
Me 11 Maj 2025, shqiptarët do të kenë 11 alternativa politike në fletët e votimit sipas qarqeve. Ndoshta më shumë se asnjëherë tjetër këto 35 vite, pritet një “përballje e fortë” mes partive të ashtëquajtura “të vjetra” dhe atyre të cilësuara si “të reja”. Këto të fundit, me përjashtim të “Bashkë” të Arlind Qorit që deri diku ka një bosht edhe ideologjik, të tjerat sillen pak a shumë tek premtimet e zakonshme “ujë, drita, rroga e pensione”, me ndryshimin e vetëm renditjen gjatë artikulimit politik.
Edhe në grupin e partive të mësipërme, ka një dallim të dukshëm. PS dhe Edi Rama, po “i shesin” zgjedhësve të mundshëm një ëndërr të kahershme, të rëndësishme e të madhe: Integrimin e plotë në BE deri në 2023- ën ose shkurt, pasaportën e Bashkimit Europian. Në fakt, nuk bëhet fjalë vetëm për një dokument të thjeshtë udhëtimi si çdo qytetar europian por edhe përfitime të shumta financiare, të përvitshme, të rregullta nga fondet e Komunitetit Europian.
Partia tjetër “e madhe”, me një koalicion shumë të gjërë partishë, ka vetëm një synim parësor: rrëzimin e PS- së dhe të Edi Ramës, duke premtuar rritje ekonomike për çdo qytetar, familje apo grup shoqëror. Njëkohësisht, PD- ja, përmes projektit “Për Shqipërinë Madhështore” (kopjim mot-a-mot i sloganit elektoral të presidentit Trump), i rikthehet projekteve “Shqipëria fuqi energjitike” dhe “simbol i teknologjisë së informacionit”, pa harruar edhe kriptovalutat.
Partitë e reja, të paktën “Mundësia”, “Nisma” dhe “Shqipëria Bëhet”, janë pozicionuar për largimin e kësaj mazhorance por edhe kundër krijimit të një mazhorance tjetër të drejtuar nga një parti “e vjetër”, siç është PD- ja sipas tyre. Me gjasë, këtu nis disi edhe shkëputja e këtyre subjekteve politike nga realiteti politik 35- vjeçar në Shqipëri. Në rastin më të keq, këto dy subjekte, PD dhe PS, mund tu lënë subjekteve të tjera jo më shumë se 20 vende në Kuvendin e ri. Edhe ky në fakt, një parashikim shumë optimist…
Shifrat e përmendura nga partitë “e reja”, si objektiva për 11 Majin 2025, janë në kufijtë e utopisë, sidomos nëse njohin mentalitetin e zgjedhësve shqiptarë, më shumë brenda vendit por edhe jashtë saj. Por edhe tek partitë e reja, “Mundësia” bën një diferencë. Partia e drejtuar nga Agron Shehaj, duket se ecën në gjurmët e Vetëvendosje! në Kosovë. Nuk pranuan të hyjnë në asnjë koalicion, duke dashur të marrin mbështetje të drejtëprdrejtë nga zgjedhësit vetëm përmes logos e programit të tyre. Nga ana tjetër, nuk kanë synim arritjen në pushtet, duke përjashtuar, të paktën tani për tani, bashkim votash në qeveri qoftë me PS- në, qoftë me PD- së, duke patur si kryeministra të ardhshëm dy liderët aktualë.
Në gjithë këtë panoramë, ka edhe një faktor tjetër, që mund të konsiderohet si faktori surprizë. Vende të ndryshme, afër dhe larg nesh, janë shembull që edhe forca politike të reja, mbështetën fuqishëm nga zgjedhësit që në ballafaqimin e parë. A do të ketë “surpriza” në këto zgjedhje? Mbetet të shihet por indiciet e deritanishme tregojnë se shqiptarët, brenda e jashtë vendit, masivisht vazhdojnë të tërhiqen nga dy ngjyra: rozë dhe blu! E vetmja pikëpyetje mund të jetë: a do të ketë një LSI të re pas 11 Majit 2025? /Nga Blerti DELIJA/