OPINION – Problemet në transmetuesin publik RTSH nuk mund të fshihen e as zgjidhen pas arrestimit të Thoma Gëllçit

Ishte i ftuar në një studio televizive “live” kur shprehu habinë për lajmin që i dhanë: Ish- drejtori i përgjithshëm i RTSH- së, ishte arrestuar nga SPAK. Ata që e kanë ndjekur këtë pohim të kryeministrit Edi Rama, do të kenë mbetur të habitur. Si ka mundësi që lideri global, ai që e dinta para të gjithëve se “Berisha nuk mund të kapërcente Atlantikun” disa vite para se të shpallej zyrtarisht “non grata”, nuk kishte informacion për atë që ndodhte në “mbretërinë” e tij dhe në rangje jo pak të rëndësishme?!

Në fakt, kryeministri jo vetëm kishte dhe ka të gjitha informacionet e duhura për RTSH- në e jo vetëm, por pa hyqmin e tij, Thoma Gëllçi nuk do të mund të emërohej drejtor i përgjithshëm nga Këshilli Drejtues i RTSH- së. Madje, edhe shkarkimi me urgjencë i Gëllçit dhe zëvendësimi i tij me Martin Lekën (i emëruar nga Gëllçi, por i ligjshëm në detyrë?!), ishte pjesë e një projekti. Në fakt, një pjesë e “ajsbergut” doli disi mbi ujë, për ata që kanë qenë të vemendshëm.


Thoma Gëllçi do të largohej, pa i dhënë shpresë për mandat tjetër, sepse në krye të RTSH- së duhej të vinte një gazetar, moderator shumë i njohur i mediave shqiptare. Madje, vetë ky gazetar, në fund të sezonit të kaluar televiziv (në fund të korrikut), njoftoi se nuk do të ishte më pjesë e televizionit ku punonte sepse kishte një projekt tjetër. Me fillimin e sezonit të ri televiziv, gazetari u rikthye në të njëjtin emisioin dhe të njëjtin televizion. Për etikë mes kolegësh, nuk po shkojmë tek emri, edhe pse ata që janë të vemendshëm për emisionet e darkës në mediat e rëndësishme, e kanë kuptuar se për kë bëhej fjalë.

Nuk është e qartë ayrsyeja që u shty ky projekt, por arrestimi i Gëllçit dhe 3 të tjerëve për shpërdorim detyre në një tender për RTSH AGro me vlerë rreth 86 milion lekë të reja, jep indicie. “Terreni” duhej pastruar mirë dhe më pas, mund të vijohej me projektin. Natyrisht, edhe për të hequr përfundimisht nga lista Gëllçin, i cili kërkonte rikonfirmim në detyrë. Nga ana tjetër, Gëllçi nuk u ndal dhe iu drejtua gjykatave për shkarkim të paligjshëm, ndërsa dukej se SPAK, me iniciativë apo me orientim, kishte nisur punën që përfundoi me arrestimin e tij të bujshëm. I bujshëm në stilin e ish- guvernatorit të BSH Fullani, mbase edhe me të njëjtat efekte financiare për shtetin, me vlerë monetare më të vogël se Gëllçi e ka patur rrogën mujore më të vogël se Fullani.

Nuk mund ta quaj mirëfilli një skenar të mirëdetajuar, edhe pse kolegë gazetarë, punonjës në nivele drejtuese në RTSH, folën publikisht për përdorimin të metodave të Sigurimit të Shtetit në këtë institucion. Dolën foto, të cilat kishin qëllim të dokumentonin “tradhëtarët” që shoqërohen publikisht me “kryetradhëtarin” Gëllçi.

Personalisht, nuk e njoh Thoma Gëllçin, nuk e kam takuar asnjëherë dhe nuk mund të them se kam përshtypje të mira për të as si gazetar e as si zëdhënës, zyrtar i shtetit në afërsi të ish- kryeministrave të këtij vendi. Por duke gjykuar nga ajo që bëri me RTSH- në, të drejtat televizive për evente të rëndësishme, platforma mobile RTSH Tani, nuk mund të mos vlerësohen. Ai tashmë është në një përballje me drejtësinë dhe detyrimi i tij, është të vertetojë pafajësinë përballë akuzave. Në të kundërt, si çdo keqbërës tjetër i këtij vendi, e meriton dënimin që mund ti jepet.

RTSH është transmetuesi publik, buxhetin e të cilit e paguajnë shqiptarët. Është ai 100 lekëshi që çso familje, çdo muaj, e paguan në faturën e energjisë elektrike. Pra çdo familje, çdo vit paguan 12 mijë lekë të vjetra për të mbajtur RTSH- në. Përveç fondeve të tjera, të përvitshme, që i alokohen përmes buxhetit të shtetit. Për ta sqaruar më thjeshtë, të gjithë shqiptarët, janë bashkëaksionerë të RTSH- së. Edhe nëse del me fitim, asnjë shqiptar nuk merr asnjë lek nga “investimi” i tyre, me përjashtim të kanaleve që mund të shihen “free”, gratis, pa pagesë.

Kjo për të kuptuar se asnjë president, kryeministër, ministër, drejtor i përgjithshëm apo kryetarit i Këshillit Drejtues, nuk është pronar i RTSH- së. Edhe pse është shumë i fuqishëm, nuk është e nuk mund të jetë as kryeministri aktual Edi Rama. Emërimi i drejtorit të ri të përgjithshëm të RTSH- së (pasuesit të Gëllçit) nuk bëhet se “akoma nuk ka dhënë pëlqimin e tij i madhi”. Kështu shprehet në rrethe të ngushta Martini por edhe Leka.

Sigurisht, ka edhe një problem tjetër që kërkon zgjidhje. Këshilli Drejtues aktual, si edhe paraardhësit, është e duhet të jetë pluralist. Anëtarët e tij duhet të propozohen me alternativa nga opozita dhe opozita e të votohen në Kuvend. Antarët aktualë të asaj që mund të quhet opozitë në Këshillin Drejtues të RTSH- së, janë propozuar e emëruar me votat e “opozitës” së dy viteve të fundit. Është imediate nevoja që vendet që i përkasin opozitës, të përzgjidhen e të emërohen me votat e opozitës së vertetë që shqiptarët votuan me 25 prill 2021. Përndryshe, ti ndryshohet emri dhe logoja, duke mbajtur atë që shqiptarët kujtojnë para 1990- ës, ku partia vendoste për këdo e gjithçka! Do të ishte mirë që edhe opozita aktuale të reagonte lidhur me situatën e krijuar në RTSH!

Pavarësisht këtyre problemeve dhe çeshtjeve që kërkojnë zgjidhje, askujt nuk duhet ti lihet dorë e lirë që me “shpatë” në dorë të presë sa ti hajë krahu, me shkarkime e emërime lart e poshtë. Për të gjithë, për këdo, vjen një moment që duhet të japë llogari para drejtësisë. Historia e këtyre 30 viteve ka treguar se ata që të mbrojnë apo mbështesin politikisht, të lëshojnë të parët. Ata që janë sot në krye të RTSH- së, duhet ta dijnë më mirë se askush, sepse e kanë provuar në lëkurën e tyre këtë aksiomë. /Nga Blerti DELIJA/