Mbledhje e çuditshme, kështu mund të konsiderohet ajo e Këshillit Kombëtar të Rindërtimit pas termetit të 26 nëntorit. Ajo që ra në sy lehtësisht është se ky shtet nuk ka burime dhe pret nga të tjerët për të tejkaluar situatën. Duke nisur nga donacionet e biznesmenëve të mëdhenj, të shoqatave e angazhimit të tyre por edhe nga 5 mijë lëkëshat e vjetër që mbase çdo shqiptar mund dhe duhet të japë në një situatë katastrofike.
Në vend të opozitës që i refuzoi ftesën, kryeministri kishte Elvis Naçin, një imam bamirës që ia ka dalë të ndryshojë pozitivisht jetën e mjaft shqiptarëve falë angazhimit personal por edhe mbështetjes së zemërmirëve. Pjesë e tryezës edhe gazetari Marin Mema, të cilit kryeministri ia tha troç dhe shqip se ishte në tryezë jo si njeri i medias por si vullnetar i spikatur. Pjesa tjetër antar të qeverisë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore. Sigurisht, ka harruar edhe drejtues e antar të Shoqatës së Ndërtuesve.
Pikërisht këtyre kryeministri u kujtoi krijesën e tij më të preferuar për të arritur qëllimin: Burgun!
Shefi i qeverisë e tha qartë: Ata që kanë ndërtuar shtëpitë që u shëmben, duhet ti rindërtojnë! Përndryshe, në burg! E nga këtu duket se ky shtet nuk ka asgjë në qese dhe pret nga të tjerët. Burgu si kërcënim e ndëshkim për të fshehur paaftësinë e parashikimit edhe brenda një harku të ngushtë kohor, diçka më shumë se dymujor: Nga 21 shtatori deri me 26 nëntor! Nga termeti “zemërgjerë” që nuk na dëmtoi por vetëm na paralajmëroi deri tek katastrofiku që mori 51 jetë e la pas gërmadha të panumërta ish- banesash pa harruar edhe ato të shpirtit.
Asnjë fjalë për hetimin e asaj që ndodhi. Asnjë thirrje Prokurorisë për të vepruar, për të hedhur dritë për një pyetje shumë të thjeshtë: A ka përgjegjësi njerëzore për atë makabritet që përjetuan miliona frymorë në Shqipëri, Europë e botë?
Përsëri një amnisti e pashpallur zyrtarisht, por e zbutur me një kërcënim “burgu” nëse nuk rindërtohen banesat e shembura. Po ku do të ndërtohen?
Specialistët gjatë këtyre 4 ditëve të fundit po thonë se brezi ku u ndërtuan vila e pallate, ishte i papërshtatshëm si truall. Shumica në rërë, aty ku katet nuk mund të shkojnë më shumë se 4 dhe me parametra rigorozë ingjinierikë ndërsa po u kërkohet investitorëve të ringrejnë “qiellgërvishtës”, ashtu siç ishin para shembjes.
Është përmendur shpesh termi “propagandë” këto ditë, por ndoshta kryeministri nuk ka kthjelltësinë e duhur të arsyetimit dhe artikulimit publik racional për shkak të ngarkesës e ndoshta, orëve të pakta të gjumit. Edhe pse ata që e njohin, thotë se fle shumë pak, 4-5 orë në 24 zakonisht.
Pas kalimit të emergjencës për të shpërthur sa më shumë jetë të mbetura mes gërmadhave, strehimit provizor të të pastrehëve dhe atyre qëu rrezikohet jeta në banesat aktuale, hapi i tretë do të duhej të ishte aktivizimi i shpejtë, i egër dhe i pamëshirshëm ligjor i Prokurorisë. Sepse ka patur shkelje që nga dokumentacionet, dhënia e lejeve, ndërtimi e në fund leja e shfrytëzimit të ndërtesave. E në në këtë zingjir, nuk është e vështirë të kuptohet se përgjegjësia më e madhe është e shtetit. Duke nisur nga pushteti vendor deri tek qeverisja kombëtare në vite. Por pikërisht këtu qëndron “kleçka”, sidomos për Durrësin por edhe Tiranën e Thumanën e Fushë Krujës. A mund të kërkojë kryeministri të hetojë vetveten apo ata që ka patur dhe i ka akoma pranë vetes? Sigurisht që jo! Nëse në vend të bashkive më sipër do të ishte Shkodra, sigurisht që Prokuroria do të kishte vrapuar për “të hapur letrat”. Sepse kjo bashki prej gati 30 viteve, nuk është qeverisur asnjëherë nga një i majtë apo aleat i kryeministrit aktual.
Zgjidhja? Të rindërtohen banesat e kthyera në gërmadha! Ku, tek i njëjti vend? Pak rëndësi ka, të ndërtohen është e rëndësishme, më pas do të shohim se ku!
Një mbledhje e Këshillit Kombëtar të Rindërtimit që tha gjithçka, për ata që kanë sy e veshë dhe që janë pak “të ftohtë” politikisht, të paktën në situatën katastrofike pas 26 nëntorit! /Nga Blerti DELIJA/