OPINION/ Shkëlqimi dhe rënia shumë e shpejtë e yllit të Rudina Hajdarit në politikë…

Mund të ketë shumë hamendje për largimin e papritur rë Rudina Hajdarit nga drejtimi i Grupit Parlamentar Demokrat apo “opozitës së re” por që të gjitha shuhen nga një foto. Shtatë deputetët meshkuj kanë pozuar bashkë në një foto, e cila shoqërohet me një tekst që njofton largimin e Hajdarit dhe zgjedhjen e Korab Lita. Pavarësisht zbukurimit që Lita i jep kësaj lëvizje të beftë, duke kujtuar pozicionet e Hajdarit si kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit apo bashkëkryetare e komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore, është e qartë se vajza e Azemit nuk është vetëlarguar por e kanë larguar. Përndryshe, do të ishte në foto bashkë me deputetët e tjerë ose do të thuhej në mënyrë eksplicite se është dorëhequr për shkak të impenjimeve të tjera.

Në këtë linjë është edhe një reagim që vetë Hajdari ka bërë para pak minutave nuk nënvizon: “Ju sigurojë se unë jam në krye të grupit Demokrat që ndërkohë po zgjerohet dhe forcohet edhe më shumë. Vendosmëria jonë për të çuar deri në fund reformimin e sistemit është detyrim ndaj çdo demokrati dhe opozitari që kërkon ndryshimin në Shqipëri. Shihemi te enjten!”. Pra, mund të thuhet se Hajdari është shkarkuar ndërsa statusi i saj në Facebook është thjeshtë një klithmë për t’u ndjerë e gjallë politikisht.

Nuk kishte shumë dyshime se ylli i Rudina Hajdarit në politikë do të shuhej shpejt, në fakt jo kaq shpejt. E ardhur në politikë me meritë të vetme mbiemrin që mban, pa asnjë ditë “gavetë” në Partinë Demokratike, pa asnjë aftësi publike politikëbërje dhe oratorie në artikulim, orët e shkëlqimit të yllit të saj ishin vertetë të numëruara. Sa më sipër, i duhet shtuar edhe pozicionimi i pazakontë dhe shumë më i ashpër ndaj opozitës jashtëparlamentare falë votave të së cilës në 2017-ën mori edhe postin e deputetit, se ndaj mazhorancës aktuale qeverisës.

E nëse do ti kthehemi aludimeve, mbase do të ketë edhe lëvizje të tjera të paralajmëruara. Hajdari mund të iniciojë një subjekt tjetër politik siç edhe e ka paralajmëruar. Ose, mund të bëhet realitet kalimi i saj tek Bindja Demokratike e Astrit Patozit. Në të dy këta skenarë, deputetët e tjerë të Grupit Parlamentar Demokrat, nuk kanë asnjë arsye apo motiv ti vihen pas, duke shërbyer thjeshtë si “kontorno” e Hajdarit.

Sipas gjasave, Rudina Hajdari ka një projekt apo agjendë tjetër, të ndryshme nga pjesa tjetër e deputetëve të “opozitës së re”. Nuk do të vonojë dhe do të zbulohen detaje të tjera. Surpriza më e madhe do të ishte “kapërcimi i ylberit” nga vajza e Azem Hajdarit. Ndoshta, në formën e ndonjë qoke nga mazhoranca… /Shënim i ShkodraWeb/

Për tu bërë pjesë e grupit "ShkodraWeb Media" mjafton të klikoni JOIN GROUP dhe kerkesa juaj do të shqyrtohet menjëherë. KOMUNITETI SHKODRAWEB MEDIA ONLINE: https://www.facebook.com/groups/shkodrawebportal/

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.