
Tashmë është kthyer në personazh të përditshmërisë, sigurisht jo me atë kërshërinë/kuriozitetin e ditës apo ditëve të para kush shpalli daljen si deputete e pavarur, duke u larguar nga Grupi Parlamentar i PS- së. Në fakt, veprimi i saj është për tu përshëndetur, politikisht, nëse ka zgjedhur të ikë nga privilegjet si deputete e shumicës parlamentare për t’ju bashkuar popullit, më saktë, asaj pjesë të tij që është haptas në protestë kundër Edi Ramës. Jo aq shumë qeverisë dhe shumicës sa kryeministrit. Kjo është qartësisht e kuptueshme.
Pavarësisht pakënaqësive, edhe publikisht të shprehura, një politikane profesioniste si Elisa Spiropali, ka deklaruar se është dhe do të mbetet socialiste. Ndërsa kryesuesja e listës së PS- së për qarkun e Shkodrës, duke mos qenë asnjëherë socialiste, madje genetikisht edhe djathtas, e bëri pa shumë probleme largimin.
Më herët, kur ajo ishte thjesht kryesuese e listës, pa marrë akoma mandatin, ka shkruar një “profil të paautorizuar” për të, të cilin nëse doni, mund ta lexoni duke klikuar linkun më poshtë.
Zgjedhja e saj, do te vinte përballë sprovave dhe dilemave. Duke nisur nga e folmja e saj dialektore, e cila nuk kaloi pa shpoti publike e jo, të kolegëve të saj socialistë. Mjafton një pikë uji për të derdhur gotën e kështu ndodhi edhe me Marjanën. Është në kufijtë e pabesueshmërisë që “Zvërneci” ishte pika e fundit e ujit. Sepse më herët, me ndjeshmëri deri në përfshirje më të lartë, ishte “Thethi” e “Baks- Rrjoll”. Mbase do të merret vesh, mbase kurrë, arsyeja e vertetë e veprimit të Koçekut pikërisht në këtë moment.
Pas largimit, PS nuk vonoi ta largojë nga pozicioni i sekretares së Komisionit Parlamentar për Europën e Punët e Jashtme. Megjithatë, akoma pa u marrë vendimi, Marjana zhvilloi një tur në Parlamentin Europian, ku siç ishte e natyrshme ndërsa ishte pjesë e PS- së në Kuvend, u takua me europarlamentarë të majtë dhe shumë të majtë, deri tek të gjelbrit. Realisht, mbase do të ishte më e mirëkuptueshme, të tentonte takime edhe nga e djathta. Nuk është e qartë sa ka arritur të krijojë simpati apo lidhje gjatë këtij turi me europarlamentarë apo grupime politike në Bruksel, por vështirë që Koçeku të udhëtojë sërish drejt Parlamentit Europian me statusin që kishte këtë herë.
Nga të gjitha anët, ka presion që Marjana të dorëzojë mandatin e marrë pa u lodhur fare si kryesuese e listës së sigurtë të PS- së në Shkodër. Pyetja mëse normale është: Për çfarë mund ta përdorë mandatin nga sot e në vijim Marjana Koçeku, përveç përfitimit të privilegjeve jo të vogla që ka një deputet?
Sensibilizimin për kauzën që mbështet, e bëri në nivelet më të larta politike dhe mediatike europiane. Shprehu të gjithë rezervat, mori të gjithë mbështetjen për atë dhe kauzën e saj. U kthye në personazh brenda e jashtë vendit. Që të gjithë, të kuptojmë më shumë. Marjana e ka detyrim të “rrëfehet” tashmë në një studio televizive shqiptare, mundësisht edhe përballë gazetarëve. Sigurisht duhet të flasë, të tregojë të verteta ose minimalisht, të vertetën e saj për largimin e beftë. Duhet të bindë fillimisht mbështetësit e saj, më pas edhe opinionin publik asnjanës, se pse ajo duhet ta mbajë mandatin politik dhe për çfarë do ta përdorë edhe rreth 3 vite të mbetura të tij.
Nëse nuk ndodh, atlherë ajo po shemb kauzën morale të iniciativës së saj. Më keq akoma, po përdor “pushtetin” e dhënë nga PS-ja për të me anë të mandatit si deputete, për të sulmuar pikërisht këtë subjekt politik. Është e qartë, se Koçeku do të ketë fatin e shumë kolegëve të saj paraardhës, nga PS, PD apo subjekte të tjera politike që kanë zgjedhur këtë rrugë “kundër rrymës”: Mund të kandidojë sërish për deputete por nuk do të fitojë! Por ndryshe nga të tjerët, Marjana ka mundësi të mbajë të fortë kartën e saj morale, të bëhet zë i rëndësishëm në opinionin publik dhe të vijojë rrugëtimin në biznes, sipas saj, i suksesshëm deri në momentin që hyri në politikë. Po ashtu, mund ti atashohet zyrtarisht, edhe si bashkëdrejtuese, protestës që po vijon prej 36 ditësh në Tiranë. Mbase, mund të rinisë karrierë të re politike ideologjikisht, edhe të kandidojë në emër të një subjekti politik që mund të krijohet! /Nga Sokol N. SOKOLI/




