OPINION – Yjet që po i shuhen Shkodrës dhe vendet që po mbeten bosh në panteonin e artit shqiptar…

Edhe sot u shua një tjetër yll. Paulin Preka, mjeshtri i madh i humorit (jo për shkak të titullit presidencial), nisi rrugëtimin në një jetë tjetër. Pjesë e plejadës së papërsëritshme të artit shkodran e shqiptar, Paulin Preka lë një boshllëk që vështirë të mbushet në shumë e shumë vite që do të pasojnë.

E kështu, vit pas viti yjet po shuhen. Një pjesë e tyre, për shkak të efektit moshë e shumë të tjerë, për shkak të të papriturave të jetës që klasifikohen si sëmundje. Qielli po errësohet vazhdimisht në sytë tanë ndërsa atje lart, në atë që duhet jeta e pertejme, numri i yjeve po shtohet.


Këto 30 vite, jemi dëshmitarë të largimit të atyre që shënjuan ato pak çaste të këndshme gjatë viteve të errëta të diktaturës komuniste. U rritëm me humorin e tyre, guxuam të qeshim duke u munduar të lexojmë pas fjalëve të tyre të guximshme edhe në diktaturë, kënaqeshim edhe këto tri dekada me batutat e tyre tashmë të çlirta nga dogma.

Ikje si ajo e sotmja e Paulin Prekës, janë të pamëshirshme. Janë dëme të pariparueshme për humorin e artin në përgjithësi. Janë vende që mbeten bosh e askush nuk ka guximin ose talentin të bëjë një hap para për ti zënë. Këto vite kemi prodhuar pafund këngëtarë, instrumetistë, futbollistë, sportistë që po na bëjnë të ndjehemi krenarë edhe përtej kufijve. Por akoma nuk kemi identifikuar një zëvendësues për Tano Banushin, Paulin Prekën, një pasues të denjë të Zef Dedës, Zyliha Milotit, Besnik Çinarit e Gëzim Krujës.

Ata që kanë lindur apo “kanë zënë mend” pas vitit 1990, këto radhë mund ti lexojnë thjesht e vetëm si të një nostalgjiku. Një personi që akoma qesh me batutat e Tano Banushit, Paulin Prekës, Zef Dedës. Mbase kanë të drejtë, edhe nostalgjia ka pjesën e vet padyshim. Sepse realisht, edhe humori dhe kuptimi për të, fatkeqësisht ka ndryshuar…për keq, sipas opinionit tim të paktën. /Nga Blerti DELIJA/