
Për herë të parë, zyrtarisht, nga nisja e saj, protesta e quajtur “Revolucioni i Flamingove”, bashkoi segmentet më të rëndësishme të opozitës shqiptare në shesh. Ndërsa deri dje, shumë eksponentë të rëndësishëm të PD- së, dilnin në protestë, duke u përpjekur të mos bien shumë në sy, me thirrjen e sotme publike të kryetarit Sali Berisha, të gjithë mund të dalin lirisht, por pa simbolet politike të Shqipërisë.
Atë që nuk e arritën dot as zgjedhjet politike të një viti më parë, e bëri kjo protestë, në dukje e nisur pa asnjë organizim politik. Ndërsa Mundësia e Agron Shehaj, Bashkë e Arlind Qorit dhe Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, ishin pjesë e saj që në start, PD- ja e Berishës mbajti një qendrim të lëkundur, deri ditën e sotme kur u dha “leje” për dalje zyrtarisht në protesta.
Nga dita e sotme, në shesh tashmë është pjesa më e rëndësishme dhe më e madhe e opozitës shqiptare, e përfaqësuar edhe në nivelin më të lartë, siç janë deputetët në Kuvendin e Shqipërisë. Siç është e natyrshme, u kalërua një protestë që në dukje nisi nga çeshtja e pronave në Zvërnec dhe tërheqja zvarrë e një qytetari nga policia private. Nga sot, protesta mund të konsiderohet e opozitës shqiptare kundër qeverisë aktuale dhe kryeministrit të vendit Edi Rama.
Tashmë, edhe nëse i mungonte një legjitimitet i caktuar, edhe politik, kjo protestë e ka. Dorëheqja, zgjedhje të parakohëshme (sepse përveç PS- së nuk ka kush numra për të krijuar e miratuar qeveri në Kuvend), kanë logjikë: Protestuesit kanë të paktën 4 alternativa politike opozitare për të votuar, në përmbushje të synimeve që ata kanë shprehur në protestë.
Ideja e një qeverie tranzitore apo teknike, nuk mund të realizohet pa votat e PS-së, e cila natyrshëm nuk mund të votojë për nxjerrjen e vet në opozitë, teksa ka 83-86 mandate në Kuvendin e zgjedhur pak më shumë se një vit më parë. E në këto kushte, PS- ja dhe Edi Rama, duhet të mendojnë seriozisht zgjedhjet e parakohëshme, brenda 45- ditëve siç e parashikon Kushtetuta, për ti dhënë mundësi të shprehen edhe politikisht, me votë, protestuesve brenda e jashtë vendit! Për tu matur me votë me atë që e konsiderojnë “e keqja e këtij vendi”, Edi Ramën dhe PS. Dhe kryeministri, nuk duhet t’ ua mohojë… /Nga Sokol N. SOKOLI/




