Sa herë mendon që gjerat po shkojnë për dreq pa kthim, ka gjithmonë një zhgënjim për mirë. Është gjithherë dikush aty që nuk dorëzohet edhe kur të gjithë kanë marrë ferrat me uratat përkatëse. Kur të gjithë burrat nuk kanë me kurajo për me ec, është një grua që nuk dorëzohet. Sa herë, kur edhe vet, lideri nuk di më ç’te bëjë, ka një lidere lokale që nuk dorëzohet. Përkundrazi, kur të gjithe thonë që “mori fund”, është ajo sheh një fillim. Kur të gjithë i nënshtrohen ngërdheshjes së fatit, ajo e vëren si buzëqeshje. Kur askush nuk ka më nerva, ajo ka nervin e duhur për të ndryshuar fatin në dukje të vulosur anglisht me titra në aksh intervistë me “za Ameriket”.
E takova Voltanen pak pas 30 Qershorit dhe e pyeta se çfarë mendonte për situatën. Prisja zhgënjimin pa ngushëllim që më kishin konfiduar kolegët e saj të djathtë, por zonja Ademi më kapi në befasi duke më garantuar në mënyrë të pabesueshme se Shkodra “s’ka shanse me ra në dorë të 6%-it”. E pyes ça do bësh, se si duken bathët muhabeti i 30 Qershorit ka marrë fund. “Jo për Shkodrën time”- më tha! Aty për aty mendova se Voltana ndoshta është optimiste prej natyrës së gruas që e karakterizon përgjithësisht këtë qenie të jashtëzakonshme, por intuita ime bash nuk shkoi më shumë se aq.
Por teksa po pinim ajo një kafe dhe unë një cigare n’zyrë (timen), me rrëfen diçka që se kisha dëgjuar. “Bled, Valdrini ka shkel ligjin e dekriminalizimit dhe nuk e ka deklaru”. Më tregoi sesi e kishte siguruar informacionin dhe sesi kishte nis punën me e verifiku. Më tha se kur të ishte e sigurtë për informacionet që i vinin pa pushim edhe gjatë kohës që qendronim në zyrë, do e bënte publike. M’u lut që të mos e bëja publike (duke ma dit huqin e pakurueshëm të gazetarit që, në i raftë një info në vesh, nuk ka gjë që e mban pa i’a thënë dynjasë), por pas nja dy ditësh “e preva” në besë e shkruajta këtë status në 12 Korrik: “Votimet e 30 Qershorit. KQZ-ja mundet të certifikojë kandidatët “fitues”, por nuk mund të heqë njollat e padekriminalizuara të fitimtarëve pa lavdi… p.s…se me ken shkodran tana i ban ?”. Me tha: “Nuk durove dot?”.
Po përtej kësaj, ajo që më bëri përshtypje kur lexova “shkarkimin e fitimtarit pa lavdi” prej Edi Ramës, ishte se Voltana nuk rrahu gjoksin me bërtit “unë e bana, unë e mbrojta Shkodrën nga turpi”. Jo, ajo thotë në një intervistë për Syrin se Shkodra nuk është kështjella e fundit, por e para nga ku do të nisë përmbysja e fëlliqnisë së 30 Qershorit. Përtej të gjithave, mbështetësit e opozitës kishin nevojë për një shkëndijë dhe nga Shkodra u erdhi një shpërthim, vetë PD kishte nevojë për pak ajër, e mendoj se këmbengulja e gruas n’Shkodër i dha asaj një bombul oksigjeni.
Jam i sigurtë që bashkëkolegët e saj që më shumë se me zhurmë i dorëzuan zyrat pa e shtyrë pak mendjen, duhet të marrin shembull. Sa tek Shkodra po aq edhe tek Voltana dhe mjerë po menduan se Voltanen e ndihmoi fati. Aspak, Voltanen e ndihmoi bindja se kur loja bahet e fortë, të fortët futen në lojë. Në Shkodër nuk do të ketë përdhunim publik pabzajtë të zyrave të shtetit nga pakica e pakicës. Sepse kur politika thuhej se është puna burrash, ajo po rezulton të jetë grua, grua e fortë si Voltana! /Nga Bledian KOKA/