Nga Blerti DELIJA
Sapo ka përfunduar java e 20- të e Superligës e bashkë me të, edhe gjyqi për Vllazninë. Gjyq për këto 5 javët e fundit por edhe verdikte të tipit “jemi aty ku jemi rastësisht”, “nuk e meritojmë vendin që kemi”, “lamtumirë kampionat e kupa europe” etj.
Çdokush ka të drejtën të japë opinione, edhe publike, edhe pa qenë specialist e njohës i futbollit. Sidomos kur flasin me zemrën kuqeblu. Deri para pak javësh Brdariç, Plori, futbollistët e sidomos Xhaferi, ishin heronjtë e padiskutueshëm, ata që po realizonin ëndrrën e shumëdëshiruar nga të gjithë ne. Një Vllaznia që për herë të parë në 10 vjet, nuk lëkundet apo përpëlitet për mbijetesë.
Nuk jam e nuk pretendoj të jem specialist futbolli, as edhe tifoz nga ata që nuk lënë ndeshja pa ndjekur në tribunë brenda e jashtë Shkodrës. Por pavarësisht kësaj, disa gjëra mund të përceptohen lehtë.
Vllaznia po kalon një moment jo shumë të mirë. Vazhdojmë të jemi të parët, por tashmë Partizani është vetëm 4 pikë larg nga ne dhe kalendari për Vllazninë nuk është aspak i lehtë. Ekipi nuk po funksionin si grup i konsoliduar, ndoshta për shkak të dëmtimeve, kartonave apo ndonjë gjë tjetër që nuk ka dalë akoma në ajër. “Hirushja” e kësaj Superlige, ka pësuar një transformim. Mbase për shkak të lodhjes së akumuluar, një stoli që nuk ofron shumë ose…për shkak të vetëkënaqësisë së parakohshme. Për temën e “dashamirësisë” së Federatës e arbitrave, as nuk ia vlen të diskutohet. Shkurt, ësjtë një moment “JO” i skuadrës, siç i ndodh çdo ekipi, në çdo kampionat të botës.
Klubi, strukturat e tij teknike, besoj se kanë bërë e do të bëjnë analizat e duhura, edhe pas barazimit të sotëm me Skenderbeun e mbijetesës por me emër të madh e me lojtarë që meritojnë vlerësim. Duhet reagim, shkundje shumë shpejt, sepse në ndeshjen e radhës kemi përballë Tiranën e etur për pikë.
Një rol shumë të madh, kemi edhe të gjithë ne, qoftë edhe për një postim në rrjete sociale. Kjo Vllazni, Vllaznia jonë, ka nevojë për mbështetje pa kufi, pa kushte dhe të qendrueshme, deri në fund të Superligës. Mbështetje që duhet bërë të ndjehet, të shprehet, të shpaloset me të gjitha mënyrat.
Sot, të gjithë pretendojmë nga Vllaznia jonë titullin kampion, Kupën e pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Por në start të këtij sezoni, askush nuk guxonte as ti ëndërronte, aq më pak ti artikulonte me fjalë siç ndodh sot. E merita është e këtij grupi, e këtyre drejtuesve, nëse sot guxojnë të ngrejmë zërin se përse Vllaznia jonë po rrezikon të mos shpallet kampione. Koha e “tradhtarëve”, e “Hamzave”, e “gjyqeve në mungesë” për Vllazninë, nuk është sot. Vllaznia e ka fituar kampionatin e vet, ta ndihmojmë, ta mbështesim të fitojë edhe kampionatin tonë!
Forca Vllaznia!