Sistemi politik që kemi si Republikë Parlamentare, do të thotë se tërë fuqinë legjislative e ka mazhoranca parlamentare dhe tërë fuqinë ekzekutive e ka po mazhoranca parlamentare, ku mjafton të bësh 50 + 1 të mandateve dhe kap të drejtën e timonit ndoshta edhe pa e pasë patenten. Pra ajo forcë politike apo ai koalicion politik që kap këtë shumicë, jo shumë të vështirë, ka të drejtën e sundimit në këte vend.
Deri ketu mirë, shumë kush mund të shprehet, po, deri sa janë mazhorancë, ato duhet të vendosin. Paradoksi qëndron që përveç ndryshimeve legjislative dhe zbatimeve ekzekutive, kjo mazhorancë e thjeshtë 50 + 1 formaton edhe institucionet e rëndësishme të Shtetit, fjala vjen Presidencën.
Historia e caktimit dhe votimit të Presidentit këtu tek ne, i ngjan më shumë një pazari se sa një përzgjedhje, një pazari që për të zgjidhë një ngërç në vijimësinë e sundimit të mazhorancës, pra për të mos dorëzuar sundimin, caktojnë individin, të cilin mendojnë se e godasin krejt thjesht e lehtësisht.
Përveç Presidentëve Berisha dhe Mejdani, të gjithë të tjerët, Moisiu, Topi, Nishani, dhe aktualisht Meta, janë dërguar aty për të qenë lehtësisht të goditur si tabelë qitje. Edhe nëse Presidenti i zgjedhur ka tentuar të jetë mbi palët, ka qenë githnjë mazhoranca që e ka votuar, ajo që ka dalë kundër diskurit të tijë si President. Mazhorancat zgjedhore të Presidentit, në çdo kohë janë treguar arrogante me vetë Presidentin, arroganca ka kapë nivele ekstreme deri aty sa thuhet rëndom se ne e zgjodhëm e duhet të na e dijë për nder.
Nëpërmjet arrogancës ka prevalu tentativa për të nënshtru Presidentin që me gjunjëzimin e tijë, të kapen të tjera institucione kushtetuese sipas ligjeve ku Presidenti është palë propozuese. Kur nuk i ka shku përshtat mazhorancave, Presidenti, sipas tyre është treguar i njëanshëm. E si mund të jetë i paanshëm një President që luftohet më së pari nga ato që e propozuan dhe e votuan. Si mund t’i thuhet Presidentit se Dekretet tuaja nuk vlejnë as deri aty, si mund ti thuhet Presidentit ose Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, që nuk të njoh dhe bëj çfarë të dua unë me ushtrinë, e nxjerr në rrugë me kallash në dorë kundër popullit, siç ishte rasti i karantinës, si mund t’i thuash Presidentit që edhe të vetmen hapësirë që ka, dekorimin e shqiptarëve të veçantë, mos e bëj se kështu them unë e po i bie ndesh platformës së mazhorancës.
Si mund të ketë njerëz që nuk mund të bëhen as “president” të shtëpisë së tyre, të na shfaqen përditë në komisione, se po e shkarkojmë, jo do e ngarkojmë Presidentin. Dhe e fundit si mund të hartohen e votohen ligje për rishikimin e kompetencave të Presidentit, thjesht e vetëm me tregu se ne të kemi në dorë. Pra në përmbledhje të të gjithave si mund të jetë një President i pavarur dhe mbi palët. President i pavarur dhe i paanshëm mundet me ken veç ai që zgjidhet me votë popullore, pra direkt nga populli me kandidatura alternative.
E pra nuk mundet t’i kërkohet Presidentit aktual që mos të përfshihet në këtë luftë të pandershme politike. Një politikani race që nuhat mirë politikisht, e ndjen çdo tentativë për autokraci e rrënim të demokracisë në vend, e sheh çdo ditë rënien në nivele katastrofike të zbatimit të të drejtave të njeriut dhe varfërimit të shoqërisë në favor të një grupi krejt të vogël oligarkësh.
Asgjë nuk humbet shoqëria jonë, përkundrazi, fiton, nëse në skakieren politike Shqiptare shfaqet poli i tretë, Mazhorancë, Opozitë dhe Presidencë. Që të thyhet kjo arrogancë e madhe e mazhorances njëngjyrëshe, lipsen shumë gryka “zjarri” të specializuara. Lipset bashkimi e bashkëpunimi i të gjithë atyre që shohin e ndjejnë se e keqja ka kap fundin. /Nga Edip SHIROKA/