OPINION – Të përndjekurit e dy sistemeve…

Duket se shtresa që është prekur më së tepërmi në këto 70 vitet e fundit janë të përndjekurit politik. Të cilësuar si jashtë radhëve të tyre nga komunistët për shkak të ideologjive e bindjeve të ndyshme ata edhe sot janë të përjashtuarit. Kjo nuk ka ndodhur vetëm sot, por për 70 vite në mënyrë të vazhdueshme, duke prekur kështu breza me radhë.


Në fakt po të shohësh këto familje kanë qënë më të spikaturat, ku kanë prodhuar kuadro që punuan për të mirën e vendit. Luftuan deri në fund për të shenjtat ideale e nuk i shitën ata për asnjë çmim. Ndoshta ideali i atëhershëm nuk ka të krahasuar me idealet e sotme të cilat shiten hapur sa herë na jepet mundësia. Prandaj e vërteta duhet parë në sy.

Të dy sistemet u ngritën mbi trupat e të përndjekurve. Me të ardhur në pushtet pas luftës komunistët i shfrytëzuan deri më një ata që më pas do të ishin revizionarët e ardhshëm. Kjo shtresë kishte potencialin e diturisë me njerëz të shkolluar në perëndim gjë e cila në një Shqipëri të rrënuar pas lufte ishte gjëja që donin më shumë. Nën atë diktatin autoritar të drejtimit të vendit ata e me to gjithë Shqipëria u ringrit mbi kurrizin e kësaj shtrese. Kjo klasë nuk kërkoi asgjë më shumë se demokracinë atë që shqiptarët e morën 45 vite më vonë. Ata shikon diçka që të tjerët si një popull i mirindroktinuar nuk kishte sytë hapur ta shihte, të ardhmen. E kur sheh veten se ku jemi sot kupton që ata patën të drejtë. Çdo gjë sot ndodh 45 vite me vonesë. E kuptohet në situata të tjera edhe historia do të ndryshonte e ndoshta sot s’do të pritnim pas portës së BE- së.

Vitet kaluan, rrodhën ngjarjet e me to edhe sistemet. Një u rrënua e një tjetër u ngrit nga e para. Këtu ndodh përdorimi i dytë i të përndjekurve. Si një shtresë e vuajtur që përbënte pjesën më të dhimbshme të diktaturës, të përndjekurit mund të ishin një slogan i mirë për të përfaqësuar pjesën anti- diktatoriale. Në të vërtetë demokracinë s’e sollën të përndjekurit, por pinjollët e sistemit të shkuar e ku si një maskim i mirë mund të ishte shfrytëzimi i kësaj shtrese të vuajtur që për 45 vite qe rropatur burgjesh e internimesh e kush s’ka patur një fat kaq të mirë ka gjetur edhe vdekjen, falë dënimeve ç’ njerëzore të një gjyqësori analfabet nga ana juridike, por që gjykonte mbi vijën e partisë.

Me ardhjen e demokracisë filloi një luftë e madhe ku të gjithë vraponin të gjenin ndonjë letër që të dëshmonin se ishin të përndjekur. Kjo e gjitha pasi të qënurit i tillë kishte përfitime, pikërisht këto përfitime me të cilat e joshën këtë shtresë ta mbanin afër. I ofruan aty- këtu ndonjë post, por kurrë nuk ia lanë në dorë vendimmarrjet e rëndësishme. Duket se kishin frikë pasi gjithçka mund t’i kthehej pas. Nga këto dëmshpërblime qofshin këto të llojeve të ndryshme përfituan ata që ishin më të fortë, ndoshta edhe ata që deri dje bërtitnin me të madhe në takimet e pleniumet e partisë. Asaj partie që babëzia e pushtetit e detyroi të zhdukte edhe llojin e vet e kjo falë intrigave dhe klaneve të brendshme. E ata që duhej të merrnin vërtet mbrapsht pronat e paratë e dëmshpërblimit presin në radhë falë burokracive e problemeve të zaptimit të njohura sidomos pas viteve ’90. Fundi është i ditur, në këtë mes fitojnë ata që për 30 vite patën lidhjet më të forta me politikën e që morën çdo gjë që mund të quhej deri atëherë “e pazotë”.

Ndonëse edhe sot nga ana mediatike kjo shtresë përkrahet e mbështet, e vërteta flet ndryshe. Të gjithë janë munduar të përfitojnë në kurriz të tyre. Duket se ato që gjoja quhen dëmshpërblime, duke ditur që jetët e marra nuk rikthehen e vuajtjet fizike e shpirtërore nuk veniten, të ngjajnë me një larje hesapesh me këtë shtresë duke i mbyllur gojën në njëfarë mënyre. Dëmshpërblimi më i madh që mund t’i bëhet të përndjekurve politik, ku një pjesë e tyre janë ende gjallë, është dënimi i krimeve të komunizmit si dhe hapja e dosjeve. Kështu do ta kuptojmë më mirë kë kemi përballë e nuk do të qëndrojnë të fshihen pas gishtit. Kjo është ajo që duhet kërkuar me ngulm.

Nuk ka pse të qëndrohet më nën tymnajën e thashethemeve, por të kuptohet e të ballafaqohemi me atë realitet ashtu siç është. Nuk ka pse ata njerëz që kanë kryer krime ose kanë dënuar të pafajshëm të rrojnë po njëlloj në të dy sistemet. Nuk u soll demokracia që të ndërrohen brezat të kalohet nga i ati te i biri, por të kishte ndyshim sistemi ku të gjykoheshin të gjithë sipas ligjit. Nuk ka pse kjo procedurë kaq e thjeshtë të shtyhet, por frika e madhe qëndron se mos po sillemi në një rreth vicioz ku i biri mbron të atin. Atëherë nëse është kështu mund të themi se demokracia ka dështuar e me të gjithë politikat e këtyre 30 viteve. Nuk ka pse të gënjehemi me një dëmshpërblim kur ata që i dënuan mund të jenë në të njëjten pozitë, ku kanë qënë, të patrazuar nga “ e tashmja”.

Për 45 vite kjo shtresë qëndroi burgjesh e internimesh e tashmë për 30 vite sillet zyrash e gjygjesh për të marrë një hiçgjë për të cilën i gënjyen. E ku ndonjëherë dëgjon edhe çudira nga politikanët tanë që edhe ata dy të mira që i kanë me ligj t’i marrin duan t’ia zvogëlojnë e heqin. Duket se sot në kulturën tonë mungon guximi i të parëve. Ne sot ndihemi dhe duam të jemi inferior sepse kështu mendojmë se nuk dëmtohemi, por që në të vertetë dëmtohemi më shumë. Kjo shtresë që e vuajti mbi kurrizin e saj komunizmin e tranzicionin e ku sakrifikuan shumë vetëm sepse ata mendonin ndryshe dhe dëshironin të mirën e vendit të tyre nga një këndvështrim tjetër. Prandaj thënë këtë duhet të bëhet më shumë në ndryshimin e kësaj gangrenë mes dy realitetesh duke synuar vëndosjen e të drejtës aty ku i takon edhe pse mund të ketë kaluar shumë kohë. Kjo do të na kursente ripërsëritjen e gabimit. /Nga Kolindo VJERDHA/