
Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithëshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.
Sali Berisha, që në ditën e parë në politikën shqiptare, ka prezantuar si pikë të tij të fortë, aspektin moral. Çdo herë, në çdo artikulim dhe në çdo dalje publike, ajo është shfaqur si pika e tij më e fortë. Prova më e madhe dhe e drejtëpërdrejtë e tij, ishte dorëheqja nga drejtimi i PD- së në vitin 2013, edhe pse e mbajti këtë subjekt 8 vite në pushtet, kur humbi zgjedhjet politike përballë Edi Ramës dhe Ilir Metës, ish- aleat 4 vitet e dyta të qeverisjes.
Rikthimi i tij aktiv në shtator të vitit 2021, me synimin e qartë të largimit të Lulzim Bashës nga drejtimi i PD- së, përtej interesave qartësisht personale pas shpalljes “non grata” dhe përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat, përsëri kishte një shpërfaqje publike të fortë morale. Pavarësisht se një humbës serial në çdo garë elektorale, Basha nuk tërhiqej dhe zgjidhej e rizgjidhej, votohej e votëbesohej si kryetar i PD- së, rrjedhimisht i opozitës. Për këtë arsye, një ndër pikat e forta të “foltoreve” të Berishës, gjithmonë në aspektin moral, ishte këmbëngulja për të vendosur në statutin e PD- së, “Nenin Basha”, pika 8 e të cilit (Neni 46 në Statutin e PD- së të miratuar në mënyrë plebishitare në stadiumin “Air Albania” me 11 dhjetor 2021) hapë edhe këto rreshta.
Sipas të gjitha gjasave, Berisha ka qenë më shumë se i sigurtë në fitoren e 11 majit 2025. Përtej kapriçove të motit që e përgenjeshtruan (ra borë në maj të këtij viti), Berisha nuk e pranonte në asnjë mënyrë se mund të humbiste përballë Ramës. Kjo në fakt, synonte edhe motivimin, karikimin ekstrem të antarësisë, simpatizantëve dhe mbështetësve.
Pas 11 majit 2025, Sali Berisha është përballë një prove “zjarri”. Rrezikon të rrënohet karta e tij më e fortë në politikë këto 35 vite: karta morale! Nuk ka dyshime se Berisha është më shumë se emblemë tek PD- ja. Madje, duke perifrazuar shprehje nga epoka e para 1990- ës, kur themi Berisha nënkuptojmë PD dhe kur themi PD, nënkuptojmë Berisha.
Përtej kësaj, Berisha ka vetëm dy rrugë, për të mbrojtur “sovranitetin moral” të qeverisjes së PD- por edhe të opozitës. Të zbatojë “alla lettera” pikën 8 të Nenit 46 të Statutit të PD- së, të cilën këmbënguli vetë për ta vendosur. Ose, të mbledhë strukturat, Kryesi, Këshill Kombëtar dhe Kuvendin Kombëtar për ta ndryshuar këtë pikë ose për ta hequr fare.
Mund të shtohet në të njëjtën pikë, pas pjesës së parë të pikës 8 të Nenit 46, shprehja “nëse PD i njeh ato zgjedhje” dhe moralisht është në rregull, edhe pse në fakt, është ndryshim postum dhe juridikisht, nuk ka efekte prapavepruese, përveç se nëse parashikohet kështu në vendimin e Kuvendit Kombëtar. Por edhe në këtë rast, duhet të mblidhen forumet e PD- së për vendimrarje, sepse deri tani, mosnjohja e zgjedhjeve është artikuluar vetëm nga një organ, monokratik, siç është Kryetari i PDSH- së.
Nëse Berisha do të vazhdojë të qendrojë në atë pozicion, duke u shprehur se “nuk e ka menduar ndonjëherë dorëheqjen”, i bën vetes një dëm të madh: shkel normat e tij morale dhe bashkë me to, edhe Statutin e PD- së që e konsideron si Kushtetutë të kësaj force politike. Aq më shumë, kur paragrafi “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithëshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.”, nuk lë shteg për asnjë interpretim as moral e aq më pak juridik.
Shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, bëhet nga një organ i pavarur me Kushtetutë, i miratuar edhe me konsensusin e PD- së në bashkëformim me PS- në, siç është KQZ- ja. Përgjegjësitë për procesin, janë të këtij organi teksa akuzat e artikuluara, lehtësisht klasifikohen si politike, në kuadër të përballjen politike. Edhe i dorëhequr, Berisha ka të gjithë mekanizmat e nevojshëm brenda PD- së për të orientuar apo drejtuar betejën, siç e konsideron ai, për zbardhjen e denoncimin e manipulimeve të zgjedhjeve të 11 maj 2025 nga mazhoranca.
Përsa kohë ai mban në shkelje të statutit dhe normave morale postin e kryetarit të PD- së pas certifikimit të zgjedhjeve nga institucionet legjitime, Berisha po krijon thjesht dhe vetëm një alibi që e dëmton rëndë përballë realitetit të krijuar. Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2023, Berisha u votëbesua nga antarësia dhe u rikonfirmua si kryetar legjitim. Gabimi i vetëm i “Nenit Basha”, duket se është fjalia e fundit “Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.”. Por edhe këtë, Berisha ka të gjithë mekanizmat ta ndryshojë ose ta heqë fare. Mjafton një mbledhje e Kryesisë, Këshillit Kombëtar e në fund, e Kuvendit Kombëtar. Sepse në finale, çdo subjekt politik ka të drejtën e tij të mbajë në krye edhe një kryetar humbës, pa i dhënë llogari askujt.
Megjithatë, kjo duhet sanksionuar në Statutin e kësaj partie politike. Ashtu siç e ka edhe PS- ja për shembull. Hera e fundit që Rama është votuar si kryetar i PS- së, është viti 2009, përballë Maqo Lakrorit. Sepse e ka shënuar në Statut se kryetari që fiton zgjedhjet politike, nuk ka nevojë të votohet brenda PS- së. /Nga Sokol N. SOKOLI/