
“Pyetje për kandidatët: Nëse mbështetësi juaj kryesor është dikush i përcaktuar publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht? Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”.
Nëse do të ishin pyetje të cilido gazetar në Shqipëri, nuk do të kishin asnjë paragjykim. Pa problem, çdo kandidat për 6 bashkitë ku do të votohet me 6 mars 2022 në zgjedhje të pjessshme vendore, do të kishte një përgjigje. Në fakt, nga pyetje normale, të dala nga goja e një diplomati, këto janë thjesht dhe vetëm pyetje retorike. Pra, pyetje që nuk kanë nevojë për përgjigje.
Publikisht, përmes llogarisë në Twitter, pyetjet u janë drejtuar kandidatëve të 6 marsit nga vetë ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. E këto pyetje, vijnë pikërisht pas vizitës në fundjavë që diplomatja amerikane por edhe edhe ambasadori i BE- së Soreca, bënë në bashkinë ku do të votohet. Jo vetëm kaq, por pas vizitave në Muzeun Vendi i Deshmisë dhe i Kujtesës, ku prej ditësh është paralajmëruar një takim i ish- kryeministrit Berisha me 22 shkurt, rreth mesdite. Vizita këto, të dokumentuara edhe përmes fotove në rrjete sociale.

Mund të jetë rastësi çdo gjë…por kur rastësitë ndjekin njera- tjetrën… Ambasadorët më të rëndësishëm në Shqipëri, zgjedhin një fundjavë për të ardhur në Shkodër, pikërisht pak orë para tubimit elektoral të kryetarit të PD- së Lulzim Basha, vizitojnë të njëjtin ambjent ku pas disa orëve do të zhvillojë një takim ish- kryeministri Berisha “non grata” i SHBA- ve dhe, qershia mbi tortë, katër pyetjet retorike që i lexuat në krye të këtij shkrimi. Të jetë vallë rastësi…?!
Në nivelin teknik- profesional të pyetjeve, a ka ndonjë specialist mediash apo komunikimi që asocion me logjikë të thjeshtë lidhjen në mes “çfarë po u premtoni votuesve saktësisht” dhe “Nëse mbështetësi juaj kryesor është dikush i përcaktuar publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor”?! Në këto 6 bashki, për “Shtëpinë e Lirisë” (sepse nuk ka dyshime se atyre kandidatëve u drejtohen pyetjet retorike), kandidojnë po kaq individë dhe jo një i vetëm i shpallur “non grata”. Deri tani, asnjë nga këta të gjashtë, nuk rezulton i përcaktuar nga SHBA- të “për korrupsion madhor”.
Me 6 mars, janë të thirrur të votojnë shkodranët dhe qytetarët e 5 bashkive të tjera dhe jo shtetas amerikanë që mund dhe duhet të ndikohen meqë shteti i tyre, SHBA, ka “përcaktuar publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor” dikë që u paraqitet si kandidat.
“Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre?”, është pyetja e radhës që nuk tingëllon aq shumë e formuluar nga përfaqësuesja e një shteti që është simbol i demokracisë në botë. Sigurisht, që do ti zotërojë qytetari, përmes votës që do ti japë me 6 mars dhe madje, në këtë rast, pas rreth 1 viti, do të ketë të drejtë ti votojë sërish pro apo kundër. Se çfarë u detyrohet kryebashkiaku i zgjedhur atyre që e zgjedhin, e përcakton ligji “Për vetëqeverisjen vendore” dhe natyrisht, mbajtjen e premtimeve të dhëna në fushatë.

“Çfarë duhet të presin shqiptarët?”, është pyetja e tretë nga radha. Shqiptarët duhet të presin se kush do të fitojë në 6 bashkitë e vendit, duhet të presin proces e zgjedhje të rregullta, të lira e të ndershme, pikërisht ashtu siç i presin edhe qytetarët amerikanë kur në SHBA ka zgjedhje. Duke kufizuar disi nga shqiptarët tek shkodranët, këta të fundit presin investime publike, sherbime dhe me shpresën e Zotit, edhe kthim të vemendjes së qeverisë nga Bashkia Shkodër.
“Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”, kjo është pyetja më e vështirë. Në rastin më të mirë, mund ti përgjigjen deri diku saktë shtetasit amerikan, ata shqiptarë që kanë edhe shtetësi amerikane e për të ecur më tej në nivel makro, mund ti përgjigjet vetë ambasadorja Kim, sekretari Blinken, zëvendëspresidentja Harris apo edhe vetë presidenti Biden. Shqiptarët e shkodranët janë mjaft të zgjuar e parashikues por jo deri në atë pikë sa ti përgjigjen saktë e me kompetencë një pyetjeje të tillë.
E pasi u përpoqëm, pa na e kërkuar askush, ti kthejmë përgjigje (ndoshta jo të sakta) 4 pyetjeve (5 pyetje ka Babaramo), a mund të bëjmë edhe ne një pyetje, paksa të gjatë: A është ndërhyrje, ndikim, imponim i vullnetit të zgjedhësve në 6 bashkitë e vendit, pyetsori i ambasadores Kim? Shumë kush mund ta lexojë edhe këtë si pyetje retorike, por gjithsesi po rrezikojmë ta bëjmë, duke shpresuar të mos fitemi tek lista “non grata”, meqenëse besojmë verbërisht tek parimi “nuk ka pyetje (edhe retorike) të këqija por vetëm përgjigje të tilla”!
Me gjasë, nuk ka asnjë mundësi që këto rreshta të dalin para syve të ambasadores Kim. Pra, nuk do ti lexojë. Por meqenëse jemi qytetarë të Shkodrës, një nga bashkitë ku do të votohet me 6 mars 2022, tentuam ti përgjigjemi modestisht këtyre 4 pyetjeve. Gjithsesi, vazhdojmë të jemi të bindur se SHBA- të kanë sistemin demokratik më të kulluar të njerëzimit, më të pagabueshmin që nga Shtëpia e Bardhë dhe selitë diplomatike nëpër botë. Edhe për Shqipërinë. /ShkodraWeb/

Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!