OPINION – Pse duhet të ketë frikë nga Kuvendi Kombëtar apo kongresi i një partie politike…?

Sigurisht, nuk mund të thuhet se flasim në parim. Këlto rreshta në vijim kanë shtysë kryesore atë që po ngjet në Partinë Demokratike javët e fundit, më saktë nga 9 shtatori 2021. Beteja, pavarësisht se e personalizuar dhe jo vetëm nga mediat në Basha- Berisha, është e përqendruar në një pyetje thelbësore për të gjitha subjektet politike në vend: A mund dhe duhet të mblidhet Kuvendi Kombëtar apo kongresi kur atë nuk e kërkojnë forumet e ngushta por antarët (delegatët) e tij?

Në këto 30 vite, nëse ndodh, më rezulton se është hera e parë që një kuvend kombëtar (kongres) i një force të madhe politike, të thirret bazuar në vullnetin e “të vegjëlve”. Gjithmonë janë thirrur nga kryetarët, kryesitë apo këshillat kombëtarë (asmabletë kombëtare), asnjëherë nga antarësia (delegatët) e tyre. Por a është ky një shkak, një arsye për tu frikësuar, aq më keq, për tu përpjekur për frenimin e kësaj inciative?


Historia e njerëzimit ka treguar se “demokracia direkte” është më e kulluara në një sistem të ngjashëm me atë që kemi ne. Shembulli më konkret e i suksesshëm, është Zvicra. Po ashtu, “demokracia direkte” ka sjellë në pushtet edhe monstra të ngjashme me njëri- tjetrin si Stalini, Hitleri, Mussolini, Enveri. Natyrisht, në rrethana të caktuara shoqërore e në rastin e Shqipërisë, në kushtet e mungesës së një traditë- kulture demokratike. Të cilën në fakt, as sot pas 30 viteve “demokraci”, duket nuk e kemi.

E për të vijuar me shembujt e mësipërm, vetë njëherë ata patën nevojë për votën direkte të qytetarëve, pasi më pas ata nuk zhvilluan më zgjedhje për tu larguar nga pushteti përmes luftrave si Hitleri e Mussolini apo nga vdekja natyrore si Stalinin e Enveri. Këto janë shembujt kontradiktorë, edhe pse në ditët e sotme, preferohet nga vendet me demokratike, vota direkte për zgjedhjen e liderëve të vendeve më të zhvilluara.

Aksioma e pakundërshtueshme mbetet “sovrani nuk gabon asnjëherë” por që mbase duhet shoqëruar me thënien e njohur “kapitalizmi nuk është sistemi më i mirë, por gjeni një më të mirë dhe e ndryshojmë”. Tani të kthehemi tek çeshtja që u bë shkak për të shkruajtur këto radhë.

Partia Demokratike, si çdo parti tjetër, ka “kushtetutë” të veten statutin. E në këtë statut, veç forumeve të ngushta vendimmarrëse nga kryetari tek Këshilli Kombëtar, parashikohet edhe “demokracia direkte”, siç është zgjedhja e liderit me parimin “një antar, një votë”. Mirëpo, përveç këtij parimi, ka edhe një tjetër: delegimi i pushtetit vendimmarrës, tek një organ më i madh kolegjial, gjithëpërfshirës, siç është Kuvendi Kombëtar. Me statut, këtij organi, i janë dhënë të gjitha kompetencat, deri tek shkrirja e partisë. E thënë ndryshe, mund të vendosë për mosekzistencën e kësaj force politike, që nënkupton se mund të shkarkojë e emërojë të gjitha organet e tjera të partisë.

Përzgjedhja e antarëve (delegatëve) të Kuvendit Kombëtar, është e rregulluar me statut. Askush nuk mund të dalë jashtë këtyre kontureve. A është gabim të mblidhet Kuvendi Kombëtar në kushtet e përballjes Basha- Berisha në PD? Opinionet janë të shumta, të ndryshme por diskutimet duhet të marrin fund duke iu referuar “kushtetutës” së demokratëve, statutit të PD- së. Lirisht, një numër i caktuar delegatësh mund të therrasin Kuvendin Kombëtar, edhe nëse forumet e ngushta kolegjiale nuk e kërkojnë. Ky është hapi i parë.

Hapi i dytë është zhvillimi i punimeve të Kuvendit Kombëtar, të cilat fillojnë kur janë të pranishëm jo më pak se gjysma e antarëve (delegatëve) të tij. Nëse nuk plotësohet kuorumi, ai nuk mund të mblidhet dhe mbledhja e firmave nga delegatët, kthehet në nul juridik. E në këtë rast, fituesi do të njihej qartësisht.

Kryetari aktual i PD- së Lulzim Basha, nuk ka vendosur ti drejtohet bazës demokrate për ta bindur se pse nuk duhet të thirret Kuvendi Kombëtar. Kjo në emër të mospërçarjes së PD- së, ndërsa Berisha po bën të kundërtën, duke vijuar mbledhjen e firmave të nevojshme të delegatëve për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. Përballë të dyve, janë antarët (delegatët) e Kuvendit Kombëtar, të cilët nuk janë emëruar as nga Basha e as nga Berisha, por sipas statutit të PD- së.

Sofizmat e tipit se “Kuvendi nuk mund të nisë punimet se vetëm kryetari propozon përfaqësinë që drejton punimet e Kuvendit Kombëtar”, nuk kanë asnjë vlerë juridike apo morale. Nenet e statutiut nuk mund të lexohen e interpretohet të ndara njëri nga tjetri por në frymë integrale. Në momentin që në sallë janë më shumë se gjysma e delegatëve, në atë moment Kuvendi Kombëtar është i ligjshëm dhe mund të ndryshojë me votë rregullat e funksionimit të partisë në moment. Deri sa parashikon të drejtën edhe të shkrirjes apo shpërndarjes së partisë, të gjitha rregullat e tjera ndryshohen më lehtësisht. Madje, statuti i ka dhënë kompetencë Kuvendit Kombëtar të shkarkojë edhe kryetarin e PD- së, edhe pse i zgjedhur me parimin e demokracisë direkte “një antar, një votë”. Natyrisht, kur janë siguruar firmat e të paktën gjysmës së antarëve të Këshillit Kombëtar.

Në zbatimin e rregullave demokratike, PD ka më shumë detyrime se të gjitha partitë e tjera shqiptare. Ajo lindi si parti e “liri- demokraci”, duke zgjedhur edhe mbiemrin “demokratike”. Askush që është antar i kësaj partie, nuk ka arsye ti shmanget apo trembet dërgimit të vendimmarrjes në një trupë sa më të gjërë. Mundësisht edhe përtej Kuvendit Kombëtar, tek antarësia e gjërë e saj. /Nga Blerti DELIJA/