Shkodra nuk u thye sërish. Madje, kur kërcënimet e joshjet nga pushteti ishin më të hapura se asnjëherë tjetër, atëherë reagimi ishte edhe më i ashpër. Partia e kryeministrit humbi një deputet dhe pushteti do të humbte edhe një tjetër nëse do të kuptohej në kohë se jashtë PD- së, çdo subjekt tjetër i djathtë, e ka gati të pamundur të marrë mandat deputeti në Shkodër.
Shumëkush e quan jo të mençur votimin e radhës të Shkodrës. Ashtu siç mund të quajë edhe votimin në qarqet Lezhë, Kukës e Dibër. Kjo, pasi pushteti i rikonfirmuar, ka të drejtë të vijojë qasjen jo dashamirëse ndaj tyre. Ka të drejtë, në konceptin e shprehur publikisht nga kryeministri: Nëse nuk votoni partinë time, përfaqësuesit e mi, do të vazhdoni të qendroni në periferi siç keni qenë këto 8 vite.
Shumëkush e konsideron Shkodrën aq shumë të lidhur me antikomunizmin, sa të vetëpenalizohet edhe në drejtim të zhvillimit, siç iu përmend shpesh në këtë fushatë. Mbase shumë, do të donin ta shikonin Shkodrën më pragmatiste, më shumë e prirur nga gjërat e përditshmërisë.
Por ata që mendojnë kështu, mbase e kanë harruar legjendën. Ky qytet u ndërtua mbi themele të forcuara nga murosja e një gruaje. Sakrificë sublime individuale për ti dhënë jetë një qytetërimi, një historie, një legjende realitet sot. Mbase kanë harruar edhe 45 vitet e betejës së gjithanshme, të pandërprerë të Shkodrës me komunizmin. Ndoshta kanë harruar edhe këto 31 vite nga 1990- a e këtej.
Sot, katër qarqe të vendit, janë “delet e zeza” në sytë e këtij pushteti. Tetë qarqet e tjera, vijuan rrugëtimin e ndërmarrë prej 8 vitesh. Shkodra nuk pranoi të negociojë parimet e ekzistencës së saj, lirinë për të marrë vendime, edhe pse dikujt mund ti duken të gabuara për momentin. Shkodra nuk negocioi të drejtën për të qenë në anën e përhershme të historisë të zgjedhur nga ajo, larg shumicave që në këtë vend ngritën e mbajtën mbi supe diktatorë.
Historia e njerëzimit, para erës apo pas erës tonë, ka treguar me shumë shembuj se diktatorët e diktaturat, kanë ardhur e qendruar në pushtet nga shumicat e popujve respektivë. Fashizmi me Hitlerin, Mussolinin dhe komunizmi me Stalinin, Enverin, janë shembujt tragjikë të historisë njerëzore, sisteme prej të cilave kemi vuajtur edhe ne si shqiptarë.
Historia e një kombi, e një qyteti, nuk është 8 vjeçare, as 30 vjeçare, as 100 vjeçare. E sot, teksa kthejmë kokën pas, lexojmë apo dëgjojmë, jo pa krenari, kujtojmë se përgjatë gjithë historisë së saj mijëravjeçare, Shkodra është rreshtuar në anën e duhur, pavarësisht kostove e sakrificave. Edhe situatën aktuale, pavarësisht anatemimeve, kritikave e akuzave, nuk mund ta gjykojmë sot. Por jam i sigurtë, se edhe këtë etapë, nëse do të arrijë të shenjohet në historinë e saj, Shkodra do të rezultojë në anën e duhur. E nuk është thjeshtë çeshtje “PD- je” siç dikush përpiqet ta minimizojë, sepse PD- ka ka vetëm 30 vite. Është çeshtje shpirti, intuite dhe pervoja të trashëguar përmes shekujve.
Sepse Shkodra nuk ka gabuar asnjëherë dhe 5 mijë vitet e historisë së saj të dokumentuar tashmë, e vertetojnë mësë miri. Të jesh pakicë, nuk do të thotë detyrimisht se je në krahun e gabuar. Thjesht, po i paraprin një zhvillimi që të tjerët duhet kohë ta kuptojnë. /ShkodraWeb/