
Shkodrës po i heqin edhe një drejtori të rëndësishme rajonale. Ajo që deri sot njihej si Drejtoria Arsimore Rajonale, nuk do të jetë më në Shkodër por në Lezhë. Është drejtoria e tretë që migron nga Shkodra pas asaj të Arkivave dhe të Ujrave.
Çdokush mund ta lexojë sipas mënyrës së tij, por unë e shoh si dëshirë e Edi Ramës për të zhbërë Shkodrën. Më shumë se të sotmen, krenarinë e asaj që mesa duket e shqetëson më shumë kryeministrin: Faktin se origjina e çdo gjëje me të cilën mburremi, është Shkodra!
Arti, kultura, sporti, arsimi janë vetëm disa që rrënjët i kanë në Shkodër. Po, po edhe arsimi. Pavarësisht se festojmë çdo vit 7 marsin e Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës, para saj ka ekzistuar Shkolla e Shirokës.
5 mijë vjet qytetarim, jo sipas shkodranëve por sipas polakëve që gërmojnë në Kalanë Rozafa, nuk mund të zhbëhen as në 6 vitet e Edi Ramës, as edhe në 600 vjet.
Natyrisht, Lezha por edhe Rrësheni, nuk kanë asgjë për tu nënvleftësuar. Edhe ata kanë historinë e tyre, siç edhe Tirana që ka diçka më shumë se 80 vite kryeqytet i Shqipërisë.
Edhe në diktaturën e egër 45 vjeçare të Enver Hoxhës, nuk u ndërmorën nisma të tilla. Diktatura persekutoi, internoi, burgosi, gjymtoi dhe vrau pa gjyq me mijëra shqiptarë. Shkodra ishte ndoshta më e martirizuara por as në atë kohë nuk flitej për Lezhë e Rreshen para saj. Shkodra rreshtohej pas Tiranës, por në krah me Korçën, Durrësin, Elbasanin e Fierin.
Pse po transferohen drejtoritë rajonale jashtë Shkodrës? A mos vallë ka më shumë kapacitete njerëzore, intelektuale se në Shkodër? Sikur asgjë tjetër, vetëm Universiteti “Luigj Gurakuqi”, do të mjaftonte për të hedhur poshtë pretendimet e kësaj natyre. Janë mijëra të diplomuar që mund të japin kontribut, ashtu siç premton edhe Edi Rama për përfshirje të të rinjve në “bashkëqeverisje”.
A mos vallë në Shkodër nuk ka socialistë të devotshëm që të mund të menaxhojnë pushtetin ashtu siç ka dëshirë Rama? A mos u zgjënjye kryeministri nga ministrat e tij Bushati e Mesi dhe i ka vënë vizën krejt socialistëve të Shkodrës? Më rezulton se ka socialistë, edhe më të devotshëm se Rama, që mbase nuk janë Rilindas por janë të ndershëm dhe të aftë.
Është fat i madh që teatri “Migjeni”, pavarësisht të gjithave, është në varësi të Bashkisë Shkodër. Nuk do të ishte çudi që ta kthente në rajonal apo metropolitan dhe të degdiste edhe edhe atë në…Laç përshembull. Po të kishte rrota, edhe stadiumin e ri “Loro Boriçi” do ta niste në drejtim të Tiranës, mbase edhe në Kukës. Sepse edhe kur e nisi, mendonte se do të gënjente shkodranët ta votojnë…. Edhe Kalanë Rozafa do t’ia hiqte, por fatmirësisht nuk mundet.
Kjo nuk është asgjë tjetër veçse hakmarrje. Po, po hakmarrje! Hakmarrje jo ndaj demokratëve, as edhe socialistëve por shkodranëve e Shkodrës. Mund të tingëllojë e rëndë, por mirëpres çdokënd që më jep një argument se pse drejtoritë rajonale duhet të largohen nga Shkodra.
Nuk ka të bëjë aspak politika, bindja e atij apo këtij. Nuk lidhet as me faktin se prej 30 vitesh, Shkodra nuk po i dorëzohet të majtës. Është diçka më shumë, që ka të bëjë me vetë formimin e Edi Ramës. Formimin si njeri por edhe si “artist”. Imponimi deri në këtë pikë, i shijeve dhe i preferenca- perceptimeve individuale, është i tepërt! Edi Rama kërkon ta minimizojë pozicionin e Shkodrës, ta errësojë atë çfarë ka përfaqësuar, përfaqëson e do të përfaqësojë. Nuk e honeps dot se Shkodra vazhdon të jetë pikë referimi për shqiptarët, ata të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë e përtej. Ai ka alergji se Shkodra vazhdon të konsiderohet kryeqendër, të paktën e Veriut. Dhe Veriu sot është zgjeruar shumë…
Rama i ndruhet Shkodrës si djalli temjanit. Për arsye që vetëm ai i di në subkoshiencën e tij. Por nuk do t’ia dalë! Që nga romakët e këtej, askush nuk ia ka dalë ta zhbëjë Shkodrën. Edhe Edi Rama do të dështojë. Ai është i përkohshëm, Shkodra e përjetshme! Teoria “kulaçin ose kërbaçin” në Shkodër nuk ka ecur dhe nuk do të ecë! /Nga Blerti DELIJA/