OPINION – Universiteti i Shkodrës si gjallesë, duhet të përshtatet me ndryshimet sociale por edhe të vetëpastrohet

Shkodra mban statusin “qytet universitar” për shkak të atij, për të cilin, lajmet nuk janë aspak optimiste: Universiteti “Luigj Gurakuqi”! Zvogëlimi apo tkurrja e numrit të studentëve në këtë tempull dije, nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndonjë brenda një viti, as brenda mandatit të një rektori. Analizën e shkaqeve të gjendjes aspak pozitive të krijuar, natyrisht që duhet ta bëjnë specialistë dhe njohës të sferës së arsimit të lartë.

Këto ditë, në rrjete sociale, kam parë shumë universitete kryesisht jo publike, duke joshur maturantët të ulen në auditoret e tyre. Nuk është e vështirë të kuptohet se harxhohen miliona, të paktën në rendin e ALL, për këto fushata promocionale. Arsimi i lartë nuk mund të konsiderohet thjeshtë dhe vetëm një sherbim, aq më shumë kur universitetet apo IAL- të, gëzojnë një autonomi të konsiderueshme. Gjykoj se Universiteti i Shkodrës, siç edhe vëllezër e motra tjerë publikë, ngurrojnë apo fikësohen ta konsiderojnë veten biznes, pjesë e një tregu të ashpër që funksionon me rregulla të mirëpërcaktuara.


Shqiptarët nuk kursejnë asgjë për shendetin e tyre. Janë të gatshëm të shkrijnë të gjitha kursimet e një jete, më shumë për bakshishe por edhe ilaçe kur kanë nevojë për mjek e spitale. Prej shumë vitesh, kjo praktikë po kristalizohet edhe në përzgjedhjen e shkollave të larta për fëmijët e tyre. Kursejnë një jetë apo përfitimet përmes “marifeteve” kur kanë mundësi e akses, i ndajnë një pjesë jo të vogël për arsimimin e fëmijëve të tyre. Në mos jashtë vendit, përzgjedhja bie tek arsimi i lartë privat.

Sa vlerë ka një diplomë bachelor, master, doktoraturë në një universitet shtetëror, krahasuar me një privat? Paragjykimi ngrihet si një mur i lartë, po të kthesh në vemendje fushatat milionëshe të “ditëve të hapura” të universiteteve private për të joshur maturantët por edhe studentët që të transferojnë kreditet tek ato. Perceptimi, edhe përmes fushatave promocionale e reklamuese pafund, është se universitetet private (disa të paktën), e kanë diplomën më të fortë se ato shtetërore. Gati- gati, nga viti në vit, po kthehet në aksiomë. Për prindër e studentë, “diplomë e fortë” përkthehet në lehtësi më të madhe për një vend pune në shtet apo në privat.

Në spote televizive e reklama të panumërta, fytyra personalitetesh të arsimit të lartë por edhe personazhesh televizive, reklamojnë universitetet private ku punojnë. Teknikat e PR- it e bëjnë gjithçka të besueshme teksa parimi “reklama, shpirti i tregtisë” po rezulton i suksesshëm, edhe me tarifa shkollimi mjaft të kripura.

Ajo që besoj i mungon universiteteve shtetërore, mes tyre edhe Universitetit tonë “Luigj Gurakuqi”, është pikërisht qasja e duhur me publikun, me maturantët e prindërit e tyre. Unë nuk besoj se universitetet private kanë pedagogë më të mirë, unë nuk besoj se përkushtimi i tyre është më i madh se i pedagogëve të shtetërorit edhe pse “pyll pa derra” vështirë të gjendet. Unë mendoj se universitetet private paguajnë më mirë, organizojnë më mirë fushatat sensibilizuese për shitjen e “mallit” që tregtojnë. Sepse një pjesë jo e vogël e pedagogëve të privatit, kanë qenë ose janë akoma pjesë e stafeve të universiteteve shtetërore.

Mund të ketë me dhjetra argumente për situatën e krijuar në Shkodër dhe jo vetëm. Mund të flitet për ikje të maturantëve, pasurim të shkodranëve që kanë para për shkolla të larta me pagesë brenda e jashtë vendit, për sakrifica për arsimimin e fëmijëve, për kushte më të mira akomodimi por edhe jete jashtëshkollore e punësimi tek universitetet private.

Por sigurisht, ka edhe diçka që duhet pranuar. Universiteti i Shkodrës ka nevojë të spastrohet nga disa pedagogë. Numri i tyre nuk është i njohur zyrtarisht, por nuk janë pak. Në fund të bachelor, master apo doktoraturë, tarifat e kërkuara e të marra prej tyre për provimet e studentëve, kalojnë edhe tarifat e universiteteve private. Madje, edhe atyre “të famshme”.

Gjykoj se universitetet shtetërore, edhe i Shkodrës, duhet të heqin dorë nga hermetizimi, ngurtësimi, nga ideja se “lëndën e parë” e kemi të garantuar sepse tarifat janë më të ulta se tek privati. Universiteti duhet të jetë u hapur, pa roje në derë e me kangjella si dikur institucionet e diktaturës. Që në imazh, në impaktin e parë, Universiteti i Shkodrës duhet të ndryshojë. Sigurisht, edhe ministria e linjës duhet të japë kontribut. Pavarësisht autonomi- pavarësisë, duhet tu imponohet në emër të hapjes, promovimit e reklamimit të universiteteve.

Po nuk e pamë universitetin si gjallesë, si njeri, i cili në etape të ndryshme të jetës e zhvillimit të shoqërisë ndryshon e transformohet, jo vonë mund të jemi dëshmitarë të më të kobshmes: Në dyert e universiteteve shtetërore mund të na presë vetëm një roje, ciceron muzeumi ose nostalgjik në pension. Se ajo ideja e transferimit të Universitetit të Shkodrës në Lezhë, tashmë është e njohur. /Nga Blerti DELIJA/