
A mund ta llogarisë dikush koston e protestës, e cila është në kapërcyell të ditës së 17- të?! Gjërësisht dhe nga shumë drejtime tashmë, nën mbulesën e bukur dhe idilike të “protestës së studentëve”, shumëkush po paguhet për “sherbimin”. Media dhe gazetarë të shumtë që monitorojnë prej ditësh këtë, e pranojnë nën zë, sepse sigurisht, për “qëllime më të larta”, individuale, të grupimeve edhe mediatike por edhe politike, tani për tani nuk po shfaqin asgjë. Sigurisht, po regjistrohet dhe me gjasë, kur “gjakrat” të ulen disi, mund të shohim edhe çudi.
Konglomerat- protesta, e cila pa ose me qëllim edhe pas mëse dy javëve aktivitet të përditshëm edhe masiv nuk po prodhon “kokë”, nuk është e vështirë të kuptohet se po mbështetet, dhe jo vetëm financiarisht, nga shumë drejtime. Secili prej “sponsorëve”, përpiqet të realizojë qëllimet që i ka vënë vetes dhe përpiqet që ato të humbasin në “diversitetin” e rrëmujshëm të artikulimeve. Siç edhe të tjerë, analizojnë më shumë “numrat” e protestës, pak a shumë si boksierët me krahët lart në ring, në nisje të një ndeshjeje.
Praktikisht, për përjashtim të vullnetmirëve, të cilët mund dhe duhet të jenë shumicë në këto protesta, të gjithë të tjetër thjasht dhe vetëm po aktrojnë. Po aktron kryeministri Rama me daljet e tij publike, me audi- video apo me tekst. Tregon pa shumë kujdes edhe karotën edhe kërbaçin e mbi 800 mijë votave. Po aktron dukshëm edhe Sali Berisha, i cili ka mbetur në refrenin e tij se mbështet protestën, nuk del në shesh por tregohet i kujdesshëm: “non grata”, edhe pse nuk është hequr por është lehtësuar, mund të rikthehet më e egër. Në mes është “dhëndri” dhe Berisha mbase më shumë se askush tjetër, e di sa i dashur është. Të dy këta, dëgjojnë jo radhë sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”, me gjasë të porositur në vigjilje nga vetë ata. Kjo është pjesa e dukshme, publike por siç ndodh prej mëse 35 vitesh në këtë vend, “fijet” luhen në prapaskenë, ndoshta edhe teksa sheshi buçet nga thirrjet për burgosjen e tyre.
Fasada- shenjestër e kësaj proteste është Edi Rama. Një hap pas tij, edhe Berisha. Por, bonuset i marrin të dy parelelisht. Edi Rama po verteton se nuk është autokrat apo diktator. Për mëse 2 javë, sheshi para zyrës së tij, po ushton nga protestat e lira dhe të “paintrumetalizuara”. Fiks siç duhet të jetë një vend me standarde demokratike, në paradhomën e Bashkimit Europian. Nuk ka asnjë problem deri tani, as thyerje, as djegie, madje në disa raste, në fund të protestës, disa personave “u kalon menjëherë inati dhe mërzia” dha pastrojnë edhe sheshin nga papastërtitë. A keni parë ndonjëherë, ndokund në botë skena të tilla pas protestave që disa i klasifikojnë si qindmijëshe?!
Edhe Berisha është mëse komod. Pas marrjes së mandatit të kryetari dhe riformatimit të PD- së, do të duhej të niste aktivitetin, mbase edhe protestat, edhe pse me numra modestë. Tani, i mbështet nga larg, por pa patur shqetësimin e thirrjes, organizimit dhe menaxhimit të tyre. betejës së numrave etj. Sepse tani “sheshin e ka në dorë mileti”, është një batutë filmash të vjetër.
E sigurisht, edhe BE ka nisur të reagojë, siç ishte e pritshme, duke u rreshtuar në mirëbesim me Ramën për projektin e Zvërnecit, ku “do të ruhet standardet mjedisore të BE- së”. Ndërkohë, Marta me emrin e një pijeje jo të dëmshme që përftohet nga thartimi i qumështit, në shesh po ulet e çohet, sigurisht jo me fjalë banale. Fiks siç ndodh edhe në çdo vend të BE- së.
Protesta apo protestat me formatin e tanishëm, nuk i prishin asnjë punë Ramës e as Berishës, natyrisht as BE- së. Edhe sponsorët e flukseve të konglomerat- protestës, janë të kënaqur pasi qëllimet e tyre po materializohen ditë për ditë, para syve të tyre. Edhe organizatorët e pashpallur por edhe të mirënjohur të protestave, janë të kënaqur: vazhdojnë të paguhen për ditë pune, dmth ditë proteste. Sa më masive të jenë, sa më paqësore dhe në respekt të mjedisit, aq më shumë bonuse marrin, jo detyrimisht financiare. Të zhgënjyer janë vetëm vullnetmirët, ata që besoj se kjo protestë do u sjellë ndryshimin. Mbase për këtë arsye, janë të gatshëm apo do të jenë të gatshëm të qendrojnë në shesh deri në zgjedhjet e 2029- ës se këto të 2027- ës, janë pranë dhe mund ti arrijnë vertetë. Por atëherë, do të kujtohen se vota është ajo që sjell ndryshimin dhe ai vjen përmes subjekteve politike apo partive, të cilat kjo protestë jo vetëm nuk po i krijon por po i anatemon deri në përbuzje. E kur të vijë momenti, në listë do të kenë si alternativa të gjithëmonshmit Rama, Berisha, Shehaj, Lapaj dhe Qori. Pikërisht ata që i kanë edhe sot. Dhe do pendohen: si dreqin tërë ato protesta, nuk prodhuan të paktën një parti që ta mbështesnin protestuesit?! Sepse nuk ishte ky projekti, skenari…
E për ta mbyllur! Dakord, në ditë jave, meqë njerëzit edhe punojnë, protestat bëhen pasditeve. Të shtuneve e të dielave, pse nuk i organizojnë paradreke, me shpresën e bllokimit real të punës së Kryeministrit Rama, i cili siç ka thënë punon 7/24?! Pse lihet ai nga opozita politike por edhe kjo protestë, që tubimet të bëhen kur shefi i qeverisë nuk është në seli dhe nuk pengohet aspak në ushtrimin e funskioneve të tij?! /Nga Sokol N. SOKOLI/




