Ditën e sotme Edi Rama ka marrë njëherësh tre shuplaka të forta. Janë shuplaka ndërkombëtarësh, pikërisht të atyre që kryeministri i paraqet publikisht prej 7 vitesh, si mbështetësit e tij më të mëdhenj në “reformat” që ka ndërmarrë. Në fakt, pikërisht në implementimin e këtyre reformave, Rama mori sot shuplakat.
Të gjithë e kujtojnë se integrimi europian i vendit, ishte prioritet i prioriteteve i Ramës para ardhjes së tij në pushtet në vitin 2013. Shtatë vjet më pas, në vitin e fundit të mandatit të tij, Edi Rama pa ti pesëfishohen kushtet para uljes në tryezë me vendet antare për të negociuar hapin final të integrimit: Nga tre kushte që trashëgoi nga qeveria Berisha, sot Parlamenti Europian i zyrtarizoi 15 kushte.
Reforma në drejtësi apo “kryereforma” ishte prioriteti i kryeministrit në fundin e mandatit të parë. E sot, Komisioni i Venecias nuk i tha as më shumë e as më pak se është zënë mat në përpjekje për të kapur institucionin suprem, më të rëndësishëm të kupolës së drejtësisë, garanten e garanteve, Gjykatën Kushtetuese. Këtë betejë Rama e humbi përballë këmbënguljes së Presidentit Meta dhe aftësisë së juristëve që e rrethojnë kreun e shtetit.
Edi Rama ishte dhe vijon të mbetet produkt i medieve. Analiza e qeverisjes së tij, e cila sipas gjasave do ti bëhet e saktë kur ai të mos jetë “maje kalit”, nuk ka asnjë shans ta rendisë në më të mirat e këtij vendi. Arsyet, shqiptarët ketej e andej kufijve nëpër botë, tashmë i kanë të provuara në kurrizin e tyre.
Nga një produkt i medieve, Rama tentoi me “antishpifjen” të kthehet në tútor të tyre. Sidomos, atyre që nuk ka asnjë mundësi ti blejë e joshë siç ka bërë me mediat tradicionale më të rëndësishme të këtij vendi. Komisioni i Venecias ia tha qartë se është në rrugët të gabuar dhe kjo ishte shuplaka e tretë brenda pak orëve që i erdhi sot Ramës nga ndërkombëtarët.
Historia e këtij vendi këto 30 vite, ka treguar se qeveritë janë gërryer nga brenda, kryesisht nga korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi etj. Me këto tre shuplaka, në kapërcyell të vitit të fundit të mandatit të dytë, Edi Rama hyn në histori, siç nuk i ka ndodhur asnjë kryeministri para tij: Provoi të privatizojë dy pushtete, atë mediatik dhe të drejtësisë, duke bërë hapa pas në prioritetin kryesor të vendit, integrimin europian.
Sot, Edi Rama ka marrë teposhten më të fortë në këto vite qeverisje të vendit. Këtë e di ai por edhe ata që e rrethojnë. Natyrisht, nuk e jep veten. Për shumë arsye, por një mendoj se është themelorja: Hyri në politikë si misionar dhe do të dalë si një autokrat, për të mos thënë si një diktator në tentativë! I dashuruar çmendurisht me pushtetin e pamatë e pa kufi! Këtë nuk ia tha sot opozita, as shqiptarët, por ndërkombëtarët. Ata që i ka konsideruar jo vetëm miq por edhe mbështetësit më të mëdhenj të tij! /Nga Blerti DELIJA/