
Nuk ka qenë një fushatë zgjedhore normale. Për herë të parë në këto 30 vite, edhe pse me Kushtetutë duhet të jetë mbi palët politike, presidenti i vendit ka qenë pjesë e fushatës elektorale. Kryeministri i vendit, pas 8 viteve në pushtet, gjatë kësaj fushate u përpoq të bindte shqiptarët përse nuk duhet votuar rivali i tij dhe opozita në përgjithësi.
Sfidanti për postin e kryeministrit, zgjodhi një model tjetër fushate, duke u fokusuar tek alternativa e tij për qytetarët, programi që partia më e madhe e opozitës ofron për ta. Ditë pas dite, situata elektorale ka ardhur duke u nxehur për të arritur kulmin në prag të mesnatës kur niste “heshtja zgjedhore”.
Presidenti dhe kryeministri shkëmbyen në distancë akuza e kundërakuza të forta, të cilat patën si zanafillë disa pohime të kreut të shtetit në raport me ambasadoren amerikane. Presidenti deklaroi se është kërcënuar, se ka patur presion për të lënë në vendin e tij në antar të KED- së që e kishte larguar, aludoi se shefja e diplomacisë amerikane në vend, po mbështet kryeministrin aktual.
Me këtë shije, erdhi dita e “heshtjes zgjedhore”. Për 24 orë, shqiptarët kanë mundësi të reflektojnë, edhe pse shumica e tyre, zgjedhjen për 25 prillin e kanë bërë sipas gjasave, shumë ditë, javë e mbase muaj përpara. “Fushata e pandemisë” do të mbahet mend gjatë, fillimisht për shkak të mënyrës së organizimit të saj e më pas edhe për deklaratat e forta politike.
Më e fundit, ajo e presidentit të vendit, i cili deklaroi se nëse kryeministri fiton mandat të tretë, ai nuk do të firmosë dekretin për emërimin e tij siç e kërkon Kushtetuta. Ai paralajmëroi dorëheqje, nëse kryeministri merr mandat të tretë nga shqiptarët. Nëse ndosh kështu, presidenti do të dalë në shesh tek qytetarët, siç e deklaroi dhe vendi do të futet në krizë të fortë institucionale.
Pavarësisht zgjedhjeve, Kuvendi aktual ka kompetenca kushtetuese deri shtator, kur duhet ti lirojë vendin atij që do të zgjidhet me 25 prill. Nëse kryeministri aktual fiton zgjedhjet e nëse presidenti jep dorëheqjen, Kuvendi duhet të zgjedhë një president të ri, i cili duhet të çojë deri në fund mandatin 5 vjeçar të paraardhësit. Nëse nuk ka votat për mazhorancë kushtetuese- 84, siç e kërkon Kushtetuta në raundet e para, nuk është e qartë nëse shumica aktuale ka edhe shumicë të thjeshtë- 71 mandate, siç përcakton Kushtetuta në raundet finale. Kjo, në varësi të 25 prillit. Pavarësisht se deputetë aktuale, nëse nuk janë pjesë e Kuvendit të ri të pas 25 prillit, edhe shumë deputetë socialistë, vështirë të votojnë një president plotësues mandati. Në të njëjtën qasje, të paktën logjikisht, duhet të jetë edhe Opozita e Re parlamentare.
Materializimi i kësaj skeme, në kushtet kur Kuvendi nuk arrin në 5 raunde të zgjedhë presidentin, automatikisht ai shpërndahet dhe thirren zgjedhje të reja parlamentare. I gjithë ky skenar, mund të zhvillohet sipas afateve kushtetuese, jo më vonë se brenda 90 ditëve. Vendi do të rrezkonte shumë, me një situatë thuajse vakuumi institucional, i cili lë hapësira edhe për situata të tjera që zakonisht, janë bashkëudhëtare.
Në fakt, ky është skenari më i zymtë, më i keq, që nuk e uron asnjë shqiptar. Pavarësisht kësaj, çdo gjë këtë herë, për të parandaluar një situatë të tillë apo për ta stimuluar atë, është në dorën e shqiptarëve me 25 prill. Sovrani, nëse lihet i lirë të shprehë vullnetin e tij, nuk gabon asnjëherë. Prandaj është jetike, mbase më shumë se asnjëherë, që me 25 prill, nesër, të dielën, të dlet në votim, sa më shumë aq më mirë. Sepse edhe mundësia që sovrani të gabojë, minimizohet. Votoni për kë të dëshironi, votoni të lirë për atë që mendoni se ju përfaqëson më mirë. Por nesër, është shumë e rëndësishme të votoni. Qoftë edhe për të parandaluar skenarë të padëshirueshëm nga askush. Të paktën, ata që janë shqiptarë dhe kanë vendosur të jetojnë në këtë vend të çuditshëm por të dashur, me emrin Shqipëri. /Nga Blerti DELIJA/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!