Rreth 362 mijë nxënës janë ulur sot në bankat e dijes në ditën e parë të vitit të ri shkollor në Shqipëri. 24 mijë syresh janë më të kënaqur apo më të ndrojtur sepse për herë të parë ulen në bankat e shkollës. Pavarësisht kalimit të viteve, ndërrimit të sistemeve, “1 shtatori” mbetet akoma tradicional për familjet shqiptare, pavarësisht zhvendosjes në data nga viti në vit.
Në të gjitha mediat, trumpetohet sot për “libra falas”, “godina të reja apo të rikonstruktuara”, “ngrohje”, “banka e stola”, “mjete didaktike e laboratorë”. Natyrisht, sot është dita që të gjithë të merren me ”festën” por edhe me “paradën e sukseseve” të sistemit mësimor parauniversitar në vend. Askush nuk ka kohë të merret me pjesën e hidhur, më pak të dukshme për shoqërinë tonë por që eshtë një “plagë” e çelur në këndvështrimin e të ardhmes.
Ndoshta duhet folur sot edhe për atë fëmijën në Berat që nuk ka mundësi të shkollë në shkollë për arsye ekonomike të familjes, edhe për atë tjetrin që do të vazhdojë të qëndrojë pas hekurave të dritares me shpresën që ndonjë mësuese si Liliana do të shkojë në shtëpi për ti dhënë dije sepse në shkollë i rrezikohet jeta nga gjakmarrja. Sot duhet të kujtohemi edhe për ata fëmijët e Bulqizës por edhe zonave të tjera në vend që në vend të shkollës, vazhdojnë përditshmërinë e tyre për të siguruar jetesën e familjes duke mbledhur copa kromi, kanaçe apo shishe plastike.
Të gjitha këto sot janë apo mund të jenë pjesë e kronikave televizive apo portaleve të ndryshme, në garë edhe për audiencë e klikime më shumë se si “këmbanë alarmi” e një situate që fatkeqësisht nuk po njeh përmirësim të dukshëm.
Por sot, duhet të shqetësohemi më shumë për një tjetër fenomen, duke ngritur një pyetje të thjeshtë: Kush ulet në “bankat e dijes” ditën e sotme e ditët në vijim?
Sipas statistikave të vetë Ministrisë së Arsimit, sivjet në banka ulen 362 mijë nxënës. E sipas të njëjtave burimeve, vjet në “1 shtator” ishin rreth 480 mijë. 120 mijë më pak, brenda një viti të vetëm është ulëritëse. 24 mijë ulen sivjet për herë të parë, njofton Ministria e Arsimit por janë 8 mijë më pak se një vit më parë. Që do të thotë, se jashtë Shqipërisë po largohen nga klasa e parë e fillores deri në vitin e tretë të gjimnazit. Natyrisht, bashkë me familjet e tyre pjesa më e madhe sepse në masë kemi të bëjmë me minorenë, nën moshën 18 vjeç. Sa vetë mund të kenë braktisur Shqipërinë vetëm vitin e fundit? Indirekt kjo pyetje mund të marrë përgjigje me një veprim artimetik. Mjafton të shumëzoni 120 mijë me një, dy, tre apo katër. Në të gjitha rastet, produkti i këtij veprimi të thjeshtë duhet t’i ngrejë qimet e kokës përpjetë nga Presidenti, Kryeministri, Ministrja e Arsimit, Kryetari i Bashkisë… Por jo, sot nuk ka kohë askush të merret me këtë pjesë. Sepse sot është festë! Por nuk jemi marrë as në 364 ditët e kaluara, siç nuk do të merremi as në 364 të tjerat. Mbase më të shqetësuarit janë mësuesit. Ulja e numrit të nxënësve u rrezikon direkt vendin e punës. Fillimisht me reduktimin e normës së orëve të mësimit, rrjedhimisht edhe të rrogave. Më pas, edhe me rrezikun e suprimimit të vendit të punës për shkak të mbylljes së klasave apo shkollave.
Në “1 shtatorin” vitit 2020, përsëri do të kemi “paradën e sukseseve”. Por sipas gjasave, përsëri do të raportohet një numër më i vogël i nxënësve në shkollat shqiptare. E në të gjitha rastet, statistikat nuk do të jenë asnjëherë të plota. Sepse nuk dimë sa fëmijë futen në kopshte e çerdhe dhe për ata, të cilët mbi 18 vjeç dhe me një pasaportë në xhep, kanë fituar të drejtën e braktisjes së atdheut. Nëse vazhdon të quhet akoma i tillë një vend që po përzë fëmijët e tij. Pa u ndjerë, pa zhurmë por me shumë dhimbja e pasoja. Që do të shihen në vitet në vijim! Gëzuar “1 shtatorin” të gjithëve! /Nga Blerti DELIJA/