OPINION – SPAK shkel Kushtetutën, cënon të drejtat kushtetuese në emër të ruajtjes së “sekretit hetimor” që i ik “për shalësh”…

“Ky urdhër i është komunikuar në datën 16.06.2022 gazetarit E.Q, kundrejt nënshkrimit për marrjen dijeni, pasi gazetari ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimit të gjykatës me objekt caktimin e masave të sigurimit personal ‘’arrest në burg’, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 dhe që në përputhje me nenin 295/a/4 të Kodit Penal përbëjnë akte sekrete të procedimit penal nr.75/2022.”. Është një paragraf i shkëputur nga një komunikatë zyrtare e SPAK- Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar.

Ajo që mund të pohohet me siguri, duke u mbështetur në Kushtetutën e Shqipërisë, ligji më i rëndësishëm dhe nga i cili burojnë të gjithë të tjerët, kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut që garantohen nga ligji themeltar i shtetit. E kur kjo vjen nga një organ shumë i rëndësishëm i sistemit të drejtësisë siç është SPAK, është dyfish më e rëndë.


Kushtetuta e Shqipërisë, është mjaft e qartë në përcaktimet e saj për çdo qytetar shqiptar, aq më shumë për një gazetar që e ka profesion të shprehurit në publik. Neni 22 i Kushtetutës së Shqipërisë, pa asnjë ekuivok, përcakton saktë pa mundësi interpretimi se:

Neni 22
1. Liria e shprehjes është e garantuar.
2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.
3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet

Me shkresën e cituar më sipër, në dëm të një gazetari, të tre këto pika të nenit janë cënuar. Ka rënë garancia kushtetuese e të shprehurit lirshëm, është rrëzuar liria e medias sepse ato informacione do të shpreheshin në një televizion apo media sociale, ndërsa është vendosur një censurë paraprake ndaj mjeteve të komunikimit.

Gafa e SPAK- ut thellohet edhe më shumë, nëse ngjitesh më lartë në tekstin e Kushtetutës së Shqipërisë. Sigurisht, mund të vendosen kufizime të të drejtave dhe pirive të parashikuara në Kushtetutë, por vetëm me ligj. Neni 17 i saj, përcakton qartë dhe pa ekuivok:

Neni 17
1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.

SPAK rreket më kot të përmendë Kodin Penal, nene e paragrafe të tij për të justifikuar veprimin e paprecedent në dëm jo të një gazetari apo media, por në shkelje të plotë të Kushtetutës. Në hierarkinë e zbatimit të ligjeve, e para është Kushtetuta, pasuar nga konventat ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar.

Pavarësisht se është evazive në Kodin Penal, “nxjerrja e sekretit hetimor” nuk i drejtohet një qytetari apo gazetari. Ai që ka akses në “sekrete hetimore” është prokurori, gjykatësi dhe vetë i pandehuri. Ky i fundit, në rastet kur është i zoluar apo në burg, nëse nxjerr sekret hetimor, përgjegjësia është direkt e policisë që e ruan, prokurorisë që e heton apo gjykatës që e gjykon.

Gjithandej, edhe në Shqipëri, media të paktën konsiderohet si “pushtet i katërt”. Si i tillë, pavarësia e saj nuk diskutohet, aq më shumë kur të paktën teorikisht, është në sherbim direkt të publikut për informim e në raste të tjera, shprehës e zëdhënës i interesave të tij. Pë më shumë, siç ka ndodhur në vende edhe më demokratike e ligjore se Shqipëria, media gërmon, hulumton, investigon e publikon fakte me interes publik që pushtet e tjera rreken të mos i bëjnë publike.

SPAK, prokuroritë e zakonshme, gjykatat e të gjitha niveleve, policia duhet të ruajnë “sekretin hetimor” të mos dalë nga strukturat e tyre. Për këtë duhen ligje, akte nënligjore, urdhëresa e udhëzime. Kur “sekreti hetimor” kalon barrierat e këtyre institucioneve, nuk mund të konsiderohet më i tillë por informacion me interes publik që duhet të mësohet nga të gjithë. Përmes qytetarëve, gazetarëve apo mediave. /Nga Blerti DELIJA/