OPINION – Përsëritësi i gabimeve të njejta dhe shkelësi i “kodit të mortit” Edi Rama…

A ju kujtohet para disa kohëve, kur Edi Rama publikoi një video të “mësymjes” së policisë në një vend afrikan ndaj banorëve atje, duke e paraqitur si policia spanjole me “dajak në dorë” për ata që nuk respektonin masat anti- Covid? A ju kujtohet kur kërkoi falje publike, duke thënë se “rëndësi ka të mos bësh gabime të qëllimshme dhe të kërkosh ndjesë kur gabon”?


Pas “ngatërresës” së policisë algjeriane me atë spanjole, sot kryeministri “ngatërroi” një ngjarje të vitit 2016 me një të këtyre orëve të fundit. Publikoi një foto me kamion në rradhë në kufirin mes Bullgarisë dhe Greqisë, për të justifikuar rradhët kilometrike në Kakavijën shqiptare. Deri tani nuk ka kërkesë për falje publike, siç e premtoi para disa muajve.

Po sot, një shkresë zyrtare e Ambasadës së Shqipërisë në Greqi, e nxorri zbuluar, duke treguar se qeveria shqiptare e dinte që me 5 gusht 2020 atë që ndodhi në kufijtë shqiptarë me vendin fqinj nga data 15 gusht e në vijim.

Më e rënda, sot shefi i qeverisë publikoi një vendim të kabinetit të tij, për të shpërblyer me 500 mijë lekë apo 5 milion lekë të vjetra familjen e vogëlushit nga Lezha që humbi jetën nga një autoambulancë në pritjen për të çelur Kakavija. “Humbi tragjikisht jetën pasi i preu rrugën autoambulancës” përsëriti kryeministri, edhe pse deri tani nuk ka asnjë ekspertizë publike për ngjarjen e rëndë. Aq më shumë, kur dëshmitarë në vendngjarje por edhe logjika njerëzore, barrën e fàjit e lënë tek shoferi i autoambulancës.

Sot Edi Rama shkeli “kodin e bujarisë” por edhe solidaritetit njerëzor sidomos në mort! Sot ai i vuri çmim jetës së një vogëlushi shqiptar që humbi jetën ditën për diell, në vendin e tij dhe në mes të rreth 50 mijë shqiptarëve që prisnin kalimin drejt Greqisë. Pavarësisht se as e gjithë pasuria e botës nuk fashit dhimbjen e nënës, babait, të afërmëve të Samuelit të vogël, shqiptarët në mort e kanë zakon ti gjenden njëri- tjetrit. Edhe qeveria mund ta ndiqte këtë praktikë.

Mbështet ShkodraWeb Media

Por më parë, Rama apo të paktën ndonjë emisar i tij, do të duhej të takonte familjen e Samuelit, qoftë edhe në rradhën e Kakavijës, ti shprehte ngushëllimet dhe ti kërkonte ndjesë për atë që ndodhi. Ndërsa, nuk duhej të guxonte të vinte gishtin e përgjegjësisë direkt tek vogëlushi dhe indirekt tek prindërit e tij. E në fund, Edi Rama nuk kishte arsye ta bënte publike “bamirësinë” e tij në mort, aq më pak të tregonte shumën e akorduar nga qeveria e tij për rastin fatkeq. Përpara se të bënte çdo veprim apo publikim, duhej të mendonte si prind, si babai i Zahos dhe me siguri, qasja do të ishte e ndryshme. Por zgjodhi të veprojë thjesht dhe vetëm si…politikan! Dhe si i tillë do të gjykohet… /Nga Blerti DELIJA/

ShkodraWeb Media 2017 – 2020 © TË GJITHA MATERIALET NË KËTË FAQE MUND TË PËRDOREN LIRISHT NGA INDIVIDË E MEDIA, DUKE CITUAR NGA JANË MARRË. FALEMINDERIT!

ShkodraWeb Channel
ShkodraWeb Marketing