Shtëpia e re e lirisë me emrin kuptimplotë “Poli i Drejtësisë” është dhurata që ka marrë në tre vjetor një fëmijë…që akoma nuk ka lindur! Diplomatë të huaj, qeveritarë të ekzekutivit dhe qeveritarë të sistemit të drejtësisë, kanë festuar sot si “të çmendur”. Madje ka edhe të ngjashme me ato të komunizimit të tipit “SPAK-u do të çlirojë Shqipërinë nga korrupsioni”! Nuk e dimë nëse vazhdojnë të na konsiderojnë si “njerëz që jetojmë akoma majë pemëve”, sepse përndryshe një mufkë e tillë, në kushte normale, nuk duhet nxjerrë nga një gojë humanoide.
Nga korrupsioni nuk janë çliruar akoma vende si SHBA, Gjermani, Itali, Greqi etj., që kanë dekada që po ndërtojnë e transformojnë sistemin e tyre të drejtësisë. E sipas gjasave, nuk d t’ia dalin kurrë ta çlirojnë. “Korrupsioni është lubrifikanti i kapitalizmit” është një shprehje që qarkullon dendur në Shqpëri, por natyrisht nuk e kemi shpikur ne.
Nën euforinë e një feste që duhet të kulmojë me realizimin e një endrre praktikisht të pamundur- “çlirimin e Shqipërisë nga korrupsioni”, është e justifikuar çdo marrëzi. Nëse keni lexuar apo edhe ju kujtohet, ne kemi festuar “çlirime” të shumta, që nga romakët, osmanët, serbët, malezezët, francezët, grekët e…kujt i ka rënë rruga këtej. Madje, kemi festuar edhe “çlirimin” nga komunizmi edhe pse sot, shumë prej nesh shohin me frikë një rikthim disi më të zbutur, në formën e instalimit si “eksperiment social”.
E për tu kthyer tek festa, sot ishte ditëlindja e tretë e një fëmije që akoma në fakt nuk ka lindur. Ai është në fazën e formimit, pasi ka kaluar ngjizjen, e cila ishte e lehtë me kontributin e 140…duarëve të ngritura lart apo të futura poshtë, në tavolinën e çdo deputeti në Kuvend. Në fakt, janë ngritur e duket po funksionojnë disa organe si KPK, KPA, KED, KLP, KLGJ e tash pritet SPAK e BKH. Mos u lodhi ti deshifroni, janë pak a shumë si organet apo eshtrat e një fëmije që duhet të krijohet para se të nxjerrë kokën nga…e të shohë dritën për herë të parë.
Këto organe siç e thamë, kanë nisur të punojnë. Siç ndodh rendom në këtë vend, ka të pakënaqur siç ka edhe shumë të kënaqur. Dhjetra ish- gjyqtarë e prokurorë janë përjashtuar, të tjerë mbase do të kenë rradhën. Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë ka disa vite që janë jashtë funksionit, por është thjeshtë “një efekt anësor” i lindjes së pritshme të këtij fëmije. Këtu mbase mund të përfshihet si “efekt anësor” edhe PPP-ja, jo ajo e financave por e organit të Akuzës.
Përtej rezervave, askush nuk ka të drejtë të paragjykojë se si do të vijë në jetë ky fëmijë i shumë pritur. Edhe pse organet e tij nga shumëkush shihen si jo të mirëformuara, nuk përjashtohet të ndodhë rrugës ndonjë “mrekulli”. Të paktën, këtë endërrojnë “prindërit”. E meqë jemi tek organet, “spastrimi” i drejtësisë po bëhet bazuar në tre kollona: pasurinë, integritetin dhe profesionalizimin. Mos pyesni kot se cilat organe të tjera, ekzistuese, bëjnë certifikimin. Ajo dihet tashmë…edhe kush i komandon. Por…pa emra sot.
Fëmija që nuk ka lindur akoma, festoi sot tre vjetorin. Nuk është e qartë se kur do të lindë, aq më shumë nëse do të jetë fëmijë i mbarë. Ç’punë i prish “dadove” ndërkombëtarë?! Po nuk doli si parashikohet, “vritet” dhe nis ngjizja e një fëmije tjetër. A nuk ka ndodhurr kështu në Shqipëri këto 30 vite?! E harruat reformën kushtetuese, atë zgjedhore, atë të “drejtësive” të kaluara?! Punë e madhe fort! Po nuk u bë sivjet, bëhet pas dy-tri viteve. E po kaluan më shumë vite? Hall i madh fort…punë shqiptarësh hesapi! Janë mësuar të presin, për herë të fundit, 45 vjen nën diktaturë e në mes të Europës! Gjithsesi, “dadot” do të vazhdojnë ti marrin rrogat e majme si diplomatë- tutorë të këtij vendi.
E në këtë përvjetor të tretë të fëmijës që akoma nuk ka lindur, do të dëshironim ti bënim vetëm disa pyetje “organeve” shqiptare por edhe “dadove”: A e dini ku bie Durrësi? A e dini se ka një gjykatë të shkallës së parë? A e dini se dy gjyqtarë, për të njëjtën çeshtje, brenda 48 orëve, dhanë dy vendime të ndryshme? A na servirni dot një precedent nga vendet tuaja “të prapambetura” perendimore në Drejtësi? Jo për gjë, por meqë është vetëm pak ditë para ditëlindjes së tretë të fëmijës së palindur!
Apo kjo është “çeshtje e juaja e brendshme”, duhet ta zgjidhin institucionet shqiptare… Po cilat institucione apo…të presim lindjen e fëmijës dhe të shpresojmë të bëhet…i mbarë!
Gëzuar tre vjetorin o fëmijë akoma i palindur! Ardhsh shpejt, me këmbë të mbarë e me mend në kokë dhe pa…keqformime! Edhe pse ADN-ja që po të injektojnë duket si vijimësi e jona! Por sot, pa emra…e thamë! /Nga Blerti DELIJA/
P.S. Mjaft me këtë sloganin “Drejtësia e re”! Drejtësia është vetëm një, as e re, as e vjetër por e vertetë! Jo qesharakë deri në këtë pikë! Ju të “organeve” por edhe “dadot”!