OPINION – Pse nuk mund të jetë e lirë dhe e pavarur media shqiptare, refleksion i përvitshëm me 3 maj…

Sot është 3 maj. Gazetarët, njerëzit e medias por tashmë jo vetëm ata, e dinë domethënien. Prej rreth 32 vitesh, jemi nisur të ndërtojmë media. Media të lira. Media të pavarura. Të pavarura fillimisht ekonomikisht. Më pas, edhe nga politika dhe oligarkët.

Nuk është aspak çudi, që si në çdo aspekt tjetër të jetës sonë 32 vjeçare si shtet në rrugëtim ndaj demokracisë, kemi dështuar edhe për të garantuar media të lirë, të pavarur dhe mbi të gjitha, në sherbim të publikut.


Renditjet e përvitshme veçse evidentojnë hendekun që kemi edhe me vende fqinje Ballkanike, madje edhe me Kosovën e re si shtet. Në të njëjtën ditë, kryeministri e quan genjeshtër se gazetarët janë viktima të dhunës policore në këtë vend. Sigurisht, ashtu siç vazhdojmë të jemi vend kampion për shumë gjëra, edhe për dy satelitët që hodhëm në hapësirë sepse këtu në tokën tonë, nuk mbeti asgjë për tu bërë.

Me përjashtim të një grupi VIP gazetarësh, pjesa më e madhe nuk kanë të zgjidhur më elementaren, pjesën ekonomike të mbijetesës së tyre dhe të familjeve. Nëse kërkon të jesh profesionist deri në fund, duke mbajtur në dorë vetëm një mikrofon, rrezikon të shkosh në fund të muajit duke kërkuar para borxh tek të afërmit. E kështu, nis çalon pjesa profesionale për të siguruar atë ekonomike. Problem i kahershëm që nuk do gjejë zgjidhje, ndoshta kurrë në këtë vend.

E kështu, rastis që në shumë media, përsëritet i njëjti lajm, të njëjtat plane, mund të ndryshojë vetëm zëri i spikerit dhe intonacioni në leximin e të njëjtave fjalë. Në shumë raste, lajme kombëtare që kthehen në lokale e anasjelltas.

Sot, dëmi më i madh i lirisë së medias dhe gazetarëve, nuk është censura, ndërhyrja e “të fortëve”, politikës, oligarkëve e pronarëve në pjesën profesionale. Është autocensura, vetëcensurimi që gazetarët i bëjnë vetes. Në jo pak raste me kosto por edhe me përfitime në të tjera.

32 vite pas 1990- ës, vazhdoj të shoh si problemin më të madh mungesën e një ligji për statusin e gazetarit. Mund të jetë “Urdhri i Gazetarit”, pak rëndësi ka emri por të jetë një ligj- instrument në dorën e gazetarëve. Të jenë të mbrojtur me ligji nga të gjitha anët, nga të gjitha drejtimet por edhe të vetërregullohen nga licensimi deri tek heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit.

Politikës nuk i intereson, shoqatave të gazetarëve nuk u intereson apo mbase kanë dështuar, edhe pse ngurrojnë ta pohojnë. Çdo 3 maj, shkëputemi pak çaste nga rutina e përditshmërisë për tu kujtuar për vete, për të qarë hallet e vetes. Më pas, zhytemi sërish në përditshmërinë e zakonshme në pritje të një 3 maji tjetër. Thjeshtë për të ngritur kokën nga tastiera, pasi konstatojmë saktësisht të njëjtat gjëra. edhe pse kanë kaluar më shumë se 32 vite. Po, kemi më shumë pasanikë në radhët tona dhe që mbajnë badge- n e gazetarit. Pa bërë mbase anjë ditë “gavetë”. Gëzuar 3 majin kolegë! /Nga Blerti DELIJA/