
Dorëheqja e beftë për kohën por e paralajmëruar më herët e rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, nuk mund të shihet vetëm si një veprim individual. Pikë së pari, është zgjedhje e detyruar, deri në revoltë ndaj një sistemi të kalcifikuar edhe brenda këtij institucioni të arsimit të lartë publik, të paktën prej 20 vitesh.
Ata që e njohin nga afër, kanë komunikuar me të, e dinë se Tonin Gjuraj e njihte mjaft mirë situatën brenda UNISHK dhe shpresonte të niste një proces shëndoshjeje, i cili me gjasë, nuk mund të kryhej as brenda një mandati 4- vjeçar si rektor. “Traditë, transparencë, transformim” ishte motoja e zgjedhur për fushatën e tij për pozicionin e rektorit të UNISHK.
Të gjithë jemi dëshmitarë që fushata e Gjuraj nuk ishte e lehtë. Nga grisjet e posterave deri tek cic- micet e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve, vonesat në proceset e vendimmarrjes edhe pas përfundimit të votimit, treguan edhe njëherë se Gjuraj nuk do ta kishte aspak të lehtë as ushtrimin e detyrës së tij për të përmbushur objektivat.
Me marrjen e detyrës, ai instaloi transparencën maksimale, duke nisur nga komunikimi rigoroz në hapje të mbledhjeve të Senatit por edhe për çeshtje të tjera, ku asnjëherë nuk refuzoi ftesat për intervista apo dalje teëevizive. Nga ana tjetër, në bashkëpunim me qeverisjen vendore, ai nisi transformimin e infrastrukturës, nga ndërhyrjet në godina dhe ambjentet rrotull.
Po ashtu, në cilësinë e nënkryetarit të Konferencës së Rektorëve, Gjuraj kërkoi zyrtarisht, më shumë vëmendje për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke arritur deri në kërkesën për një kampus universitar, artikuluar publikisht disa herë, edhe në praninë e ministres së Arsimit.
Gjatë kësaj periudhe, ai bëri përpjekje maksimale edhe për të sensibilizuar maturantët që të zgjedhin UNISHK për studime. Ka organizuar qindra takime në gjimnaze dhe shkolla të mesme, jo vetëm në qarkun e Shkodrës por në të gjithë Veriun e vendit. Në nisje të vitit të kaluar akademik, u frenua rënia e numrit të studentëve, duke patur një rritje, edhe pse e vogël. Këtë vit akademik që pritet të nisë, synohej përmirësimi i numrit të studentëve, sërish pas tureve njohëse dhe sensibilizuese me maturantët brenda e jashtë Shkodrës.
Muajt e fundit, siç e ka parë i gjithë opinioni publik, rektori Gjuraj u përfshi në një përplasje jo të lehtë me Bordin e Administrimit, i cili sipas numrit 1 të UNISHK, po vepronte në shkelje të ligjeve, statutit dhe rregulloreve të këtij IAL- je. Në shkresën e dorëheqjes, drejtuar ministres së Arsimit Mirela Kumbaro Furxhi, rektori Gjuraj e tha qartë dhe shqeto: “Unë kam autoritetin dhe të drejtën, por jo forcën për të kundërshtuar më tej BA, kurse ata, të gjithë së bashku, kanë forcën, por jo autoritetin dhe të drejtën për t’u imponuar”.
Tek pjesa e padukshme për opinionin publik, rregullisht rektori Gjuraj është sulmuar dhe anatemuar edhe nga brenda UNISHK, sidomos përmes komunikimeve elektronike në grup, duke tentuar ta intimidojnë në detyrën e tij. Ka patur raste, kur edhe nga jashtë universitetit, madje edhe nga “bota e errët”, kanë ardhur mesazhe të qarta, deri në nivele kërcënuese.
Për gati 1 vit e 9 muaj, Tonin Gjuraj është përballur me shumë beteja, pjesë e një lufte që ai kishte nisur për rikthimin e ligjshmërisë në këtë IAL. Pas disa muajsh në detyrë, Gjuraj mbeti thuajse i vetëm në përpjekjet e tij, duke patur si aleatë vetëm opinionin publik, përmes transparencës që realizonte rregullisht me mediat. Brenda UNISHK por edhe në bashkëpunim me faktorë jashtë tij, grupimi që kishte qeverisur këtë IAL për rreth 20 vite, ishte shumë e vështirë të thermohej. Në gjuhën e përditshme, “e keqja” ishte mbizotëruese, fatkeqësisht.
Sot, kur dorëheqja e parevokueshme e rektorit Tonin Gjuraj është fakt, çdokush mund të ketë një opinion. Dikush mund ta quajë si tërheqje apo dorëzim, dikush tjetër si humbje personale apo edhe UNISHK, të tjerë si fitore të së keqes ndaj të mirë, negatives ndaj pozitives, progresin ndaj stanjacionit apo regresit.
Në fakt, nuk ka qenë vendim aspak i lehtë për Gjurajn, edhe pse indirekt ishte “në ajër” në veprim i tillë për arsyet më sipër. Kur erdhi në Shkodër, sigurisht nuk ishte “çeshtje rroge”, as arritjeje në karrierë. Vinte nga një universitet prestixhoz, si numri 1 i tij për shumë vite dhe me një eksperiencë të shkëlqyer akademike dhe të administrimit. Sidomos dorëheqja e tij tregon qartë: Tonin Gjuraj u rikthye në UNISHK për të dhënë kontribut dhe eksperiencë, mbase edhe për “të larë një borxh” ndaj një institucioni ku nisi rrugëtimin akademik.
Nga shumë individë, dorëheqja e Tonin Gjuraj po shihet edhe si një moment reflektimi të thellë edhe brenda vetë Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Nëse pas ngjarje/skandaleve të njëpasnjëshme që e shoqërojnë këtë IAL prej rreth 10 vitesh, imazhi i UNISHK ka ardhur duke u përkeqësuar, dorëheqja e titullarit për arsyet që ai parashtron në letrën e dorëheqjes, tregojnë se Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është afër vdekjes klinike.
Në kushtet aktuale, për të tentuar shpëtimin e tij, nuk duhet të organizohen zgjedhje sërish. Me shumë mundësi, celula që e ka udhëhequr prej rreth 20 vitesh në prapaskenë, do ta kapë përsëri udhëheqjen e tij. Në disa komuna në Itali, ka një metodologji që ndiqet, kur kosntatohet se kryetari dhe këshilli bashkiak, janë të kapur nga mafia. Qeveria, Këshilli i Ministrave të Italisë, me vendim shkrin organet drejtuese dhe caktohet një komisioner me mandat të përkohshëm për ushtrimin e funksioneve. Ndoshta kjo është rruga më e mirë për të shpëtuar nga vdekja klinike UNISHK. Një fund i tmerrshëm (i përkohshëm) është më mirë se një tmerr pa fund! /Nga Sokol N. SOKOLI/




