Askush nuk kishte dyshime se Sali Berisha do të zgjidhej kryetar i Partisë Demokratike në votimin “një antar, një votë” të ditës së djeshme, e diel 22 maj 2022. Askush nuk kishte dyshime se do të ishte një fitore shumë e thellë përballë një rivali si Ibsen Elezi, i cili u fut në garë thjeshtë për të mundësuar procedurën e më shumë se një kandidature. Nga sot, zyrtarisht, Sali Berisha rikthehet kryetar i Partisë Demokratike, post që e dorëzoi në 2013- ën pasi PD doli në opozitë në krye të 8 viteve qendrën në pushtet. A është e njëjta PD që Berisha la në 2013- ën ajo që nga sot do ta udhëheqë ish- kryeministri dhe ish- presidenti?!
Komisioni i udhëhequr nga Albana Vokshi, do të zyrtaritojë sot zgjedhjen e Sali Berishës si kryetar i PD- së në fund të një procesi që nisi me 10 shtator 2022, duke u mbështetur në konceptin politik të “rithemelimit”. Gati 9 vite më pas, Berisha rikthehet në vazhdojë punën aty ku e la. Është ekzaktësisht kështu, për disa arsye. PD vazhdon të jetë në opozitë, vazhdon të jetë partia më e votuar e kësaj ane të politikës, vazhdon të synojë marrjen e pushtetit përballë rivalit të përjetshëm të saj, PS- së drejtuar si në 2013- ën nga Edi Rama. Ndryshimi i vetëm i konfirgurimit është LSI- ja, e cila tashmë është në krah të PD- së.
Në 2013- ën, pas 8 viteve në pushtet, PD- ja do të përgatitej për po kaq vite opozitë. Berisha ia dhuroi partinë e drejtuar nga ai me dorë të hekurt “delfinit” të tij Lulzim Basha. Mund të zgjidhte në mes tij dhe Sokol Olldashit, por me gjasë këtë të fundit nuk e preferonte sepse mund të kthehej në një lider të vertetë të PD- së për shkak të formimit dhe lidhjeve që i ndjeri zotëronte. Basha ishte fasada e drejtimit të PD- së dhe që të gjithë, nga antarët demokratë edhe deri tek rivalët socialistë, mendonin se kryetari i vertetë është Sali Berisha. Kjo përshtypje ishte mbizotëruese pavarësisht prëgenjeshtrimeve publike të Basha- Berisha.
Humbja e garës së vitit 2017- ë, duket do të shenjonte fatin e PD- së. Lulzim Basha u ul në tavolinë me Edi Ramën, i dhanë jetë një marrëveshje bashkëqeverisje 6 mujore unikale, e cila do të anatemohej deri në paragjykim që në hapat e parë e deri sot që të paktën zyrtarisht, ka vdekur. Lulzim Basha, sigurisht jo vetëm në mendje të tij dhe në liri të plotë, tradhëtoi 3 muaj të “Çadrës së Lirisë”, duke u gënjyer si fëmijë se mund të merrte pushtetin me pesë apo 10 poste ministrore e drejtorishë të dhuruara përkohësisht nga Edi Rama. Në 2017- ën, PD arriti rezultatin më to dobët nga 1997 por pavarësisht kësaj, Basha mbeti kryetar.
Me ankth pritej mbyllja e ciklit “8 vjet pushtet, 8 vjet opozitë” në 2021- in. Ndërsa pritej që Basha të ishte kryeministër, Edi Rama nisi mandatin e tretë si kryministër pandërprerje i vendit. Basha, në vend të afrohej më shumë me Berishën për të garantuar mbijetesën politike në krye të PD- së, preferoi të futej në lojë me Ramën, me mbështetjen e Yuri Kim. Përflitej gjërësisht dhe hamendësohej edhe nga vetë Rama, një bashkëqeverisje e tipit “grose koalicion” të Gjermanisë në mes Ramës e Bashës, “për interesa madhore të vendit”. Kundërshtari më i rreptë mesa rezultoi, ishte Sali Berisha, që e konsideronte bashkëqeverisjen fatkeqësi për vendin.
E këtu, duket se hyri në lojë ndihmëse Yuri Kim. Përmes linjave zyrtare diplomatike, Sali Berisha me 19 maj 2021, do të shpallej “non grata”, me gjasë për të frenuar nismën e tij kundër bashkëqeverisjes Basha- Rama. Deri me 9 shtator 2021, Basha provoi të bindë Berishën për nevojën e përfitimet e bashkëqeverisjes “grose koalicion” me Ramën por nuk ia doli. Atë ditë, ai shpalli pezullimin e Berishës nga antarësia në Grupin Parlamentar të PD- së, duke i dhënë jetë një lëvizje që kulmoi me zgjedhjen e Sali Berishës në drejtim të Partisë Demokratike, në mbyllje të një procesi që rrëzoi Lulzim Bashën.
Fati i PD- së duket se është tashmë më shumë në duart e gjykatave të këtij vendi. Berisha i zgjedhur kryetar i PD- së me votat e mbi 40 mijë demokratëve, duhet të presë një vendim nga gjykatat për legjitimitetin e lëvizjeve- organizimeve politike partiake në kuadër të Rithemelimit. Nëse vendimet e gjykatave do të jenë kundër Berishës, PD- ja do të jetë “de jure” dhe “de facto” e përçarë, me një pjesë që përveç gjykatave, e njeh edhe Edi Rama e Yuri Kim por jo demokratët shqiptarë. Kështu, Berisha do të ishte kryetar i një PD- je që nuk e njeh shteti shqiptar por as përfaqësi diplomatike të rëndësishme, strategjike për Shqipërinë.
Nëse gjykatat kanë guximin të njohin Komisionin e Rithemelimit, rrjedhimisht Berishën si kryetar të PD- së, Edi Rama është i detyruar ta njohë si opozitë e këtij vendi Partinë Demokratike dhe liderin e saj të votuar me 22 maj 2022. Përveçse, nëse Rama do të ndjekë linjën e shpallur publikisht nga Yuri Kim për ndërprerje të komunikim- bashkëpunimit me një PD të drejtuar nga Berisha. Atëherë, për PD- në e Berishën, do të niste një periudhë aspak e lehtë, mbase më e vështirë se ajo e vitit 1997. Gjithmonë në kuadër të rotacionit të pushtetit, afrimit të Partisë Demokratike në qeverisje të vendit duke larguar PS- në. /Nga Blerti DELIJA/