ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

OPINION/ Ra edhe kryebashkiaku i dytë, nëse bie edhe i treti dhe ka një të katërt…

Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, kryebashkiak i Vorës do të jetë i dyti që do të duhet të lërë zyrën e tij. Një vendim paf.ajësie që e kënaq sepse mund të hyjë e të dalë lirshëm në Greqi, i shënën fundin e parakohshëm të mandatit Kajmakut të PS-së. Mos deklarimi në formularin e depozituar në KQZ, sjell largimin e Jorgos nga drejtimi i Bashkisë Vorë. Jo vetëm kaq. Me drejtësinë shqiptare talashet sapo i kanë nisur dhe pritet të ketë pasoja juridike, ndoshta edhe burg…

Nëse nuk do të ketë dorëheqje nga Kajmaku, Prokuroria duhet të presë përgjigjen zyrtare të homologëve grekë për të dërguar kërkesën në KQZ për t’i hequr mandatin kryebashkiakut të Vorës. Nga aty, do të jetë Prokuroria që do të ketë “punë” me kryetarin e Bashkisë.

Ndërsa është i dyti në rradhë pas Valdrin Pjetrit, PD këmbëngul se edhe një i tretë, Mark Babani i Vau- Dejësit, duhet të lirojë zyrën e kryebashkiakut. Janë paraqitur disa dokumente, pritet që në ditët në vijim PD të publikojë edhe të tjera, e bindur se Babani me tre ditëlindje dhe po kaq emra të ndryshëm, ka shkelur ligjin e dekriminalizimit.

PD ka paralajmëruar se po verifikon edhe 7-8 kryebashkiakë të tjerë të dalë nga “30 qershori”. Por nëse janë vetëm tre apo ka edhe një të katërt, çfarë ndryshimi ka?! Asnjë! Është e thjeshtë të kuptohet se kur “ngjarja” përsëritet disa herë, nuk është më rastësi. Edhe kur ishte e qartë se po garonte i vetëm, kur fitorja ishte ngjarje me probabilitet 1, Edi Rama përsëri kandidaoi individë me të kaluar të errët dhe të padeklaruar. Sepse po ta deklaronin, nuk do të mund të kandidonin, e thjeshtë kjo!

Nuk do të ketë asnjë ndryshim nëse do të mbeten tre, katër apo dyzetekatër kryebashkiakët me “hije në biografi”. Nga rasti në rast, përgjegjësia e Ramës dhe e stafit të tij në përzgjedhjen e emrave, vetëm rritet. Përveç problemeve të evidentuara nga OSBE/ODIHR dhe opozita për “30 qershorin”, zgjedhja pa garë e kryebashkiakëve me të kaluar kriminale të padeklaruar, i fundos përfundimisht këto votime. Nga Shkodra deri në Sarandë, askush nuk është i sigurtë se kryebashkiaku që e udhëheq bashkinë, nuk ka probleme me të shkuarën e tij. Përjashto ata që janë “përsëritës” në karriket që mbajnë.

Natyrisht, përgjegjësia juridike është individuale e çdo kryebashkiaku e për këtë, ata duhet të përgjigjen përballë ligjit. Por nuk duhet harruar përgjegjësia politike në momentin e përzgjedhjes dhe përgjegjësia morale në momentin e zbulimit të shkeljeve ligjore. Rasti i Kajmakut në fakt, është më flagranti deri tani. Sepse deri me 12 shtator që u shpall i pafajshëm nga një gjykatë e Janinës, ai nuk ka patur asnjë mundësi të sillte një dokument të pastër për gjendjen gjyqësore. Kjo qoftë me gjeneralitetin Agim Kajmaku, qoftë edhe me atë të Jorgo Toto. Pra, kryebashkiakut të Vorës ose nuk i është kërkuar, ose ka dorëzuar një të falsifikuar në PS.

Me rastin e Kajmakut, Edi Rama nuk ka më asnjë argument, asnjë justifikim për ata që i zgjodhi t’ia paraqesë shqiptarëve si kryebashkiakë me 30 qershor. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që mund të rrëzonte votimet e ditës së fundit të qershorit, do të ishin një çlirim edhe për vetë Ramën. Një pushtet lokal si ai i tre kryebashkiakëve të kapur mat deri tani, vetëm e përafron me imazhin që prej shumë muajsh, opozita po përpiqet ti evidentojë kryeministrit të vendit! /Shënim i ShkodraWeb/

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.