huaja në organizimin dhe ecurinë e protestës 22- ditore në Shqipëri. Me konceptin e para 1990- ës, kjo do të konsiderohej gati- gati e pabesueshme por me atë që ka treguar 36- vjeçari i fundit, duhet të jetë shqetësim konkret për sigurinë kombëtare.
Në çdo vend të botës, është normale, madje e shëndetshme të ketë protesta qytetare për çeshtje me ndjeshmëri publike. Kështu ka ndodhur thuajse në çdo vend demokratik dhe në Shqipëri, e njëjta gjë tash 36 vjet, nga 1990 e këtej. Të udhëhequra nga opozita apo nga grupime qytetare, janë shprehja më normale e vlerave demokratike të një vendi.
Të paktën sipas kryeministrit të vendit, këto 22 ditë protesta, nuk po ecin në të njëjtën hulli. Rama ka deklaruar zyrtarisht ndërhyrjet nga Irani por edhe nga individë/grupime nga vende fqinje si Greqia apo Mali i Zi. Natyrisht, një kryeministër nuk mund të jetë aq i papërgjegjshëm sa të bëjë deklarata të pabaza apo aq më keq, të rreme.
Deklaratat publike, të përseritura, janë në vetvete shprehje e qartë e cënimit të integritetit shtetëror të Shqipërisë. Nëse janë për “konsum publik”, atëherë janë një motiv më shumë që mund ti shtohen protestave të 22- ditëve pandërprerja dhe masive, si kurrë më parë. Aq më shumë, nëse në ballë të ndërhyrjeve është Irani, ai nuk është më vetëm problem i Shqipërisë por edhe i NATO- së, pasi vendi ynë është pjesë e Aleancës në të gjitha kuptimet, edhe territoriale.
Heshtja e deritashme e presidentit të Republikës Bajram Begaj, në vazhdën e mosreagimeve të tij edhe për çeshtje të tjera shumë të rëndësishme, mund të konsiderohet si “qendrim mbi palët”, aq më shumë kur protesta kërkon “të fshijë” klasën aktuale politike, pjesë e të cilës prej më shumë se 4 vitesh, është edhe ai.
Në kontekstin e deklaratave publike të përsëritura të kryeministrit për ndërhyrje nga jashtë, betejë në Shqipëri kundër presidentit të SHBA- së, Trump, presidenti Bajram Begaj, duhet ta thyejë heshtjen. Aq më shumë, si një ish- ushtarak madhor, edhe pse me profesion mjek. SHBA- të janë lideri i padiskutueshëm i NATO- s, aleati shekullor i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe lejimi i shfrytëzimit të territorit shqiptar për betejë kundër tij, na bën fajtorë dyfish.
Në këto kushte, më e pakta që mund të bëjë presidenti Begaj, është thirrja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të shqyrtuar situatën, marrë informacionet dhe në varësi të tyre, me ndërveprim me aleatët, fillimisht SHBA- të, të ndërtohet një strategji veprimi, kundërpërgjigje. Nga ana tjetër, agjencitë e specializuara, të cilat besojmë se vazhdojnë të punojnë për sigurinë kombëtare, duhet të japin shenja, edhe publike të suksesit të punës së tyre. Ndoshta jo zyrtarisht, por siç ëeshtë vepruar edhe në raste të kaluara, përmes “rrjedhjes pa dashje” të informacioneve. E gjithë kjo, edhe në kuadër të antarësimit të Bashkimin Europian, i cili sigurinë e tij, e ka tashmë zyrtarisht prioritet absolut.
E gjithë kjo mund të bjerë poshtë, dhe deri tani, në mungesën e thirrjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, bie poshtë. Pra, sipas kësaj “heshtje” të institucioneve dhe presidentit Begaj, nuk ka kërcënim apo cënim të sigurisë kombëtare. Por sërish kreu i shtetit duhet të reagojë. Aq më shumë se i ka mbetur më pak se një vit nga përfundimi i mandatit presidencial dhe vështirë të rizgjidhet, sepse nuk ka ndodhur asnjëherë, me përjashtim të rastit të Sali Berishës që u zgjodh për herë të dytë gjatë trazirave të 1997- ës por u largua pas disa muajve. Nëse përceprimi i shumëkujt është ai i vasalit të kryeministrit Rama, në këto muaj që kanë mbetur, Begaj duhet ti tregojë të kundërtën shqiptarëve. Sidomos kur në “lojë” është siguria kombëtare. Nëse është vërtetë domethënë… Sepse siguria kombëtare nuk mund të përdoret si argument për të dekurajuar/sulmuar protestat dhe protestuesit… /Nga Sokol N. SOKOLI/




