Janë të paktë tifozët e Vllaznisë që sot nuk janë në ankth. Nuk flas vetëm për shkodranët e veriorët por edhe për ata që brenda e jashtë vendit, janë të dashuruar me ngjyrat kuqeblu. E kjo nuk vlen vetëm për tifozët e futbollit sepse Vllaznia është shumë më shumë se futbolli…
Këtë sezon që po mbyllet, pak kush e mendonte se 90 minuta nga fundi, do të ishim në garë për dy trofe: Superligën dhe Kupën e Shqipërisë! Gjatë këtyre javëve, barometri ynë ka qenë Vllaznia. Oshilacionet, ulje- ngritjet, fitoret, barazimet e humbjet, kanë ndikuar pulsin tonë.
Nuk kemi kursyer lavdërimet, nuk kemi kursyer as sharjet. Dikush me zë e në stadium, të tjerë në shtëpi apo kafe e dikush tjetër, vetëm me zë koke. E kemi bërë sepse jetojmë me ju, me nevojën jo thjesht për një apy dy trofe. E kemi bërë për të treguar se Shkodra dhe Vllaznia janë e njëjta kala, se Rozafati vazhdon ti ketë themelet e forta.
Që kur historia e krijoi, Shkodra ka patur dy kala që asnjëherë nuk u pushtuan nga askush: Humorin e futbollin! Kanë ecur paralelisht, kanë gëzuar e vuajtur bashkë edhe në momentet më të vështira. Nuk është rastësi që ndër kryetifozët kanë qenë gjithmonë aktorët e humorit, shkrimtarët e humorit, artistët e këtij qyteti.
Vllazni! Ti e ke fituar kampionatin tënd. U nise pa u ndjerë në këtë rrugëtim, vertetë si një “Hirushe”. Tregove se futbolli e ka akoma “adresën” e tij parësore në Shkodër, se ky qytet vazhdon të ketë djem që nuk ngurrojnë të të japin dorën për tu ngritur aty ku historia të njohu. Nuk është krejt rastësi që titulli kampion mund të jetë shkodran o më së paku, me aromë Shkodre. Nga Shkodra në Durrës, kjo aromë është e pranishme.
Vllazni! Sot ne presim të ndodhë mrekullia. E dimë se nuk ndodh shpesh, por ne vazhdijmë të besojmë tek mrekullitë. Atje lart në qiell janë me qindra shpirtra legjendash të topekëmbës që bëhen aureolë sot, “futen” në trupin dhe zemrën e 11 djelmoshave që do të zbresin në fushë. Me pasaporta të ndryshme, por të gjithë shkodranë sepse kanë pirë ujin tënd.
Vllazni! Sot nuk e ke gjithçka ti në dorë. Për fajin tond por edhe tonin bashkë me ty. Sepse kështu ka qenë dhe do të jetë gjithmonë: futbollistët nuk janë asnjëherë të shkëputur nga tifozët në këtë qytet!
Sot presim që Moxarti i futbollit shqiptar, Vllaznia, të bëjë një interpretim fantastik, me violinën që si ajo, nuk e luan askush. Të paktën këtë sezon, sepse keni qenë dhe jeni më të mirët. E nëse mrekullia ndodh, atëherë ky qytet… Të kryqëzojmë gishtat! Forca Vllaznia jonë! /Nga Blerti DELIJA/