OPINION – PR-i i qeverisë që nuk funksionon me “thithësin me hundë” dhe rroftë…precedenti!

Deri në këto momente, asnjë nga “të rëndësishmit” e mazhorancës, nuk ka dhënë një mendim për rastin më të fundit të kryebashkiakëve të 30 qershorit. As nuk e kanë mbrojtur por as nuk e kanë lëshuar “thithësin me hundë”.


I interesuari direkt, ka zgjedhur të fshihet pas Babales, meqenëse bëhet fjalë për publikimin e një videoje. Në këtë etapë të “zhvillimeve”, PR-i (Marrëshëniet me publikun) i qeverisë, nuk funksionon. Mbase po përgatisin skenarë ose ajo që nuk mund të mbrohet…

Përdorimi i lëndëve psikotrope që nisin nga “bari jeshil” deri tek “pluhuri i bardhë”, nuk ndiqen penalisht nëse janë për konsum vetjak. Por nëse dikujt i kapen 0,2 gram, ai përfundon në paraburgim, prokurori, gjykatë e me rradhë deri në një vendmimmarje të drejtësisë.

Kjo ndodh ose duhet të ndodhë me njerëzit e zakonshëm. Po në rastin e një të zgjedhuri vendor? Edhe ai është njeri, ka veset e virtytet e tij. Por ndryshe nga një qytetar i zakonshëm, ai shihet si shembull, si i përzgjedhur ndër më të mirët, të aftët, të virtytshmit e një komuniteti që merr përsipër ti udhëheqë si administrator. Nga mendja e tij, teorikisht, duhet të prodhohen vendime me ndikim të rëndësishëm në jetët e mijëra njerëzve. Amund ti besohet vendimmarrjes së një njeriut nën efektin e lëndëve psikotrope?!

Historia e ketyre 30 viteve u ka prezantuar shqiptarëve çudi nga më të pabesueshmet. Në vazhdën e këtyre çudive, mund të jetë edhe mosreagimi i institucioneve shtetërore deri tek fshehja- fshirja e çdo gjurme të asaj që të paktën duket me figurë. Mirëpo në rastin më të fundit, nuk është kaq e lehtë sepse…duhet zhdukur një njeri!

Lëndët prsikotrope qëndrojnë në organizmin e një individi për janë e muaj të tërë. Mjafton një fije floku për të treguar nëse ke konsumuar “të gjelbër”, “të bardhë”, “të kuqe” në gjashtë muajt e fundit.

Prova më e besueshme do të ishte e thjeshtë për tu realizuar. Kryebashkiaku nën akuzë publike, një ditë të bukur mund të ftonte të gjitha mediat për një test për prani lëndësh psikotrope në një nga qindra klinikat apo spitalet e këtij vendi. Mundësisht, jashtë strukturave shtetërore. Rezultatet e një testi të tillë, do të largonin çdo dyshim: Nëse ky kryebashkiak është në rreshtin e atyre politikanëve që konsumojnë lëndë narkotike!

Natyrisht, ka edhe rrugë më të shkurtra, më efikase dhe që “lodhin” më pak qytetarët që e kanë votuar apo ata që i kanë besuar, nga Edi Rama deri tek socialisti më i thjeshtë. Nëse dikush i ka pyetur, shërbimet e agjencive ligjzbatuese e të inteligjencës, kanë informacion nëse një kryetar bashkie ka diçka për të fshehur. Nëse kryeministri e ka kërkuar këtë informacion, ai tashmë e ka atë mbi tavolinë. Ky kryebashkiak, sado i rëndësishëm të jetë, nuk mund të jetë më “i rrezikshëm” se KÇK-ja për të cilën kryeministri ka informacion deri në detaje…

I interesuari direkt, Lefter Alla, ka patur ndryshim qëndrimi për atë që akuzohet. Fillimisht u shpreh se “nuk jam unë ai në video”. Më pas, u shpreh se “është videomontazh si në rastin e Babales”. Ajo që duhet ndarë fillimisht është: Në video është ai apo jo? Më pas, PR-i mund të aktivizohet dhe të krijojë alibi: Po, është kryebashkiaku socialist por po thith me hundë…nisheste, OKI, Aulin dei tek Tylolhot. Aq më shumë kur është një gjendje gripale e pranuar edhe nga Instituti i Shëndetit Publik. Po pse me hundë mund të pyes dikush? Po eksperimenton një metodë të re, më efikase për përballimin e gripit! Përmes flegzave të hundës, efekti i ”ilaçeve” është më i fortë e i shpejtë. E pse të mos i besojmë?! Kemi parë e dëgjuar, me zë e figurë dhe më pas nuk i kemi besuar. Madje, me vendim gjykate në shumë raste! Edhe pesë me zero! Rroftë precedenti…! Ore…po për budallenj na merrni neve ju…?! /Nga Blerti DELIJA/

Për të afishuar reklamën apo njoftimin tuaj në ShkodraWeb Media mund të kontaktoni duke klikuar ShkodraWeb Media dhe menjëherë do të kontaktoheni nga stafi. ShkodraWeb Media ju mirëpret!