Sigurisht, Shteti Sovran Bektashi apo Urdhri Sovran Bektashi, nuk do të ngjizet dhe as te funksionojë ndonjëherë brenda territorit të Shqipërisë. Me përjashtim të zotërimit të pronës apo pronave që ky komunitet i zotëron dhe mund ti administrojë në interesin e tij, nuk ka asnjë mundësi që Shqipëria ti dhurojë sovranitet si shtet apo edhe ekstraterritorialitet si trup diplomatik.
I lindur si tarikat brenda Islamit diku në shekullin e 13- të, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve u stabilizua diku në vitet 1924- 1925 pasi u përzunë nga Turqia e Mustafa Kemal Ataturkut dhe u mirëpritën nga qeveria e Ahmet Zogut, akoma i pashpallur mbret i shqiptarëve. Pavarësisht shfaqjes në shekullin e 13- të, ky komunitet ka një histori relativisht të re në Shqipëri, aq më pak të krahasohet me Vatikanin, i cili kishte lindur e njohur shumë përpara Italisë së bashkuar.
Nuk ka dyshim se bektashizmi ka ekzistuar në Shqipëria edhe para vendosjes së Kryegjyshatës Botërore, sigurisht ka patur prona si komunitet, siç edhe i janë dhuruar përgjatë viteve nga besimtarë të ndryshëm. Prona ka jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende të tjera ku ky sekt mysliman, ka besimtarët e vet. Në momentin e ardhjes në Shqipëri të Kryegjyshatës Botërore, nuk ka asnjë akt që ky komunitet do të kishte një status të veçantë më të privilegjuar se besimet e tjera që në atë kohë, ekzistonin edhe më të shumtë në numër.
Sovranitet brenda kufijve të Shqipërisë, nuk ka asnjë mundësi që Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve të ketë. Së pari e pengon Kushtetuta por edhe konventat ndërkombëtare. Është e qartë se Shqipëria është një shtet unitar dhe territori i saj është i pandashëm. Edhe nëse do të ecej në linjën e sovranitetit dhe do të realizoheshin të gjitha ndryshimet e mundshme kushtetuese e ligjore (praktikisht e pamundur!), do të ishte paradoks juridik, madje gafë që një kryeministër shqiptar të firmoste me një shtetas shqiptar, kryegjyshi botëror Edmond Brahimaj për krijimin e një mikro shteti brenda territorit të Shqipërisë. Praktikisht, pas dy shteteve- Shqipëri, Kosovë, do të krijohej një tjetër shtet shqiptar në Ballkan. Kujt do ti sherbente?! Askujt!
Në të njëjtën linjë, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, e ka të pamundur edhe të marrë ekstraterritorialitet, pak a shumë si përfaqësitë diplomatike apo edhe si marrëveshja Shqipëri- Itali për refugjatët në Gjadër dhe Shengjin. Për të dhënë këtë status, shteti shqiptar duhet të ketë përballë një shtet tjetër të huaj, i njohur ndërkombëtarisht sipas konventave. Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve është thjesht e vetëm një entitet fetar, me një status si besimet e tjera fetare në Shqipëri.
Patrikana e Stambollit ose Patrikana Ekumenike e Konstandinopojës, një entitet fetar shumë shekullor në Turqi, nuk ka status të ngjashëm me atë që kërkon Kryegjyshata Botërore e Bektashive në Shqipëri, edhe pse konsiderohet si kisha mëmë e thuajse të gjithë orthodhoksëve të globit. Ky është një tjetër argument kundër Bektashi State në territorin e Shqipërisë, edhe pse me gjasë, nuk ka asnjë mundësi të realizohet ndonjëherë… /Shënim i ShkodraWeb/