
Për 16 vite, Viktor Orban konsiderohej edhe si autokrat në një nga vendet e Bashkimit Europian siç është Hungaria. Për 4 mandate, ai ia doli të qëndronte në krye të qeverisë, në jo pak raste, edhe në kundër rrymë me vetë politikat e BE- së. Nuk ngurronte të rreshtohej në krah të Rusisë në arenën ndërkombëtare, të ndërtonte politika nacionale kundër emigracionit dhe të ngrinte zërin kundër edhe për çeshtje sensitive, lidhur me komunitetin LGBTQI+.
Rrëzimi i tij nga pushteti, konsiderohet deri diku edhe si lehtësim për BE- në dhe NATO- n, organizma që tashmë mund të konsiderohen edhe më kompakte. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe në pushtet, arriti “të hajë kokat” e të paktën 3 drejtuesve të opozitës hungareze, e cila me synim rikthimin në pushtet, pas humbjeve ose edhe më herët, ndryshonte lidershipin.
Nga viti 2010- 2018, opozita ishte e fragmentarizuar dhe figurat kryesore ishin 3: Attila Mesterházy, Gyula Molnár, Gábor Vona. Në 4 vitet që pasuan, 2018- 2022, pari përpjekje për bashkim të opozitës me figura kryesore Péter Márki-Zay, kandidati i përbashkët i opozitës në zgjedhjet e 2022, Ferenc Gyurcsány, ish-kryeministër dhe Klára Dobrev. Vetëm në vitin 2024, në skenë doli Péter Magyar, i cili ditën e djeshme arriti të largojë pas 16 viteve nga pushteti Viktor Orban.
Për hir të realitetit, Orban nuk u rrëzua nga opozita me të cilën u përball për rreth 16 vite. Ai u rrëzua nga një individ, i shkëputur nga partia e tij në vitin 2024. Magyar krijoi partinë “Tisza”, duke marrë emrin e njërit prej lumenjve kryesore të Hungarisë. Brenda rreth 2 viteve, ai arriti të bëhej figura kryesore e opoyitës, të imponohet dhe ti japë fund qeverisjes së ish- idhullit të tij, Viktor Orban.
Ndërsa Europa merr frymë e lehtësuar pas largimit të Orban, edhe në Shqipëri kanë nisur intepretimet, për të gjetur analogjitë me mundësinë e ndryshimit të qeverisjes aktuale, e cila është fiks në mandatin e katërt radhazi, siç edhe ishte Orban deri dje. Së pari, duhet pranuar se populli hungarez dhe ai shqiptar, nuk kanë shumë ngjashmëri, as në gjenezë dhe as në traditë ushtimesh demokratike. Aq më shumë, kur diferenca e parë është shumë e dukshme: Hungaria pjesë e BE- së, ndërsa Shqipëria aspirante për të hyrë në BE.
Së dyti, siç u evidentua më lart, opozita në Hungari, edhe pse pa sukses deri dje, bëri “ushtrime demokratike” brenda saj, për të tentuar fillimisht ndryshimin e vet, për të bindur edhe hungarezët. Në Shqipëri, “de facto”, edhe pas 2013- ët, lideri i opozitës shqiptare është i njëjti. Pastaj, mes një 45- vjeçari në Hungari dhe thuajse 82- vjeçari në Shqipëri, diferencat janë të thella në kuptimin e shpresëngjalljes apo shpresëndjelljes së votuesve.
E treta, ndoshta më e rëndësishmja, Orban nisi të shkërmoqej deri në rrëzim, nga brenda partisë së tij politike, duke nënkuptuar se një segment i rëndësishëm politik, iu bashkua fluksit të opozitës hungareze, duke u vënë vetë në krye të saj. Pra, Orban nuk u rrëzua ideologjikisht, me program të ndryshëm por me numra, që u konvertuan në votë plebishitare popullore. Avokati që fitoi zgjedhjet, parashikohet të ketë 138 vende në parlamentin hungarez përballë 55 të Orban, ndërsa pjesëmarrja në votim ishte rekord për vendin, rreth 77%. Madje, as ndërhyrja e mikut dhe aleatit Trump në fushatë, “nuk i bëri fajde” kryeministrit Viktor Orban.
Sigurisht, çdokush ka një lexim të vetin për Hungarinë dhe reflektimin në Shqipëri, por ta shohësh “ftohtë”, opozita shqiptare aktualisht “ka punë me veten”, për tu bërë një shembull hungarez si ai i të dielës. E për ta mbyllur, ndërsa festohet rrëzimi i Orban në Hungari, nuk është e qartë vijimësia e partis së tij “Tisza”, vetëm dy vjeçare. Nga Italia por edhe Greqia, vijnë shembuj të partive që lindën me mision për të prishur statusquo-në për të mos patur vijimësi të qendrueshme. “Forza Italia” dhe SYRIZA, mbase më të njohurat. /ShkodraWeb/




