
Parada e pozicionimeve të të ashtëquajturëve personazhe VIP në Shqipëri, vazhdon dhe sipas gjasave nuk do të ndalet deri me 25 prill. Njëri pas tjetrit shfaqen në krah të eksponentëve të kësaj mazhorance qeverisëse duke deklaruar me superlativa “parajsën” që i ka ofruar shqiptarëve qeverisja e 8 viteve të fundit. Janë të paktë ata që nuk e kuptojnë se këto VIP- a përdoren si “magnet” për qytetarët, simpatizantë të tyre, në fusha të ndryshme, kryesisht si arti e sporti.
Mund të numërohen me gishtat e duarve ata që nuk e dinë se deklarimet e tyre pro mazhorancës qeverisëse, nuk i bëjnë gratis apo se janë të bindur që kjo qeveri e ka bërë mirë punën e saj. Nga zarfet e deri tek bonuset e tjera, të gjitha të padukshme, janë kostoja që duhet paguar nga qeverisja për të marrë kreditet publike të VIP- ave. Po pse, kaq budallenj i dinë shqiptarët?!
Nuk ka nevojë për shkollë të lartë apo shumë “mend e kalem” për të gjetur të vertetën. Analiza bëhet thjeshtë e lehtë. Merrni e shikoni apo lexoni premtimet e kësaj qeverisjeje në 2013-ën, atëherë kur mori mandatin e parë. Kthehuni vetëm katër vite pas, bëni të njëjtën gjë për premtimet e dhëna në vitin 2017, kur kërkoi dhe mori “timonin” i vetëm si kryeministër fuqiplotë Edi Rama. Nëse dëshironi, bashkoni të gjitha premtimet në një dhe verifikoni sa prej tyre janë realizuar. E kjo nuk është propagandë, është thjeshtë lexim për të nxjerrë një konkluzion. E ku i gjeni informacionet e nevojshme? Mjafton të kërkoni në internet. Është e vështirë disi sepse janë fshirë nga portalet thuajse të gjitha linqet e programeve elektorale, por përsëri së paku “grimca” të tyre do të gjeni.
Shqiptarët nuk janë budallenj! Nëse këto 8 vite do të ishin mbajtur premtimet, të paktën pjesa më e madhe e tyre, Edi Rama nuk do të kishte nevojë të bënte asnjë ditë fushatë. Kryeministri nuk do të harxhonte minutat e tij në rrjete sociale e media për të anatemuar e bullizuar opozitën e eksponentët e saj. Por përsëri, pavarësisht se nuk mund të bëjë një bilanc të suksesshëm të asaj çfarë ka premtuar përgjatë 8 viteve, kjo mazhrancë kërkon një mandat të tretë radhazi. E pse duhet t’ia japin shqiptarët këtë mundësi Edi Ramës?!
E për të bindur shqiptarët, ai u vë përballë personazhe VIP që të mund të përfitojnë ndonjë votë nga admiruesit e tyre. E këto personazhe VIP, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse biznes me imazhin e tyre. Marrin miliona kur kanë nevojë për ndonjë “projekt” ose papritur e pakujtuar, bëhen pronarë vilash e biznesesh që mbijnë nga hiçi. Sepse kjo është gjetje e propagandës, demagogjisë apo shplarjes së trurit të një populli të tërë.
“Një gënjeshtër e thënë një herë mbetet një gënjeshtër, por një gënjeshtër e thënë një mijë herë bëhet e vërtetë”. Është një shprehje që i atribuhohet shefit të propagandës naziste Jozef Gëbels. E reja e kësaj strategjie në Shqipëri, është përdorimi i personazheve VIP për ta realizuar atë. Sepse genjeshtrat e thëna nga gojët e eksponentëve të kësaj mazhorance, edhe po të përsëritet një milion here, nuk mund të bëhet të verteta për qytetarët shqiptarë. E një pjesë e këtyre VIP “magnetëve” të riaktivizuar, janë recitivistë, duke kapërcyer nga një anë e ylberit në tjetrën, sigurisht në varësi të ofertës dhe leverdisë së tyre të momentit. /Shënim i ShkodraWeb Media/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!