ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

OPINION/ “Tregtarët le të rrinë në tempull, por pa i përzënë të krishterët”, këshilla e fundit për Lulzim Bashën

Gjatë gjithë njohjes time me shefin e PD, Lulzim Basha, i kam dhënë vetëm dy këshilla. Njërën prej tyre, e falënderoj që e ka marrë. Të dytën, siç tregoi Qarkorja anti-media e ditëve të fundit, as nuk e ka çuar nëpër mend.

Të parën herë që i kam kërkuar diçka ka qenë që të hiqte katër goma që gjendeshin pas derës kryesore të selisë së Partisë Demokratike, kur në zyrën e kryetarit, dhe të tjerat, ngjiteshe duke përdorur një hyrje në të djathtë të godinës, jo si sot në ballore. Më dukeshin një ububu ato goma të zeza e të trasha pas derës së PD. (You have to look the part, është një shprehje amerikane).

Pas pak ditësh gomat nuk ishin më aty. Nuk ishte ndonjë reagim kushedi çfarë, por çdo lëvizje ka peshën dhe simbolikën e vet.

Këshillën tjetër ia pata dhënë kohë më parë, në zyrën e kryetarit të Bashkisë, ndoshta në vitin 2012, në takimin tim fillestar me të, pas disa telefonatave dhe mesazheve të mëhershme. I kërkova një gjë, për mua themeltare atëherë dhe e tillë edhe sot pas 7 vjetësh. E djathta ka nevojë për median e saj, e cila duhet të jetë katërcipërisht ndryshe nga modeli që PD ka krijuar me shtypin e saj deri më tani.

Me thuajse padurim i thashë se Gazeta 55, RD, apo ndonjë ‘markë’ tjetër konservatore nuk mund të përfaqësojnë një të djathtë të re, moderne që i përgjigjet një shndërrimi të shpejtë dhe drastik të peizazhit social, kulturor dhe politik në Shqipëri.

Mediat e majta kanë një fizionomi elastike, ndryshe nga të së djathtës që janë më të mbyllura, më fanatike dhe më të ngathëta në inovacion. Mora atëherë një tundje të gjatë koke dhe thuajse asnjë fjalë si reagim. Mendoj, shtova, se establishmenti politik i djathtë, nën nismën e tij duhet të inkurajojë dhe inicojë një mecenat për mediat i cili mbështet financiarisht gazeta, tv dhe portale që janë të djathta, por jo të partisë.

Vetë ideja që një parti e djathtë ka një gazetë të sajën, kur edhe komunistët italianë e kanë mbyllur l’Unita-n e tyre, është tregues i një konservatorizmi të pafrytshëm.

E pata shprehur këtë ide më vonë edhe në një shkrim te gazeta Mapo. Si përgjigje mora një editorial të RD, ku shahesha aspak për idetë e mia, por për flokët e rënë!!! Nuk mu desh më shumë për të kuptuar se Basha nuk do kryente asnjë operacion etiko-estetik, që do e bënte PD të krijonte idenë e ndryshimit dhe modernizimit, si dhe të fakti se ai ishte në timon.

Vitet shkuan dhe pavarësisht ulje-ngritjeve në marrëdhëniet e mia me Bashën dhe PD, që provokoheshin nga ‘daljet e mia prej rreshti’, që në atë parti njihen me emrin diversion, kam qenë një ndër zërat publikë më të qëndrueshëm në mbrojtje të Bashës.

Për ata që nuk i kuptojë idetë, partneritetet, mbështetjet etj., pa mirëmëngjesinteresin e zakonshëm apo përfshirjet financiare, dua të bëj me dije ca të vërteta lehtësisht të verifikueshme: asnjë i afërt, apo i lidhur me mua nuk ka qenë, në asnjë kohë të pushtetit të Partisë Demokratike, në asnjë punë apo zyrë shteti.

Pra, mbështetja ime që prej vitit 2010, nuk vinte as prej një borxhi apo mirënjohje me PD, as ndonjë ‘shisheje në radhë’ për të mjelë qumështin e lopës së pushtetit të nesërm. Ish-partnerja ime, ndoshta prej shkollimit të saj në Amerikë, ndoshta pikërisht prej mbështetjes sime për Bashën, u zgjodh një prej dhjetëra koordinatorëve gjatë ‘reformimit’ që Basha i bëri PD pasi u bë kryetar. Pak muaj më vonë ajo dha dorëheqjen për shkak se, një punë e re në një kompani të huaj e përjashtonte përfshirjen politike. Zonjusha zgjodhi punën në privat, si çdo ‘amerikan’ tjetër, dhe nuk mund të kishte bërë gjë më të zgjuar.

I thashë këto për të përkufizuar dallimin mes marrdhënies sime me PD dhe Bashën dhe marrdhënies që Basha dhe PD duan të imagjinojnë dhe të mbjellin në publik për mua, si përmes qarkores ashtu edhe përmes një editoriali në gazetën RD, ku etiketohesha si ‘i shitur për 30 aspra’ te Rama.

Duke qenë se marrdhëniet janë personale dhe publike, unë do mbaj për vete personalet dhe do deklaroj publiken, për të sqaruar ‘ftohjen’ me Bashën, bryma e së cilës është shfaqur në editorialet e Politiko.al: nuk e kam kuptuar dhe as e kuptoj inkursionin e Bashës drejt shtigjesh të pasigurta dhe alogjike në marrdhëniet me amerikanët. Absurdin e shndërrimit të tij nga benjamin i tyre në një ‘të kërcënuar’.

Kush e ka lexuar ‘Faktori Churchill’ të kryeministrit atual britanik Boris Johnson, e kujton porosinë që Churchill-i i dha kabinetit, udhëheqësve konservatorë dhe bashkëpunëtorëve, kur dha dorëheqjen. “Çfarëdo të bëni mos u ndani kurrë nga amerikanët!”.

Vetëm mendjet e trasha shumë e kuptojnë se ‘ndarje’ e Bashës me partnerët e artë të Shqipërisë nuk është shpikje e propagandës së Ramës. Ajo është politikë e keqe dhe u kujton shqiptarëve ditët më të errta të Partisë Demokratike. Ricikilimi i këtyre ditëve nga lideri i ri demokrat më bën të dyshoj vizionin e tij politik. Kjo mungesë elegance nuk përligjet prej asnjë nevoje.

Sa i takon marrdhënieve personale, njerëzit e lirë rrojnë sipas parimit se luajalitetet nuk janë rrugë njëkalimëshe. Luajaliteti, që mund t’i mungojë Bashës, nuk ka pse të marrë luajalitet të verbër nga unë apo çdo partner apo njeri tjetër që e njeh veten të lirë. Kush prêt radhën e pasurimit nëpërmjet të qenit drejtor, deputet, ministër etj., mund të rrijë në pardhomën e fyerjes dhe servilizmit, si qingji i Abrahamit në hatrin e Zotit, por jo të gjithë. Asnjëherë të gjithë.

Kjo është këshilla ime e fundit për Lulzim Bashën. Njerëzit publikë bëjnë partneritet e tyre publike dhe për to marrin kostot, benefitet, gjykimet, paragjykimet dhe lavdinë ose turpin.

Këto partneritete janë dykalimëshe. Ato nuk ruhen me anë të hileve dhe as hipokrizisë, por të të kuptuarit se njerëzit janë të lirë. Ata janë individë që bëhen bashkë në komunitete likuide. Siç duhet të jetë një prej tyre Partia Demokratike.

Tregtarët le të rrinë në tempull, por pa i përzënë të krishterët. /Nga Alfred LELA/

Për tu bërë pjesë e grupit "ShkodraWeb Media" mjafton të klikoni JOIN GROUP dhe kerkesa juaj do të shqyrtohet menjëherë. KOMUNITETI SHKODRAWEB MEDIA ONLINE: https://www.facebook.com/groups/shkodrawebportal/

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.