OPINION – Vertetë kemi Bajram e Pashkë por Shqiptarinë e kemi bashkë…

Kjo është frazë e Homerit të Shqipërisë, Gjergj Fishtës e jo e paqëllimte ishte përdorimi i saj në këtë natë. Pashkët në izolim e bota e gjunjëzuar para një virusi që erdhi si përbindësh mbi planetin tonë për të gllabëruar gjithkënd që i del para. Virusi me emrin korona bëri atë që as dy luftëra botërore nuk e bënë dot.

Po na mban larg njerëzve të dashur, larg punës, larg miqve, larg kolegëve, larg përqafimeve që deri para sa të vinte korona kishim thënë që nuk mundemi pa ato, por ja që njeriu qenka qenia më e çuditshme, mundet pa atë që e kishte emëruar të pamundur, ngrihet edhe kur fundoset, fluturon edhe kur balta mbi shpinë i peshon shumë, ia del edhe kur jeta duket e gjunjëzuar, edhe kur korona mban peng përditshmërinë, ia del sepse shpreson.


E duke shpresuar, frymon…jeton.

Pashkët janë ringjallje, shpresë e gërshetohen me lutjet për një të ardhme më të frytshme. Këto Pashkë duket se erdhën ndryshe, ashtu si nuk do donim të vinin kurrë.

Tavolinat mbase do të jenë bosh, pa miq e shokë që festojnë bashkë, sepse në këtë këndvështrim korona ia doli të na distancojë, por jo të ndajë. Jemi të gjithë bashkë të bashkuar si kurrë më parë në lutjen e përbashkët që bota të gjejë qetësi prej virusit vde kjeprurës.

Jemi bashkë, myslimanë e të krishterë, këtë vit jo për të shkëmbyer vezën, simbolin e Pashkës, por për të uruar në një zë, në një fjalë, në një shpresë. Asgjë nuk mund të jetë bosh, kur zemrat rroken prej së largu me dashuri.

Asgjësimi nuk i përket shpirtrave që ëndërrojnë, shpresojnë, kanë besim dhe ia dalin në fund. Le të shërbejë kjo festë, si festë e popujve për ringritje. Le t’i lyejmë të gjithë bashkë vezët me ngjyrat më të ylberta të jetës. E gjithë këtë kohë të padashur t’ia lëmë t’i përkasë së shkuarës. /Nga Elsa SULA, dërguar për botim në ShkodraWeb Media/