OPINION – Përballja Berisha- Basha në PD dhe futja në lojën e “tifozllëkut” e mediave tradicionale dhe online me kosto dezinformimi…

Përballja Berisha- Basha në PD, ka tërhequr vëmendjen më të madhe në zhvillimet politike në vend. Tashmë nuk ka dyshime se kjo përballje, deri tani në distancë, jo vetëm është e vertetë, por po “pasurohet” edhe me përfshirjen e mediave në kuadër të “tifozllëkut”. E nuk po flas këtu për intervista, deklarata apo takime të Berishës apo Bashës. Por përpiqem të evidentoj pozicionimin e mediave tradicionale dhe ato online, përmes publikimit të “debateve” që zbulohen nga brenda zyrave e sallave të mbyllura.

Natyrisht, sidomos në mediat online por jo vetëm, titujt bombastikë “shesin” lajmin. “Basha tha kështu për Berishën”, “Noka apo Bylykbashi iu përgjigjen kështu Bashës”, pa u lodhur fare për të verifikuar minimalisht vertetësinë e asaj që del jashtë mureve të zyrave e sallave. E çdo gjë shumëfishohet në progresion gjeometrik, falë hapësirave të pamata sidomos të mediave të reja online apo të atyre që konsiderohen shkurt, portale.

Fenomeni është konsoliduar me kalimin e ditëve në përballjen, në fakt të njëanshme Berisha- Basha. Sepse kreu i PD- së, nuk është se është shumë aktiv në këtë përballje, përveç intervistave publike, ku rrallë herë përmend nominalisht Berishën. E si për ironi të fatit, “dekriptimeve” të debatave në zyra të mbyllura, me citim emrat e mbiemrash, as vetë të përmendurit nuk i dalin për zot me zë e figurë para kamerave në terren apo në studio.

Edhe pa qenë antar, mbështetës apo simpatizant i Bashës apo i Berishës, çdokush që ka një informacion sado minimal nga politika, ka të drejtë të japë një opinion, të bëjë “tifozllëk” apo edhe të pozicionohet publikisht në krah apo kundër njërit apo tjetrit. Fatmirësisht apo fatkeqësisht (varet nga këndvështrimi), përmes rrjeteve sociale, për miqtë e ndjekësit e tij, këtë mund ta bëjë çdokush që ka dëshirë. Sepse Marku dhe sivëllezërit e tij, na  e kanë krijuar këtë komoditet.

Por me mediat tradicionale por edhe portalet (ato që janë disi të konsoliduara dhe nuk kanë qëllim unikal në vetvete klikimet), është më ndryshe. Nëse dikur thuhej se “është lajm i vertetë sepse e dha televizori apo gazeta”, tani çdo lajm mund të konsiderohet i vertetë edhe kur e jep një nga mijëra mediat online. Sepse secila prej këtyre mediava, qofshin edhe anonime në identifikimin e tyre minimal, kanë një audiencë përmes rrjeteve sociale. Sepse çdokush me dëshirë, mund ti bëjë “like” apo “follow” një medias online apo tradicionale që me patjetër, ka një faqe edhe në Facebook, Twitter etj.

Realiteti është perceptim dhe media, ka fuqinë apo pushtetin që ta sjellë edhe të transformuar këtë realitet tek shikuesit, dëgjuesit apo ndjekësit online. Sidomos, kur secili ka një “të vertetë” të vetën, asaj që ai është i prirur ti besojë apo shtyhet përmes imponimit me informacion, ti besojë. E në këto linja, duket se është shtyrë edhe debati më i fundit në distancë Basha- Berisha. Jo se më intereson shumë se kush do të jetë “fituesi”, do të shkojë deri në fund apo jo kauza e Berishës apo e Bashës. Apo nuk ka kauzë fare tek asnjëri!

Por ne, të gjithë bashkë, kush më shumë e kush më pak, po instalojmë një realitet krejtësisht virtual, të pakonfirmuar dhe që e marrim po të gjithë, të mirëqenë. Këto reshta ishin shtysë nga përballja Basha- berisha, por fenomeni është i njohur që në fillim të 1990- ës, e i shumëfishuar me “mbirjen” kryesisht për interes parësor fitimin, i mijëra “mediave” apo portaleve online. Në një pjesë jo të vogël, me prioritet klikimet.

Sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe që një faqe me titull “shendetësor” në Facebook, shpërndan lajme të ditës, e sidomos ato politike, “të shitura” me tituj bombastikë. Nuk ka si shpjegohet që një faqe me mbiemër “sportiv” po në Facebook, rreket të na tregojë “të padëgjuarat” në mbledhjen e PD- së. Nuk ka si shpjegohet që një faqe me mbiemër “psokologjik”, të na tregojë se çfarë i tha Bashës X apo Y deputet, mbështetës i Berishës. Nuk ka si shpjegohet ndryshe që një “faqe informative” apo “news”, “lajme”, të mos ketë asnjë kontakt, as mail, as numër celulari, as adresë tokësore as ndonjë frymor që ti dalin për zot në rrjetet sociale. Shkurt, anonim dhe që “punon” vetëm e thjesht për klikime, pa mbajtur asnjë përgjegjësi për atë që publikon, të vertetë, gjysmë të vertetë apo false.

Natyrisht, kur flasim për “tifozllëk” të mediave tradicionale apo online, nuk mund të përjashtohet edhe ndonjë përfitim “anësor” me lajme të sugjeruara apo të parapërgatitura, thjesht të gatshme për ti shpërndarë në rrjetet sociale, pa asnjë lloj verifikimi. Kështu ka qenë, është e do të jetë, edhe me mediat tradicionale, edhe me ato “të reja” online. Sigurisht, as këto rreshta nuk kanë as mundësinë të ndryshojnë realitetin. As edhe të përcjellin “moral” për mënyrën e sjelljes së mediave tradicionale e online. Por thjeshtë përpiqen tu kujtojnë atyre që mund të shikojnë, dëgjojnë e lexojnë, që jo çdo gjë është “e vertetë e kulluar” nga ajo që konsumojnë. Jo çdo gjë që fluturon, ecën përtokë apo noton në ujë, hahet! /Nga Blerti DELIJA/

Open

Close