OPINION – Vaksinimi i VIP- ave ose kur kryeministri i vendit merr “kompetencat” e Zotit, kush meriton të jetojë e kush jo…

Nga Blerti DELIJA

Sot ka nisur ai që është konsideruar nga kryeministri i vendit si “vaksinimi i personaliteteve” të Shqipërisë. Emra të njohur të artit, jetës publike dhe politikës, me moshë të avancuar +70 apo +80 vjeç, kanë nisur të tubohen pranë stadiumit “Air Albania”. Zgjedhja e vaksinimit të VIP- ave, është e kryeministrit Rama. Në pamje të parë, është e mirëkuptueshme. Shumë syresh, kanë dhënë nga vetja për publikun që i ka duartrokitur përgjatë dekadave. Të tjerë, të jetës publike e politike, kanë kontribute të njohura, natyrisht të diskutueshme, por që gjithsesi i kanë.


Problemi në fakt, është tjerakund. Përzgjedhja e VIP-ave për tu vaksinuar të parët, nuk është asgjë më shumë se një tjetër provë e dështimit të kryeministrit të vendit për sigurimin e vaksinave. Paaftësia në këtë proces të rëndësishëm, i lidhur direkt me jetët e njeriut, e ka vendosur Edi Ramën në rolin e “Zotit”: Ai vendos kush duhet të mosrrezikojë e kush jo, kush duhet të jetojë e kush jo, nëse fatkeqësisht takohet me virusin.

Nëse në Shqipëri do të vinin 600 mijë vaksina, nuk do të kishte nevojë për përzgjedhje. Nëse qeveria do të kishte planifikuar fondet e duhura, qoftë edhe duke iu pezulluar PPP-ve, sot nuk do të ngjallej gjithë ky reagim në vend.

Kush është Edi Rama të vendosë se jeta e një lypsi 80 vjeçar, ka më shumë vlerë se ajo e një personaliteti të skenës a politikës? Kush e vendos nëse bën më shumë dëm apo lë më shumë dhimbje pas me ikjen nga kjo botë, një mësues 80 vjeçar apo një ish- kryeministër, ish- president apo ish- ministër i kësaj moshe?

Në fakt, kriteri “personalitete”, sidomos në Shqipëri është subjektiv. Kush cilësohet personalitet në këtë vend? Ata që kanë një dekoratë nga presidenti, kryeministri, ministri? Ata që i përcakton kryeministri dhe stafi i tij? Ata që kanë kontribute e vlera të evidentuara para apo pas vitit 1990? Sepse me këtë logjikë, i bie të futen tek “personalitetet” edhe ish- antarët e Byrosë Politike (nëse ka të mbijetuar akoma), ish- antarët e ish- kandidatët e KQ të PPSH- së, ish- kryegjykatësit e ish- kryeprokurorët, ish- sekretarët e parë të PPSH- së në rrethe, ish- sekretarët e KQ të BRPSH- së (rinisë komuniste), ish- drejtuesit e lartë të ushtrisë e të policisë, madje edhe të ish- Sugurimit të Shtetit. Sepse me logjikën e kryeministrit të vendit, të gjithë kanë kontribute, i kanë shërbyer shtetit (komunist) dhe qytetarëve, duke zbatuar ligjet në fuqi të kohës (diktaturës).


Të gjithë kemi në familje apo farefis gjyshër, nëna, baballarë, të afërm me moshë +70 apo +80. Ndoshta nuk janë personalitete publike, por janë më të shtrenjtë se të gjitha personalitetet publike të këtij vendi e botës mbarë. Një qime floku e tyre, e rënë pa dëshirën e tyre, ka më shumë vlerë për të afërmit e tyre se të gjitha çmimet e marra në jetë nga të gjithë aktorët, artistët e politikanët e këtij vendi e mbarë botës. Nuk besoj se ka njeri në këtë vend që të shprehet i kënaqur që X politikan apo Y aktor, të vaksinohet para gjyshes, nënës apo babait të moshuar që ka në familje e farefis.

E për ti mbyllur këto pak rreshta, edhe kjo e vaksinimit “pa radhë” të VIP- ave, nuk është asgjë më shumë se gjetje propagande në prag të 25 prillit. Edi Rama mendon se do të ngjallë ndjeshmërinë e publikut të gjërë për figura të shquara të artit, jetës publike a politike. Në përceptimin e parë, mbase ka të drejtë. Por askush nuk do të “lëshonte radhën”, duke nxjerrë një VIP para gjyshit, nënës apo babait të moshuar që ka në familje. Aq më tepër para një rreziku siç është ky virus i çmendur! Për kryeministrin e vendit, me shumë mundësi kjo “gjetje propagande”, do të ketë efektin boomerang!

ShkodraWeb Channel

© ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Channel