
Nuk kish si të ndodhte ndryshe! “Drejtësia e re” mori supërxhiro. Kaloi nga ekstremi në ekstem. Nëse “drejtësia e vjetër” nuk guxonte ti afrohej “të pushtetshmëve”, pasardhësja e saj e ka gati kënaqësi vendosjen e prangave në duart e tyre. Asociimi i “drejtësisë së re” me mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara, i dha një marsh më shumë në përballjen me “të praprekshmit”.
Drejtësia, të paktën që nga ardhja në kreye të SPAK të Altin Dumanit, është “shtet më vete”. Në fakt, askush nuk po akuzon për tejkalim apo shkelje të ligjeve. “Gabimi” i i vetëm është barazimi i eksponentëve “të paprekshëm” me kontigjentin kriminal të organizuar, qoftë i lidhur ai direkt apo indirekt edhe me politikën.
Përveç rreshtave “të zezë në të bardhë”, ligji është edhe interpretim i tij. Koncepti “krijim bindje” qoftë nga prokurori apo edhe nga gjykatësi, është shumë i rëndësishëm që nga hetimi, ngritja e akuzës, gjykimin e deri tek dhënia e vendimit. Ndoshta në këtë pikë, SPAK po paraqitet më i ashpër nga sa duhet, të paktën me disa eksponentë të rëndësishëm të atyre të konsideruar “të paprekshëm”. Kësaj, i duhet shtuar edhe thuajse “lepe- peqe” e GJKKO ndaj SPAK, në shumicën dërrmuese të rasteve.
Konceptet “prishje e provave” apo edhe “intimidim i dëshmitarëve”, sërish ngelen subjektive, në dorën e një individi prokuror apo gjykatës. Janë parashikime ligjore, por vertetohen vetëm pas një vendimi të formës së prerë të gjykatës. Edhe përqindjet e publikuara nga “drejtësia e ri”, për të krijuar bindjen se nuk ka qenë aq e ashpër me cënim/privimin e lirisë, nuk mbushin mendjen. Drejtësia nuk mund të përmblidhet në vetëm disa statistika të ftohta.
Janë tre raste, në gjykimin tonë, flagrante, ku në rastin më të mirë, “drejtësia e re” u tregua më e zellshme se duhet, mbase edhe për “ti hyrë në hatër” mbështetësve përtej Atlantikut apo edhe më afër. Bëhet fjalë për individë që kanë qeverisur këtë vend në të gjitha kuptimet, ose një pjesë dërrmuese të shqiptarëve, duke ndikuar direkt jetët e tyre, edhe të vetë “drejtësisë së re”.
Sali Berisha, në momentin e “arrestit të shtëpisë”, pa një akuzë zyrtare, ishte ish- president (2 herë), ish- kryeministër (dy herë), lider i opozitës (historike dhe aktuale) të këtij vendi.
Ilir Meta, në momentin e arrestimit publik dhe turpërues, pa një akuzë zyrtare, ishte ish- president, ish- kryetar Kuvendi, ish- kryeministër dhe lider i partisë së dytë më të madhe të opozitës në vend.
Erion Veliaj, në momentin e arrestimit, pa një akuzë zyrtare, ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës i zgjedhur 3 herë radhazi në mënyrë të drejtpërdrejtë, ish- deputet, ish- ministër dhe një nga aktivistët social më të spikatur në këtë vend.
Madje, në rastin e Ilir Metës dhe Erion Veliaj, “mëkatet” SPAK i ka zbuluar tek bashkëshortet e tyre, ndërsa në burg kanë përfunduar ata. Në rastin e Metës madje, arrestimi erdhi në mes të procesit të divorcit edhe politik me bashkëshorten Monika Kryemadhi, e cila është vetëm në “detyrim paraqitje” siç edhe bashkëshortja e Velisë.
Ka edhe një “çudi tjetër” në qasjen e “drejtësisë së re” për Metën dhe Veliaj. Bashkëshortet respektive, Kryemadhi dhe Xoxa, jo vetëm vijnë nga familje të njohura dhe të pasuru në trashëgimi familjare, por edhe kanë patur dhe kanë aktivitete fitimsjellëse, edhe para se të njihnin bashkëshortet respektive.
Në Shqipëri, ka një perceptim të përgjithshëm se çdo politikan me një farë pozicioni apo aksesi në pushtet, është i korrptuar. Nuk është çudi që edhe prokurorë e gjykatës, pjesë e këtij shtresëzimi social të vendit, të ndikohen. Shtuar edhe “zellin” për të treguar se janë “Më katolikë se Papa” në dhënien e drejtësisë.
Koncepti “drejtësia zgjedh me lehtësi masën më ekstreme të sigurisë”, burgun apo arrestin e shtëpisë, është ngulitur në shoqërinë shqiptare. Pavarësisht se në këto rreshta po flitet për “të paprekshmit”, vëmendja kryesore duhet të jetë tek ata që nuk mund të marrin as mbrojtje politike, as juridike dhe as publike: qytetarët e thjeshtë.
Janë të freskëta rastet e rënda, deri në vetëvrasje, të qytetarëve të thjeshtë që përfunduan pas hekurave edhe për fatura 30- 50 euro të papaguara të energjisë elektrike. Të vejat dhe fëmijët jetimë, janë klithmë për drejtësi të vertetë në këtë vend. Nëse jetën ta jep dhe ta merr vetëm Zoti (duhet ta marrë të paktën), edhe liria nuk mund të hiqet aq lehtë, sipas përceptimit, që mund të rezultojë i gabuar, i një prokurori apo gjyqtari.
Në gjykatat shqiptare, vendimi duhet të merret përtej “çdo dyshimi të arsyeshëm”, pra çdo gjë duhet të jetë e provuar deri në detajet më të imta. Sepse vendimet nuk jepen në emër të gjykatës por “në emër të Republikës” dhe republika është bashkësia e të gjithë nënshtetasve, brenda e jashtë vendit. Së fundi, Strasburgu rrëzoi vendimet e drejtësisë shqiptare për rastin e ish- drejtorit të përgjithshëm të RTSH, Thoma Gëllçi, duke e konsideruar të paligjshëm arrestimin dhe burgosjen e tij, 10 muaj pas hekurave!
Italia, që nga “mani pulite” në fillim ’90 e deri më sot, vazhdon të japë një shembull jo për tu ndjekur nga “drejtësia e re” e Shqipërisë. Sigurisht, nuk jemi në kushtet e “kërcitjes së prangave” ndaj “të paprekshmëve” italianë por sërish ka një “qeveri gjykatësish” që jo rrallë herë, përplasen keq me politikën, e cila i anatemon.
“Drejtësia e re”, është produkt i politikës shqiptare. Kjo e fundit, ka të gjithë mekanizmat për “ta vënë në fre” sistemin e drejtësisë. Ndoshta kjo nismë, e materializuar edhe me një komision në Kuvend, ka nxitur reagimin e ashpër të “drejtësisë së re”. Sigurisht, është instik vetëmbrojtje, siç edhe politika ka dhe ndryshon mekanizmat e saj. “Konsensusi” mes palëve politike, do “ti fusë dy këmbët në një këpucë”, me rrezikun që të rikthehemi në sistemin e “drejtësisë së vjetër” që pikërisht kjo klasë politike shëmbi, për të ndërtuar mbi gërmadhat e saj “drejtësinë e re”. Kjo, mund të jetë “pika që derdh gotën” në “drejtësinë e re”! /Redaksionale ShkodraWeb/