
Vllaznia është dashni pa kushte! Për të gjithë shkodranët e lindur, të rritur apo edhe të ardhur në këtë qytet- simbol krenarie për çdo shqiptar. Nga 1919 e largët, në ditë të mira e ditë të vështira, ka qenë motiv gëzimi por edhe hidhërimi. Por asnjëher, për asnjë rrethanë, nuk e kemi vënë në dyshim mbështetjen pa kushte për të.
Tifozi është lojtari i 12- të i Vllaznisë e ky tifoz, ka edhe një tjetër dashuri, edhe ajo pa kushte: muzika popullore qytetare shkodrane! E kur përmend këtë zhanër, ndër emrat e mëdhenj që vijnë në mendje, është padyshim Bujar Qamili, Nderi i Kombit, vlerësimi më i lartë që jep Republika e Shqipërisë për një individ.
Në një moment të caktuar, për arsye të paqarta akoma, këto dy dashuri, Vllaznia dhe muzika popullore qytetare shkodrane, thuasje u vunë përballë në një betejë apo luftë, më e pakta e pakuptimtë. Një ndeshje ndërkombëtare futbolli- aq shumë e dëshiruar në Shkodër, përballë një koncerti me emra të rëndësishëm të muzikës shkodrane e shqiptare.
Kur je përballë dy dashurive, është e vështirë të zgjedhësh, por gjithsesi, nga rrethanat e momentit, je i detyruar. Disa zgjodhën Vllazninë e disa të tjerë, muzikën qytetare popullore shkodrane. Fatmirësisht, kjo zgjati pak, shumë pak, disa orë apo ndonjë ditë. Dhe sigurisht, reflektimi është rruga më e mirë. Sidomos, kur flet për Shkodrën…
Shkodra është mjaftueshmërisht mikritëse, me zemër të madhe! Ka vënd e hapësirë për Vllazninë si dashuri e përjetshme por edhe për muzikën popullore qytetare shkodrane, në këtë rast, personifikuar me Nderin e Kombit Bujar Qamili, një nga tifozët më të zjarrtë të kuqebluve. Kështu, zgjidhja u gjet, sepse nuk ka rrugë tjetër për dy dashuri të barasvlefshme.
Vllaznia do të luajë përballë tifozëve të vet, në mitikun “Loro Boriçi”, pa patur nevojë të jenë muhaxhirë në stadiume të tjera. Do ta mbështesin fort, ashtu siç dinë vetëm tifozët kuqeblu, një pjesë dërrmuese e të cilëve, këndojnë me mend apo me zë këngë të muzikës popullore qytetare shkodrane, duke përmbushur një simbiozë fantastike që pakkush e gëzon si shkodranët.
Përballë dy dashurive, ku zgjedhja është në kufijtë e të pamundurës, është mirë që të hedhësh pas shpine çdo qejfmbetje të mundshme, të kijuar nga mosdija, nxitimi apo diçka tjetër. Me 21 qershor, shkodranët, pjesa më e madhe e të cilëve, edhe tifozë të palëkundur të Vllaznisë, do të gëzojnë e festojnë në në sheshin para Bashkisë Shkodër në koncertin e Bujar Qamilit.
Vetëm pak ditë më pas, të njëjtët, do të bashkohen në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” për të mbështetur Vllazninë në këtë aventurë europiane, e cila dëshirojmë dhe urojmë të vijojë sa më gjatë. Para, në pushim dhe pas ndeshjes, muzika popullore qytetare shkodrane, këngët e Bujar Qamilit, do ta ndezin më shumë atmosferën sportive kuqeblu.
Nuk ka dhe nuk mund të ketë fitues apo humbës, fajtorë apo superiorë, ka vetëm shkodranë që bashkohen nga dashuritë e tyre më të mëdha: Futbolli dhe muzika! Mbase ky është mesazhi më i mirë që mund dhe duhet të përcillet, qoftë nga KF Vllaznia, Bashkia, FSHF-ja apo çdo institucion a organizëm që do sportin, që do Shkodrën, që do shkodranët, që do muzikën, pa të cilën nuk ka kuptim jeta! /ShkodraWeb/