OPINION – Vllaznia nuk ka nevojë që thjesht të shitet e të shkojë në duart e dikujt, s’ka rëndësi se kush…

Ditët e fundit nëpër media jemi njohur me një vendim të Këshillit të Bashkisë Shkodër, i cili i hapte rrugë procedurës së privatizimit të KF “Vllaznia”. Një vendim i tillë është pritur me entuziazëm nga sportashësit e shumtë të këtij ekipi, të cilët me privatizimin e klubit shohin edhe zgjidhjen e problemeve të rezultateteve sportive. Pse nuk është i lehtë një privatizim i suksesshëm:


1. Çmimi fillestar për blerjen prej 57 milionë lekësh, çfarë përfshin? Cilat janë asetet dhe detyrimet? Një detyrë e vështirë për administratën e Bashkisë që do të përgatisë dokumentacionin e ankandit. Klubi nuk rezulton të ketë në pronësi të tij fusha stërvitore, palestra apo stadium. Nëse vihet në shitje emri, duke patur parasysh historinë e shoqërisë sportive më të vjetër shqiptare, a ka çmim kjo?!

A rrezikojmë që pronar i saj të vijë një individ që nuk e lidh asgjë me emrin dhe as me traditën Vllaznisë, e cila është një trashigimi e paçmim që i përket gjithë shkodranëve. KF “Vllaznia” në të ardhmen mund të ndryshojë emrin, simbolet, ngjyrat, apo mund të tjetërsohet dhe zhbëhet krejtësisht me vullnetin e pronarit që do të ketë të drejta të plota, apo pa vullnetin e tij nëse ai falimenton. Nëse gjehet forma ligjore të privatizohet me kushte aktiviteti dhe pjesëmarrja në aktivitet futbollistike kombëtare dhe ndërkombëtare (administrimi), çmimi dhe detyrimet janë një peshë që vështirë të afrojë investitorë seriozë.

2. Mbi 120 milion lekë në total detyrime tatimore dhe palëve të treta do të shlyhen nga fituesi i ankandit apo jo? Nëse jo, nga kush? Nëse po, atëherë i bie që realisht çmimi fillestar i ankandit të jetë mbi 176 milion lekë.

3. Në garën që do të zhvillohet do të njihen apo jo investimet e realizuara nga sponsorë të ndryshëm gjatë viteve? Nëse po, si do të njihen ndërsa shpenzimet janë realizuar kryesisht informale me para në dorë të paprovueshme nëpërmjet faturave tatimore, pasi edhe statusi juridik i sponsorëve gjatë viteve në klub ka qenë i papërcaktuar edhe për mangësitë e legjislacionit për sportin?

4. Kriteret e garës, përveç çmimit më të lartë të ofruar në blerje, janë shumë vështira të vendosen për të mos u konsideruar diskriminuese nga autoritet që mbikëqyrin garën, përkatësisht Komisioni i Prokurimit Publik. Kjo për faktin se kritere që lidhen me shoqëri të specializuara në administrim sportiv nuk ka që janë në tregun shqiptar. Pra, i bie që gara të jetë e hapur për çdo person fizik apo juridik që ofron para. Kjo ka rrezikun tjetër pasi klubi mund të bie në dorën e aventurierëve që mund të kenë para të fituara në mënyra të ndryshme.

5. Së fundmi, por jo nga rëndësia, investitori duhet të ketë të lira për tu shpenzuar rreth 3 milion euro vetëm gjatë vitit të parë (duke shpresuar që më pas klubi të futet në tregun e futbollistëve, marketing dhe forma të tjera të ligjshme fitimprurëse). Këta para përfshijnë blerjen e klubit dhe shpenzimet për një sezon me kontratat e futbollistëve dhe të tjera administrative. Të paktën në Shkodër janë shumë të rrallë individët dhe bizneset që disponojnë shuma të tilla, e aq më pak që duan t’i hedhin për futboll.

ShkodraWeb Channel


Nëse pastaj flasim për kompani të fuqishme ndërkombëtare, që mund të afrohen në garë, kjo duket tepër e vështirë. Pasi këto kompani ecin me plane të detajuara biznesi dhe lundrojnë kryesisht në tregje të mëdha ku kanë intetesa marketingu. Në një vend të vogël si Shqipëria, një skuadër futbolli, duket krejtësisht e pamundur të jetë në fokusin e tyre.

Gjithë sa shkruajta nuk është se jam kundër privatizimit, përkundrazi e vlerësoj të domosdoshëm një proces të tille. Nga ana tjetër, duhet të vlerësohet mirë se çfarë po privatizohet dhe kush do e privatizoje. Një ditë të bukur mund të ndodhemi si me rastin e bustit te Skëndërbeut në Prizren që autori i tij na doli se ishte një berber. Vllaznia nuk ka nevojë që thjesht të shitet e të shkojë në duart e dikujt, s’ka rëndësi se kush… /Nga Florian BIANKU/

ShkodraWeb Channel